Saturday, February 4, 2017

Rojet bregdetare greke ndjekin skafistët, kapet gomonia me 2 tonë hashash

 

Marina detare greke dhe anije të misionit FRONTEX kanë parandaluar trafikimin e një sasie prej më shumë se 2 tonelata kanabis nga Shqipëria drejt Italisë me një motoskaf.

Operacioni për bllokimin e kësaj linje trafiku ka nisur rreth orës 14 të së premtes, pas sinjalizimit të agjencisë FRONTEX, që kishte informacion se trafikantët shqiptarë do të lëviznin drejt Italisë sasi të mëdha lëndësh narkotike.

Në lëvizje janë vënë shërbimet e Antidrogës nga disa shtete europiane, të cilat, të koordinuara nga marina greke janë angazhuar me një helikopter, avionë të vegjël dhe mjete lundruese.

Sapo është lokalizuar skafi i nisur nga Shqipëria, që lëvizte me shpejtësi drejt brigjeve veriore të Korfuzit, forcat detare nga Greqia, Norvegjia dhe Ukraina janë vënë në ndjekje të tij, e cila ka zgjatur 6 orë.

Tre trafikantët që ndodheshin në bord, pasi i kanë vënë re mjetet lundruese kanë ndërruar kurs kur ndodheshin në afërsi të ishullit të Othonit dhe janë drejtuar për në brigjet shqiptare.

Ndjekja ka vijuar edhe në ujërat tona, pasi është marrë leja nga autoritetet shqiptare. Por trafikantët kanë arritur të hedhin në det një pjesë të madhe të ngarkesës dhe pasi kanë përplasur motoskafin në brigjet shkëmbore të Karaburunit kanë arritur të largohen, duke përfituar nga errësira.

Në vijim të aksionit, forcat e marinës greke kanë mbledhur deri në 110 thasë me lëndë narkotike, ndërsa ato të marinës italiane rreth 12 të tjerë, me një peshë totale prej 2 tonë kanabis. Ndërkohë, skafi me 4 motorë është rimorkiuar dhe është çuar në Korfuz, ku po koordinohen dhe hetimet mbi këtë rast.

Antidroga greke, në bashkëpunim me kolegët shqiptarë po vazhdon kërkimet për kapjen e tre trafikantëve që ndodheshin në motoskaf, si dhe për rekuperimin e sasisë së mbetur të lëndëve narkotike.

Po ashtu, gjatë këtij operacioni, në perëndim të Sazanit është kapur edhe një gomone e cila dyshohet se vinte nga Italia për t’u ngarkuar me lëndë narkotike në vendin tonë.

Në bordin e gomones janë ndaluar shtetasi shqiptar A.Gj, 54 vjeç nga Vlora dhe shtetasi italian F.P, 39 vjeç nga Brindizi. Policia po punon për kapjen e personave të larguar dhe zbardhjen e mëtejshme të  dy rasteve.

/ Top Channel

No comments: