Nga: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Arrestimi i Ramush Haradinajt për një urdhër absurd e të vjetëruar të
Serbisë është pjesë e një skeme, të cilën e luan me shumë zotësi e
shkathtësi diplomatike e politike Beogradi.
Ndërkohë që në mos ka gjetur bashkëpunëtorë në Tiranë e në Prishtinë,
kryeqyteti serb përfiton nga inferioriteti shqiptar, nga deliri ynë,
nga pasioni anadollak për konflikt të brendshëm dhe nga tamahu për ta
përdorur pushtetin në funksion të parasë e të pasurisë.
Shihni çfarë ndodh: Pas arrestimit të Haradinajt presidentit serb,
Tomislav Nikoliç, i ndalohet hyrja në Kosovë. Thonë se gozhta del me
goxhdë, por edhe rraset thellë me çekiç. Është e paprovuar nëse po
nxjerrim gozhdën me gozhdë apo po shtyjmë gozhdën me çekiç në trupin
tonë. Ata që fërkojnë duart për vendimin që Nikoliç të mos shkelte në
Shterpcë janë entuziastë se po nxjerrin gozhdën e fletëarrestimeve serbe
nga trupi ynë. Ndërsa të lumturuarit në Beograd, kundërshtarët e
Nikoliç ose jo, besojnë se kanë në dorë çekiçin dhe se i mëshojnë
gozhdës, jo vetëm për të përshkuar mishin tonë, por edhe kockën tonë
nacionale kolektive .
Nikoliç, i zemëruar foli në Krishtlindjet ortodokse të ritit sllav
për “forcën” e Serbisë dhe për kufijtë e sjelljes së Prishtinës.
Në këto kufij ai paralajmëron institucionet e Kosovës sa i përket
pavarësisë, duke kujtuar se “Të mos mendohet që Kosova do ta realizojë
pavarësinë” dhe duke paralajmëruar se “Serbia është e fortë dhe se
Kosova duhet ta njohë forcën e Serbisë”!!! Ndërkaq kreu i Kishës
Orthodokse të Serbisë, Irinej, deklaroi se “Kosova është Gologota dhe
Jeruzalemi i Serbisë” dhe se “Sa kohë të ketë mbi tokë serbë, Kosova do
të jetë tokë serbe, shiprti i Serbisë”.
Të dy, Nikoliç dhe Irinej, qenë pranë njëri-tjetrit kur bënë këto
deklarata. Dukej si një orkestrim force përballë asaj që në Prishtinë u
përjetua si “fitore” ndalimi i presidentit të Serbisë për të kremtuar
pashkët në Shtërpcë të Kosovës.
Kjo sjellje e njeriut me pushtet politik dhe atij me pushtet
shpirtëror në Serbi i ngjan një pamjeje, pasojat e së cilës i njohim në
periudhën e sundimit të Milosheviçit. Por a është kjo gjithë panorama e
vërtetë e sjelles së Serbisë kundrejt Kosovës, institucioneve të saj dhe
shtetësisë së saj?! Sigurisht që jo.
Shumica e udhëheqësve të Serbisë ndërsa heshtin, veprojnë me një
shkathtësi diplomatike e politike të jashtëzakonshme. Vuçiç nxori
Milorad Dodikun që të shpaloste idenë dhe platformën e ndarjes së
Kosovës. Ai u shpreh pas arrestimit të Haradinajt se “Katër komunat e
Veriut të Kosovës i duhen bashkëngjitur Serbisë”, duke nënkuptuar që pas
kësaj shqiptarët le të bashkohen në një shtet të vetin. Më tej, Nikoliç
nuk u lejua të shkonte në Shterpcë, por Gjuriç, pavarësisht ndalimit të
tij për të hyrë në territorin e Kosovës, nuk ndalet asnjëherë të
vizitojë veriun e Mitrovicës dhe t’u cicërojë serbëve të atyre katër
komunave që përmendi Dodik për refuzimin e institucioneve të Kosovës dhe
ruajten e lidhjeve institucionale me Beogradin.
Në Tiranë politikanët, qeveritarët tanë, u besojnë deklaratave jo
zyrtare, informale në tallavatë politike me mandolinën e Daçiç-it
ministër i Jashtëm, sipas të cilit “këta politikanët e moderuar në
Beograd e njohin faktin që Kosovën e kanë të humbur”, por që “shqiptarët
duhet të mirëkuptohen për pamundësinë e zgjidhjes përfundimtare të
konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit” për shkak të sentimentit
nacionalist të kombit serb.
Pasi i vinë në gjumë me të tilla ninulla politikën dhe diplomacinë
tonë që mburret për vepra të mëdha filloi të ndërtohet muri ndarës midis
shqiptarëve dhe serbëve. Po ku? Aty ku rrjedh lumi i Ibrit, në mes të
qytetit të Mitrovicës, aty ku katër komunat e planifikuara të mos kenë
më asnjë kontakt fizik me Kosovën dhe institucionet e saj.
Kreu i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, paska qenë në dijeni të
ndërtimit të një muri 80 cm të lartë, dmth se muri ndarës po ndërtohet
me pëlqimin e palës shqiptare. U prit shkarkimi i tij prej detyrës së
kryetarit të komunës së Mitrovicës, por kjo nuk ndodhi. Përkundrazi
Vetëvendosja i shkoi menjëherë në ndihmë dhe iu bë patericë zotit
Bahtiri, duke zevendësuar LDK-në në qeverisjen lokale të Mitrovicës së
Jugut dhe duke ia mundësuar shumicën në kuvendin komynal zotit kryetar
të komunës.
Muri u harrua edhe pse hedh shtat në ditë ngricash gjatë bregut
verior të Ibrit. U harrua, sepse nuk mundën të hapin gojë as presidenti e
as kryeministri i Kosovës. Ndërsa këta të Tiranës sonë “të kuqe”, të
cilët në Beograd përdorin formula nacionaliste të rrejshme, heshtën
gjithashtu.
Muri i Mitrovicës ishte një test. Po aq sa është një test arrestimi i
Ramush Haradinajt, i cili qe i vetmi që deklaroi se “Tokën e Kosovës
askush nuk mund ta shesë apo ta falë”. Nëse Haradinaj lirohet nga
arresti serbo-francez, ka shumë shanse që Kosova të marrë një rrugë
zhvillimi të re për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë sa i përket veriut
të Mitrovicës.
Nëse ekstradohet në Beograd, ka shumë shanse që Kosova dhe rajoni të
destabilizohen. I vetmi autoritet në Kosovë që mobilizon atdhetarisht
shqiptarët kundër padrejtësisë e në mbrojtje të territorit të Kosovës
duket se është Ramush Haradinaj. Si me prezencën ose joprezencën e tij,
ai do të përcaktojë me shumë gjasë të ardhmen e saj e të shtetësisë së
saj në të gjithë territorin.
Sido që të jetë është ende heret të hamendësohet gjithçka. Por nuk ka
asnjë dyshim se arrestimi i tij ka të bëjë me projektin e ndarjes së
Kosovës. Nuk ka të bëjë me propagandën e Nikoliç apo të Irinejt, për
gjoja moslejimin e pavarësisë së Kosovës. Një Kosovë e pavarur apo e
bashkuar me Shqipërinë pa veriun e saj është tashmë projekti i vetëm I
Serbisë dhe të gjitha lëvizjet politike të Beogradit shkojnë drejt
realizimit të këtij projekti.
Se Beogradi ka në projekt ndarjen e Kosovës, këtë e kanë dëshmuar
liderët politikë në Beograd. Psh. Ivica Daçiç thoshte para tri vitesh se
“Ne nuk na intereson se në sa shtete jetojnë shqiptarët, ne na
interesojnë serbët”, çka do të thotë se në Beograd janë pajtuar që me
ndarjen e Mitrovicës të lejohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ka
“nacionalistë” këtu në Tiranë, të cilët e mbështesin këtë formulë serbe.
Lëvizjet dhe qëndrimet që mbajnë disa politikanë në Kosovë më japin
përshtypjen se pranojnë një zgjidhje si kjo të asaj që quhet konflikt
midis Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa qeveria e Tiranës është gjithashtu e gatshme të punojë bashkë
me Beogradin për një skenar të tillë. Gatishmëria e qeverisë së Tiranës
për kompromisë territorial me Beogradin mund të joshet me mbështetjen
nga ndonjë vend europian për të qëndruar në pushtet sa më gjatë.
Nuk duhet patur asnjë dilemë, për atë nëse këtë formulë e kanë
biseduar zoti Rama dhe zoti Vuçiç ndërmjet tyre. Nuk ka asnjë dilemë, se
kjo formulë është transmetuar edhe në Prishtinë nga të dy liderët në
garë për lidership në Ballkan. Për këtë shkak arësyetimi shkon deri aty
sa të besohet fakti që arrestimi i Haradinajt është një pjesë e skemës
së një projekti të madh, ridefinimit të kufijve të Kosovës e të
shqiptarëve me Serbinë, dmth, përpjekja për t’i falur Serbisë pasuritë
më të mëdha të Kosovës e të Ballkanit.
Në dobi të këtij projekti janë realizuar të gjitha mikroskemat e
këtyre viteve të fundit. Beogradi ka mundur të bindë shumë politikanë
dhe shtete në Perendim, se ajo “nuk mund të fyhet”. Ministra të jashtëm
të vendeve të BE-së i kemi dëgjuar të thonë se “Ne duhet t’ia ruajmë
fytyrën Serbisë”, gjë që përkthehet në një paketë lëshimesh që i duhen
bërë dhe faktikisht i janë bërë asaj. Pastaj nxitën përmirësimin e
klimës midis Tiranës dhe Beogradit. Me Berishën duket se e kishin të
pamundur ta bënin këtë dhe sollën zotin Rama si partner entuziast të
bashkim-vëllazërimit midis shqiptarëve e serbëve. Aq shumë u lidhën
bashkë dy qeveritë e dy kryeministrat e dy vendeve përkatëse, sa tashmë
nuk kishte asnjë dyshim për dakortësinë e palëve në planet e reja dhe
rindërtimin e gjeopolitikës në rajon.
Ndërsa nga viti 2013 e këtëj vazhdoi i ashtuquajturi dialog midis
Prishtinës dhe Beogradit, një dialog që nuk solli ndonjë perspektivë për
Kosovën, përkundrazi bllokoi njohjet e shtetësisë së saj, bllokoi
zgjidhjet për shtrirjen e sovranitetit të Prishtinës në veri të
Mitrovicës, bllokoi iniciativat kushtetuese për shtetndërtim dhe qasje
konstruktive në këtë drejtim, i hapi rrugë rikthimit të Beogradit në
Kosovë dhe imponimit nga ana e tij të politikave shoviniste kundër
shqiptarëve.
I gjithë ky diversion i Beogradit në Kosovë është pasojë e
bashkëpunimit të boshtit Tiranë – Prishtinë – Beograd, bashkëpunim që i
dha Serbisë kredite në aspektin ndërkombëtar, duke forcuar kështu
pozicionin e saj politik e diplomatic. Në këtë lojë bashkëpunimi qeveria
serbe mori mbështetjen ndërkombëtare si një “qeveri e moderuar dhe
konstruktive në rajon”. Dmth atë cilësi që e mbartën Shqipëria dhe
shqiptarët nga viti 1990 e këtej, tashmë e transferuam me kontributin
tonë e pa të drejtë te kundërshtari më i vendosur i yni, te politika dhe
qeveria e Serbisë. Edhe pse këtë qeveri e drejtojnë tre ish-ministra të
Milosheviçit, ata tashmë shihen si viktima, ndërsa shqiptarët si
problem i rajonit. Dhe kjo falë kontributeve të Tiranës dhe Prishtinës.
Ndërkaq Beogradi përfitoi njëkohësisht nga euforia jonë, nga
vetëmburrjet tona, nga vetëmashtrimet tona që na i ushqeu me ose pa
djallëzi lidershipi ynë politik e qeverisës, sidomos në Tiranë, por
nganjëherë edhe në Prishtinë. Edhe në rastin e Haradinajt apo të
ndërtimit të murit nuk munguan notat patetike folklorike të statuseve në
Tëiter apo FB me plot mburrje e me pak profesionalizëm. Aq të paditur e
të painformuar qenë ministrant tanë sa Sajmir Tahiri në letrën e tij
drejtuar Europolit e Interpolit thoshte se “Ramush Hajradinaj u arrestua
në aeroportin e Parisit”. Por asnjë fjalë për atë se çfarë duhet bërë
dhe si duhet zgjidhur konflikti! Asnjë shenjë lëndimi për palën që i
shkakton këto konflikte, murëndërtuesit e urdhërdhënësit e arrestimeve
të paligjshme e të padrejta, asnjë kritikë për Beogradin dhe lidershipin
politik të tij?!
Nga viktima të terrorit serb në Kosovë shqiptarët po kthehen
gradualisht në sytë e botës së qytetëruar si problem i Ballkanit.
Sigurisht që në Beograd e kanë një plan veprimi për këtë lloj diversioni
kundër nesh, maje edhe në Moskë dhe kryeqytete të tjera të Ballkanit.
Por gjithashtu ne shqiptarëve, nën frymëzimin e politikës, na pëlqen të
shesim p…rdhë edhe atëherë kur dështojmë. Nuk na pëlqen e vërteta kur
dështojmë dhe tundim flamurin e fitores me tepri kur arrijmë ndonjë
sukses të rastit. Mungesë kulture, maturie dhe mençurie!
Beogradi ia ka arritur që politika shqiptare të merret me veten e jo me
problemet e shtetit e të shtetësisë. Grindjet dhe konfliktet politike në
Tiranë dhe në Prishtinë janë të shkallës më të lartë të mundëshme e si
të tilla ato ndihëmojnë ose së paku lehtësojnë në maksimum implementimin
e skemës së Serbisë për ndarjen e Kosovës. Ne nuk kemi parë deri tani
ndonjë program politik e më të gjerë se politik, kombëtar, për t’iu
kundërvënë strategjisë së ndarjes së territorit. Parlamentet shqiptare
zihen e depatojnë për gjithçka, por jo edhe për rrezikun e copëtimit të
territorit. Në takimet e shumta midis lidershipit shqiptar të Prishtinës
e Tiranës apo me lidershipin e Beogradit është folur për gjithçka, po
asnjëherë për të demantuar projektin e Beogradit për ndarjen e Kosovës.
Në mediat shqiptare kjo temë gati është eleminuar nga elaborimi i saj
për shkak të ndikimit të politikave të ditës dhe përparësisë që kanë
grindjet e konfliktet politike ndërpartiake. Të qenit partizan i një
partie është lehtësi e jashtëzakonshme për Serbinë dhe politikën e saj
antishqiptare. Militantët partiakë mëkohën ideologjikisht me interesat e
partive dhe jo me interesat e kombit e të atdheut.
Ndërkaq politika shqiptare si gjithnjë e adresoi kritikën e saj të
Bashkimi Europian, në vend që të shohë vetëveten dhe operacionet serbe
për një ndarje tjetër të territorit shqiptar. Të korruptuar deri në
kockë, të papërgjegjshëm për interesat vendit e të kombit që
përfaqësojnë, politikanët shqiptarë e kanë shumë më vështirë të
bisedojnë sinqerisht me njëri-tjetrin, sesa me politikanët e Serbisë.
Kështu ka ndodhur gjithmonë me politikën tonë, në kohën e Pashiqit, të
Rankoviçit, të Milosheviçit, Tadiçit e sot të Vuçiçit!!!
Paradoks tipik shqiptar i sponsorizuar prej Serbisë dhe armiqve të
tjerë të shqiptarëve, por jo prej Europës, të cilën politika zyrtare e
ka kaq inat! Përkundrazi, europianët dhe amerikanët kanë dhënë porosi të
qartë që politika shqiptare të “vendosë interesat kombëtare mbi
interesat parciale e personale”. Por është e vetmja këshillë, që këtyre
tanëve nuk iu pëlqen. Të zhytur në korrupsion dhe në një garë të ethshme
pasurimi për të fituar ose për të zgjatur jetën në pushtet, politika
jonë në Tiranë dhe në Prishtinë nuk e ka mendjen te atdheu e te kombi,
as te rreziku i ndarjes së Kosovës.
Ne shqiptarët nuk e kemi konfliktin me Europën, aq me pak më
Amerikën, e kemi me veten! Kur ta kuptojmë këtë, do të fillojmë të
bëhemi shtet e komb i civilizuar dhe i merituar, krenar dhe dinjitoz.
Prandaj ne duhet të kemi projektet tona në përballje me projektet
shkatërruese të Serbisë kundër nesh, para së gjithash për të mbrojtur
territoret tona. Historikisht konflikti ynë me Serbinë është zhvilluar
si konflikt për territore dhe për këtë arësye ne duhet t’i përgjigjemi
dialogut me Beogradin vetëm atëherë kur të jepen garanci se qeveritë
serbe kanë hequr dorë nga pretendimet për territore shqiptare.
Megjithëse kushtetuta serbe e rivendikon territorin shqiptar, ne bëhemi
patericë e përpjekjeve të Beogradit për të na zhvatur pasuritë e
territoret tona.
Aktualish Serbia ka nevojë të ngutet në projektin e ndarjes së
Kosovës. Presioni ndaj saj për të dakortësuar pranimin e Kosovës në OKB
është një nga arësyet e ngutjes serbe. Angjela Merkel e bëri përsëri të
ditur se Serbia nuk mund të pranohet në BE pa rënë dakord për
anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ky presion është i mjaftueshëm që
Beogradi të nxitojë me skenarin e ndarjes së veriut të Mitrovicës dhe
miniskenarët e trazimit të ujërave në Kosovë, qofshin këto dhe në formën
e një testi, për të provuar sa të vendosur jemi në rrugën tonë të
lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit. Ndërkaq lidershipi shqiptar e
kërkon kokrrën në filxhanin e gabuar, i hakërrehet Europës. Këtë e bëri
në rastin e Haradinajt zoti Rama dhe e përsëriti dje ministri i Jashtëm,
Ditmir Bushati. Kurse zoti Meta beson se e zgjidhë problemin e
Haradinajt me një letër që do t’ia drejtojë kryetares së parlamentit të
Serbisë. Naivitet ose jo, kjo është sikur të besosh se kryetarja serbe e
parlamentit të ketë marrë teseren e LSI-së.
Dhe më së fundi, do të duhet të vijmë tek një konstatim i
trishtueshëm: Ambasadorja gjermane në Prishtinë tha para pak ditësh se
“Kosova po i humbet miqtë e saj”! Kur thuhet Kosova, do të thotë që
shqiptarët po i humbasin miqtë që fituan në fundin e shekullit të
kaluar. Kjo do të thotë se miqtë tanë po i fitojnë kundërshtarët tanë,
në rastin konkret Serbia. Edhe pse e drejta është në anën tonë, edhe pse
Serbia është e akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve, edhe pse në
Beograd thuren skenarë antiperendimorë dhe ftohet Rusia të jetë partner
strategjik i Serbisë, përsëri ajo fiton terren në raportet e saj me
Perendimin dhe në këtë masë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët humbasin
besimin e Perendimit. T’i falemi Zotit që u bëmë anëtarë të NATO-s në
një kohë tjetër, se në ditët e sotme do të ishin vështirësuar aq shumë
proceset, sa të vihej në diskutim edhe kjo.
Po pse shqiptarët po i humbasin miqtë e tyre në Perendim?
1. Një artikull i të hënës së shkuar në revistën prestigjioze
gjermane “Der Spiegel” mbyllej duke përmendur orientimin pro Erdogan të
qeverisë shqiptare, duke vënë shenjën e barazimit me përgjegjësitë e
Beogradit për orientimin e tij prorus. Nuk është kjo një kritikë e
thjeshtë gjeopolitike ose gjeostrategjike, sepse askush nuk prêt që
shqiptarët dhe turqit të shihen si armiq midis tyre. Kjo është një
kambanë sepse po bashkëpunojnë dy oligarkitë e të dy vendeve dhe se ky
bashkëpunim nuk ka të bëjë me vlerat perendimore të sistemit demokratik,
të cilin ne duam ta ndërtojmë.
2. Korrupsioni është problem madhor te elitat politike dhe lidershipi
ynë, si në Tiranë edhe në Prishtinë. Korrupsoni ka prodhuar krim e
bashkëpunim me krimin, derisa është inkriminuar edhe parlamenti. Kjo ka
bërë që drejtimi i shtetit në të dy vendet tona të orientohet nga
sistemi autoritar e oligarkik i qeverisjes, një sinjal ky i rrezikshëm
për fatet e Kosovës dhe tërësisë së saj territoriale. Të korruptuarit në
Prishtinë e në Tiranë kanë menduar se duke u afruar me Beogradin, pa
marrë parasysh dëmet që u shkaktohen shqiptarëve, do të mund të fitojnë
heshtjen e Perendimit sa i përket parave të pista r pasurive të
paligjshme që elita politike menaxhon. Ndërsa mbushja e parlamenteve
tona me deputetë kriminelë e të korruptuar në palcë, është një sinjal i
qartë për perendimin, se “me shqiptarët është vështirë të merresh”.
Mjafton ky përceptim që t’i largosh miqtë e shqiptarëve nga mbështetja
për interesat tona.
3. Perendimi ka bërë vazhdimisht thirrje për bashkëpunim të faktorit
politik shqiptar, ndërkohë që ne e transferojmë sherrin tonë të
brendshëm në Bruksel, Uashington, Berlin, apo Vjenë. Kjo sjellje
adoleshentësh është e mjaftueshme që të humbasim besimin te partnerët
tanë perendimorë.
4. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, nuk hezitojmë të sulmojmë me
kritika të ashpra Bashkimin Europian e në mënyrë të tërthortë edhe
SHBA-të. Për të mos folur për mosmirënjohjen që na karakterizon sa i
përket kontributeve që ka dhënë NATO e Perendimi për lirinë, pavarësinë e
demokracinë te shqiptarët?! Kjo mosmirënjohje është e dukshme, e
prekshme dhe vjen për shkak të egoizmit të shfrenuar, në radhë të parë
të politikës, por edhe të qytetarëve shqiptarë.
Tiranë, më 10.01.2017
/Oranews.tv/