Wednesday, October 18, 2017

LLUMI I PARAVE TË PISTA, PO ZË KORE - OPINION NGA PLATOR NESTURI


Publikuar më: 17-10-2017

 Nga Plator Nesturi
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ardhja e ekspertëve të FBI-t në Tiranë, gjatë muajit nëntor, lajm të cilin e bëri të ditur vetë kryeministri Rama gjatë seancës parlamentare, dëshmoi se tashmë e kemi një shans të ndalim krimin, pastrimin e parave të pista dhe korrupsionin galopant. Shans dhe për të vënë rregull, në një vend që mbeti rrugëve të tranzicionit, nga ku, më së paku, nuk ka as stabilitet ligjor, pasi dhe ato ndryshojnë në varësi të interesave të shumicës që krijohet pas çdo palë zgjedhjeve. Duket se është e vetmja shpresë, nga ku mbikëqyrja e ekspertëve të huaj, të imponojë zbatim të ligjit mbi çdokënd, jo si deri më tani ku shoqëria ndahet në dy shtresa, në të paprekshmit dhe masa e qytetarëve të thjeshtë.

Vetë zyrtarët tanë më të lartë, duket se e pranojnë si fakt se mbeten të pafuqishëm, që ky transformim të kryhet nga vetë ne. Ministri Xhafaj detyrohet të përmendë se, një pjesë e policisë, ka qenë bashkëpunëtore me krimin e trafikun dhe për këtë premton ndryshime drastike. Por dhe për ata që mbeten, këshilla e ministrit të Brendshëm, është të mos punojnë me dy standarde, - të qullët ndaj krimit e trafikantëve dhe të ashpër me qytetarin.

Për ta çuar më tej panoramën e rëndë të kriminalizimit, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj, jep një shifër tjetër tronditëse.

"Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, ka bërë një punë shumë të mirë, sa i takon bllokimit të pasurive të dyshuara që rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Janë 60 milionë euro pasuri të bllokuara nga ky institucion".

60 milionë euro në katër vjet, që vijnë nga aktivitete kriminale, nga financimi i terrorizmit dhe korrupsionit.  Kjo është shifra më e madhe e bllokuar në gjithë këto vite, por duket se diçka nuk shkon. Në çdo rast tjetër, ky do të quhej një sukses i madh dhe tregues i luftës pa kompromis ndaj kriminalizimit të ekonomisë. Fakti që nuk po bëhet shumë bujë, dëshmon se kjo shifër është thjesht një cifël e vogël dhe se ndoshta, ardhja e ekspertëve të huaj, në mbështetje të luftës së krimit dhe korrupsionit, mund të përshfaqë shifra shumë më tronditëse të parave që qarkullon krimi dhe zyrtarët e korruptuar. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave vërtet mund të këtë bërë një punë më të evidentuar në këtë periudhë, por kjo duket si parapritë për daljen e zullumeve më të mëdha më vonë, me vënien në funksion të vetingut dhe krijimit të Byrosë së Hetimit. Pasi siç doli edhe në media, vetë një nga ish-drejtuesit e pastrimit të parave, doli me një sipërfaqe prej 11 mijë metrash në Dhërmi.

Pavarësisht se vëmendja më e madhe në deklaratën e ish-ministres Felaj, e mori fakti se në këto transaksione të bllokuara, përfshiheshin edhe gjykatës e prokurorë, për të cilët materialet janë depozituar te prokuroria e Krimeve të Rënda apo në polici, çështja është më e thellë në problematikën e vet. Pasi në raport, bëhet fjalë dhe për transaksione që financojnë terrorizmin, çka duhet të na vërë në alarm. Krimi dhe terrorizmi shpesh, gjejnë pika të kollajta takimi.

Paratë e sekuestruara nga aktiviteti kriminal, nuk janë ato që kanë të bëjnë me njerëzit e rrugës e me krimin ordiner. Janë pará që tashmë, janë investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe që me ligjet e reja, mund të marrin edhe statusin e investitorit strategjik për ndërtim resortesh turistikë, nëse paraqesin një projekt me vlerën e 5 milionë eurove për ndërtim. Ky është fakti që janë qytetarët e thjeshtë të cilët dëshirojnë të largohen nga vendi. Krimi dhe ekonomitë e kriminalizuara, janë në parajsën e tyre dhe s'kanë pse largohen nga ky vend. Ky vend, tashmë, po blihet prej parave të krimit. Të krimit qoftë si trafikantë, ashtu dhe si të korruptuar, pasi në të dyja rastet, janë në shkelje të rëndë të ligjeve dhe funksionimit normal të shtetit. Dhe për këtë, mjafton të ndiqen emisionet informative, kur të kërkuar apo të dënuar nga drejtësia e vendeve europiane, në median shqiptare cilësohen si biznesmenë të fuqishëm. Prezantim të bukur i bëjmë vetes! Llumi po zë kore, aty ku deri më parë ishin ujëra kënete! Por kjo nuk e ndryshon situatën, pasi mund të rrezikojmë si shtet e shoqëri të thithemi e të zhytemi më tej, në këtë baltovinë nga s’do mund të dalim më!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

No comments: