Wednesday, March 1, 2017

Në Tiranën e dy protestave

ne-tiranen-e-dy-protestave

Plator Nesturi

Ky shkrim është shkruar, posaçërisht, për Albanian Free Press

Në Tiranë po zhvillohen dy protesta. Njëra në çadër në mes të bulevardit dhe tjetra e shtrirë mes ca kartonëve të mjerë, në shkallët e ministrisë së Energjetikës. Ndërkohë, në të gjithë Shqipërinë, janë dhe nja 30 protesta të tjera për çështje shpërblime përmbytjesh, shtetëzime të papaguara për rrugë, probleme komunitetesh me hidrocentralet e rinj që shmangin ujin e bllokojnë vaditjet, e shumë çështje të tjera që, gjithsesi, mbeten të paditura për opinionin publik, pasi media qëndron larg. Në bulevard, opozita e ka goxha të madhe çadrën, por që, ende, është në pritje të mbushjes së mëtejshme të saj me protestues. Për të realizuar kërkesën për qeveri teknike, duhet jo vetëm të bësh thirrje për protestë popullore, por dhe të krijosh besim. Është, pikërisht, mungesa e besimit që banorët e Zharrëzës kanë ndaj gjithë klasës politike që pas një marshimi 130 kilometrash si refugjatë ne vendin e tyre, të zënë hyrjen e ministrisë së Energjetikës me protestën e tyre sublime.

Fryma e pakënaqësisë nuk është e pakët në një vend si Shqipëria, ku tranzicioni nuk ka fund dhe ku padrejtësitë nga gjykatat, korrupsioni dhe abuzivizmi me pushtetin, kanë krijuar hendeqe të thella dhe pabarazi të theksuar sociale. Të gjitha këto rrëkeza të vogla protestash, mund të shndërroheshin në një lumë të madh proteste, porse kjo nuk ka ndodhur, përderisa çadra e opozitës ka mbetur gjysmë bosh. Është rrëzuar besimi kur në podium ngrihen folës që tundin të njëjtët flamuj politikë, që në 27 vite u kanë shpërdoruar votën dhe shpresat njerëzve të thjeshtë. Dhe kjo ndodh ndërsa vetë Europa, me më pak probleme se ne, ndodhet në një valë të ethshme ndryshimi elitash.

Fryma e re europiane, si lëvizje qytetare që kërkon ndryshime thelbësore, po shtrihet në të gjithë Europën. Si një kundërvënie ndaj kastave politike dhe ekonomike e që shpesh janë të ndërthurura si pakënaqësi, për lehtësinë se si u kanë hedhur barrën e krizës në shpinë të qytetarëve, e së fundmi, si ngritje krye prej fyerjes nga arroganca e demagogjisë mbi reforma rritjeje, por që askush nuk i ndien. Në këtë furtunë që sa vjen e forcohet në këto muaj dimri, nuk kursehen as ata liderë që deri pak kohë më parë, ishin parë si shpresa e ndryshimit, e efikasitetit të qeverisjes dhe rritjes ekonomike. Renzi ishte viktima më e freskët. Para tij, britaniku Cameron. Presidenti francez Holland u tërhoq nga gara presidenciale, ndërsa nëpër Europë, surprizat duket se sa kanë nisur. Jo vetëm për vendet që do kenë zgjedhjet së afërmi si Gjermani, Francë e Austri, por dhe më gjerë. Spanja, Greqia, Portugalia e vende të ish-bllokut Lindor, kanë mazhoranca të brishta e ku zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një mundësi e ofruar si nga pakënaqësitë e brendshme, ashtu dhe si trysnisë çfarë po ndodh në kontinent. Liderët e modelit Renzi, duken me të rrezikuarit. Elokuentë, dinamikë, me qëndrime plot sportivitet në kontrast me seriozitetin gri të modelit të politikanit klasik, dikur rrezatonin shpresë, por e gjitha kjo u shndërrua në bumerang si rezultat i humbjes së besueshmërisë.

Ndryshimet në Europë, gjithmonë në Shqipëri kanë ardhur si një valë e vonuar. Por përherë, kanë mbërritur në brigjet tona. Edhe këtu qytetari ndihet i harruar, i lodhur nga çdo prurje politike që i ka premtuar së pari ndryshim, shtet ligjor e bum ekonomik. I është vrarë shpresa, ndaj synon të ikë, diku jashtë, sepse sheh që atje, në Europë, edhe kur punët shkojnë keq, vetë qytetarët imponojnë ndryshim pushtetarësh që u kanë dalë fjale. Të pafuqishëm ndaj pushtetarësh që kanë shumëfish zullume ndaj të metave të homologëve europianë, tashmë, kanë zgjedhur të ikin nga sytë këmbët. Por jo të gjithë do të mundin. Ndaj vjen një ditë që dikush duhet të lirojë skenën. Ose populli të gjejë një atdhe tjetër, ose kjo kastë e ardhur në emër të ndryshimit, të largohet. Një popull që po vuan në zgrip të mbijetesës, nuk mund të ngopet me idenë se zgjidhja e problemeve dhe ndryshimi i madh do të arrihet vetëm me shembjen e kalasë së krisur të drejtësisë.

No comments: