Wednesday, November 15, 2017

Pazaret e Sali Berishës që po mbron Edi Rama në kurriz të shqiptarëve


Samir Mane i vuri në rresht ministrat e Ramës, aferat e tjera të Berishës që po rrënojnë shtetin

Pazaret e Sali Berishës që po mbron Edi Rama në kurriz të shqiptarëve

Gjergj Zefi

Gjatë katër viteve të fundit, shqiptarët e larguan dy herë me votë Sali Berishën nga dera, por Edi Rama e riktheu nga dritarja. Dinastia politike-ekonomike Berisha, edhe pse në një formë më të sofistikuar dhe të maskuar, vijon të fuqizohet me djersën e taksapaguesve shqiptarë ashtu si para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, kur shumica votuesve shprehën vullnetin për ta shembur. Rotacioni politik është një iluzion. Rotacioni politik konsiston vetëm në ndryshimin e ngjyrës, pasi e njëjta kastë vijon të përvetësojë paratë dhe pasuritë publike, me anë të koncesioneve, monopoleve, qirave, shërbimeve të ndryshme dhe favorizimeve të llojllojshme. Të njëjtët klientë hapin dyert e ministrive dhe kanalizojnë paratë në xhepat e tyre. Erdhi në pushtet në 2013 dhe u rikonfirmua në 2017, me premtimin madhor për ndëshkimin e korrupsionit dhe prerjen e fijeve të interesave financiare të qeverisë së mëparshme, por Edi Rama ka vijuar, zhvilluar dhe mbrojtur me fanatizëm pazaret e paraardhësit të tij Sali Berisha. Çuditërisht, ai që duhej ndëshkuar, sot kërkon ndëshkimin e Ramës, ndërsa vijon qetësisht të pasurohet.

Gjithçka në shërbim të Samir Manes. Edi Rama jo vetëm mbrojti koncesionet dhe monopolet që Sali Berisha i dha Samir Manes, por i fuqizoi ato. Samir Manen e gjen kudo ku ka para. Aktiviteti i tij shtrihet në shumë fusha, duke përfshirë edhe elektroshtëpiaket. Qeveria Rama mbrojti një ligj klientelist që miratoi qeveria Berisha për elektroshtëpiaket, i cili favorizonte biznesin e Manes.

Ligji i “Për pajisjet elektroshtëpiake dhe ato nën presion”, godiste me gjoba dhe taksa të larta pajisjet e përdoruara, për t’i rritur gjiron biznesit të Manes me pajisjet e reja. Me mbështetjen e qeverisë Berisha, Samir Mane hyri edhe në sektorin e minierave.

Mane bleu shoqërinë koncesionare të shfrytëzimit të kromit, “Albanian Chrome” (ACR), e cila operonte në minierën e Bulqizës, si dhe kishte fabrikat e pasurimit dhe përpunimit të ferrokromit në Burrel e Elbasan. Kjo kompani është favorizuar nga Genc Ruli, por kjo është një histori abuzimi më vete. Me hyrjen e Manes në biznesin e kromit, qeveria Rama nuk foli më për katastrofën në Bulqizë.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Me hyrjen e Manes në miniera, Sali Berisha miratoi vendimin nr. 671, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa në vendimin nr. 180, datë 13.2.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e listës së makinerive e të pajisjeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe të procedurave të përjashtimeve e të kritereve përkatëse”. Vendimi listonte një sërë makinerish dhe pajisjesh të cilat përjashtoheshin nga taksa. Qeveria Rama hesht për këtë favorizim të hapur të oligarkut Mane.

Me një vendim që mban datën 1 gusht të 2012, qeveria Berisha i dha me koncesion Samir Manes plazhin e Dhërmiut dhe Plazhin e Perivollit, duke diktuar paraprakisht kompaninë e tij si fituese. Çfarë bëri Edi Rama?

Edi Rama, jo vetëm nuk e rishikoi këtë vendim, por sapo erdhi në pushtet i dha Samir Manes leje për ndërtimin e një fshati turistik në Dhërmi.

Më vonë, në vitin 2016, me një vendim të posaçëm, Rama i dha Samir Manes me koncesion për 20 vjet bregdetin e Gjirit të Lalzit, Hamallajt dhe Palasës.

Vendimi i dha për përdorim të brigjeve për dy projekte investuese “New Born” dhe “Green Coast” të biznesmenit Samir Mane, përkundrejt pagesës së tarifës 100 lekë/m2 në muaj.

Në shërbim të interesave të Manes u vunë edhe projektet infrastrukturore. Unaza e Madhe e Tiranës u ndërtuar qëllimisht deri tek qendra tregtare e Samir Manes. Prej vitesh unaza është bllokuar aty. Ajo shërben thjeshtë për çuar njerëzit tek kjo qendër. Vendimi për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, nga Filologjiku te qendra tregtare e Samir Manes, Teg, është një tjetër vendim klientelist i miratuar nga qeveria Berisha, për të cilin qeveria Rama nuk flet më.

Para se të largoheshin nga pushteti, Sali Berisha dhe Ridvan Bode e shitën për tre milionë euro Llotarinë Kombëtare. Në mënyrë jo transparente dhe me urgjencë, dyshja në fjalë nënshkruan një kontratë monopol me 10 vjet. Edi Rama dhe të tijtë u betuan se do ta rrëzonin këtë monopol sa po të vitin në pushtet. Prej katër vitesh, asnjë ministër apo deputet socialist nuk guxon të flasë për këtë çështje.

Koncesioni i pullave fiskale të produkteve të tregut është tjetër koncesion që vijon të çojë para në xhepat e klientëve të Sali Berishës, nën hundën e qeverisë Rama. Para se të ikin nga pushteti, Sali Berisha dhe Ridvan Bode dhanë këtë koncesion, sipas të cilit nuk ka të drejtë asnjë firmë tjetër të operojë me pulla fiskale në tregun shqiptar. Nga ky biznes, njerëzit e Berishës përfitojnë 15 milionë euro në vit.

Koncesioni i ngjyruesve të karburanteve, një tjetër skandal i qeverisë Berisha me pasoja të rënda në buxhetin e shqiptarëve, po mbrohet në heshtje nga kjo qeveri. Nga ky koncesion, një mik i Sali Berishës, fiton 200 milionë euro. Bëhet fjalë për koncesionin e ngjyrosjes së naftës për konsum tregu masiv, nëpërmjet të cilit çmimi i naftës u rrit deri në 5 lekë për litër. Dy kompani private markojnë naftën në Shqipëri për 10 vjet janë “Global Fluids International”, s. a., dhe “Petroleum Consulting Partners”, A.G.

Kjo qeveri po mbron në heshtje edhe koncesionin mafioz të Portit të Durrësit. Sali Berisha dhe Ridvan Bode, para se të largoheshin nga pushteti, e shitën Portin e Durrësit për 3.2 milionë euro, pasi kishin investuar për modernizimin e këtij porti një shumë prej 60 milionë euro. Qeveria Rama nuk flet më as për shitjen dhe faljen e pronave të ushtrisë nga Arben Imami. Një nga pronat e mori dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, si trashëgimtar. Bëhet fjalë për ish-klubin Partizani.

Qeveria Rama vijon të mbrojë monopolin e kolaudimit të automjeteve, monopolin e fluturimeve dhe monopolin e naftës. Qeveria Rama, duke tradhtuar besimin e shqiptarëve, nuk flet më as për qindra hidrocentrale të dhëna me koncesion nga Sali Berisha dhe as për shitjen e vendburimeve të naftës.

Edi Rama, çuditërisht, vijon të respektojë kontratat e qeverisë Berisha për dhënien e objekteve dhe pronave shtetërore me qira, me shuma qesharake, klientëve të Partisë Demokratike. Kjo qeveri nuk ka bërë dhe nuk po bën asgjë për portet dhe muzetë që janë dhënë me qira nga Berisha-Bode, për tjetërsimin e uzinës së Gramshit, për lejet e dyshimta për centralet elektrike, për përvetësimin e parqeve dhe zonave të mbrojtura, për bizneset e gëlqeres, për kontratat e Berishës për shkatërrimin e maleve për gëlqere dhe çimento etj. Secili rast i përmendur është një histori më vetë abuzimi.

E njëjta gjë po ndodh edhe me tenderat. Klientët e Sali Berishës dhe financuesit e fushatave të Lulzim Bashës po marrin tenderat e majmë nga pushteti qendror dhe vendor, por kjo do të jetë objekt i një tjetër artikulli./Pamfleti.com

No comments: