Cili është qëllimi i betejës që po zhvillohet tani në Tiranë? Beteja politike që po zhvillohet në Tiranë është pa dyshim një betejë politike dhe e gjithanshme që do të ketë ndikim të ndjeshëm në të ardhmen e shqiptarëve dhe të vetë shtetit shtetit shqiptar.
Beteja do të shtrihet e do të vazhdojë mbas zgjedhjeve, nëse do të ketë zgjedhje, dhe nuk mund të ketë fitimtarë nga dy krahët dhe as një riekuilibrim me paqe të qëndrueshme. Tani që kanë dalë shpatat nga milli, do të ketë një mosbesim të thellë, të pamëdyshur dhe që do të cojë në përplasje, të themi si në vitin 1996.
Fundi i pritshëm, dhe nëse nuk ndryshojnë faktorët në lojë, edhe logjik i kësaj beteje janë dy mundësi: (1) Njëri është ose vendosja e ndikimit të pakushte të BE dhe të SHBA mbi Shqipërinë dhe dobësimi dhe zhvlerësimi politik i parisë sunduese; (2) Fundi tjetër logjik është fitorja e parisë sunduese dhe ndërrimi i pjesshëm i orientimit politik të shtetit shqiptar në aleancat ndërkombëtare.
Kush janë palët? Në këtë betejë janë formalisht të përfshirë në një anë përfaqësuesit e SHBA, dhe të BE që kanë vënë si synim kryesor të dukshëm ndërtimin e një shteti ligjor dhe të stabilizuar, si dhe besnik në lojën e vështirë që po zhvillohet. Këta kanë mbështetjen e një segmenti të rëndësishëm të banorëve të Tiranës dhe besojnë se pakënaqësia e thellë popullore me parinë do të jetë një forcë e papërballueshme, të themi si pakënaqësia me piramidat financiare në vitin 1996.
Nga ana tjetër janë përfaqësuesit e parisë së Tiranës të drejtuar nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, dhe klanet mafioze respektive. Këta janë krejtësisht të vetëdijshëm se po e humbën kontrollin mbi politikën dhe shtetin rrezikojnë të humbin gjithcka kanë jetike në këtë betejë.
Në mes të dy palëve është garnitura e re kozmopolitane dhe antikombëtare që është konsoliduar nën udhëheqjen ne Edi Ramës në Rilindjen qeverisëse, drejtorët e rinj, zyrtarët e pasuruar dhe pinjollët e parisë që të strukturuar si repart shumëetnik kozmopolitan kompakt, tani e kanë vënë dhjamin ekonomik.
Edhe pse pjesë integrale e parisë së Tiranës, pse të gjithë janë bij e bija, kushërinj e farefis i klaneve të mësipërme, Rilindja paraqitet si instrument luajal i SHBA dhe BE por është një strukturë krejtësisht e pabosht dhe pa karakterin me luftue si duhet.
Joformalisht dhe indirekt në këtë betejë janë të përfshirë edhe dy faktorë: (1) Një, interesa të huaja, shtetërore dhe të tjera, të natyrës ekonomike, politike, të shërbimeve, dhe strategjike; (2) Dy, populli shqiptar fati i të cilit po vendoset por ai nuk po kupton gjë.
Cila është natyra e luftës që do të zhvillohet? Lufta po zhvillohet e do të intensifikohet me të gjithë mjetet, ligjore, politike, mediatike, informale, dhe ekonomike. Edhe mbas zgjedhjeve, kjo nuk do të ketë ndalim. Ajo që shihet në sipërfaqe nuk është gjithnjë ajo që po ndodh. Por ajo që dihet është se nuk ka kthim në status quo ante.
Dhe në raste të tilla, armiqësia do të jetë e pandërprerë. Tani të gjithë ne duhet të përgatitemi për gjithcka sepse së pari, askush nuk mundet me e durue një ciban krimi e armiqësor në një zonë të kontestuar strategjike, dhe së dyti, sepse askush nuk pyet për ne si shqiptarë, sepse ne nuk po pyesim për veten tonë. Aq më shumë, që zgjidhjet e preferueshme për armiqtë tradicionalë te shqiptarëve kërkojnë që ne të përplasemi keq me shqiptarët e tjerë. Kjo e bën luftën civile dhe përplasjen iminente dhe shumë me rrezik për ne.
Por e bën shumë më të mundshme dhe të frikshme sepse as paria nuk ka ndonjë hezitim që mbi gjakun e vdekjen tonë të paraqitet si faktori i vetëm stabilizues.
Cfarë duhet të bëjmë? Duhet të ndërgjegjësohemi se të keqen e kemi brenda vetes dhe ka hyrë shumë thellë. Këta që shiten si mbrojtës të sovranitetit ruajnë veten e klanet e veta. Këta të tjerët që shiten si kozmopolite ruajnë veten e klanet e veta. Të pabesë dhe kriminelë të lindur sic janë, këta nuk kanë asnjë mëshirë për ne shqiptarët dhe do të na sakrifikojnë, edhe duke përdorur veglat e tyre të bindura militante, fetare, krahinore e klanore. Shqiptarët duhet të dinë mirë se askush nuk do të zgjidhë si duhet këtë gjendje kritike përvec nesh. Dhe, në këtë përplasje që i ngjan shumë vitit 1996, ne nuk duhet të presim që të ndodhë në variantin më të keq ajo që vijoi dhe që coi në vitin 1997 dhe në atë tragjedi të jashtëzakonshme për ne.
Si duhet të veprojmë? Tani, është shumë e nevojshme dhe urgjente që të gjithë të organizohemi dhe të kuptojmë se nuk kemi zgjidhje tjetër vec vëllazërimit shqiptar, shtet-kombit dhe interesit kombëtar.
Ata që dinë e kuptojnë duhet të ndjejnë detyrimin moral që të ndërgjegjësojnë shqiptarët e tjerë. Prandaj, të gjithë duhet të ndërgjegjesohemi e të ndërgjegjësojmë, të organizohemi dhe të organizojmë, të ndeshemi e të luftojmë, sepse kur ta kuptojmë se shteti e kombi jemi ne dhe se në fund të fundit, kjo është e ardhmja e jonë për të cilën po luftohet nga të gjithë. Atëherë do të vetëdijesohemi se vetëm ne do ta shpëtojmë kombin e shtetin tonë ashtu si duhet e si e meritojmë.