Punimet në Palasë fotografuar në shtator 2016. Foto: Lindita Çela/BIRN
Karabinatë e ndërtesave disakatëshe në bregdetin e Palasës po ngrihen
ngadalë duke u ngjitur në faqen e Malit të Çikës dhe tashmë duken që
nga qafa e Llogarasë. Plazhi me guralecë të imët dhe të bardhë, që
shtrihet në të dy krahët e deltës së lumit Palasë, është kthyer në një
kantier ndërtimi. Makinat e tonazhit të rëndë, të ngarkuara me materiale
inertesh, lënë pas shtëllunga të bardha pluhuri duke trazuar peizazhin
idilik të detit Jon.
Në plazhin dikur të virgjër, të njohur nga banorët e zonës me emrin
Dhraleo, ose Rrugët e Bardha, në 7 mars, 2014 qeveria aktuale ka
miratuar lejen e zhvillimit për resortin turistik “Green Coast” – një
kompleks vilash dhe apartamentesh me investitor grupin Balfin, i shtrirë
në një sipërfaqe prej 185 mijë metrash katrorë. (Kliko
këtu dhe
këtu për të parë vendimet e qeverisë për ndërtimet e fshatrave turistike.)
Pak kilometra më tutje, në të njëjtën datë, Këshilli Kombëtar për
Rregullimin e Territorit, i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, ka
dhënë një tjetër leje ndërtimi për një resort vilash të shtrirë në një
sipërfaqe prej 8 mijë metrash katrorë, me investitor kompaninë Eurocol
sh.p.k.
Kompleksi turistik “Green Coast,” ka marrë në vitin 2015, vlerësimin
si investim strategjik në fushën e turizmit, duke i dhënë investitorit
mbrojtje juridike nga problemet dhe pretendimet e pronësisë mbi tokën
mbi të cilën ai po ndërtohet.
Megjithatë, dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga BIRN, tregojnë që
ky resort, por edhe kompleksi i vilave i Eurocol sh.p.k, po ndërtohen
në prona të cilat janë tjetërsuar nga pronarët e ligjshëm nëpërmjet
falsifikimeve ose vendimeve të paligjshme, për të cilat strukturat më të
larta të shtetit kanë pasur dijeni të plotë.
Në momentin kur lejet e ndërtimet për resortet janë miratuar në vitin
2014, tjetërsimi i pronave në Palasë ka qenë objekt hetimi i
Prokurorisë së Vlorës dhe i Task-Forcës për Verifikimin e Ligjshmërisë
dhe Mënyrës së Tjetërsimit të Pronave të Paluajtshme Shtetërore pranë
Kryeministrisë. (
Kliko këtu për të parë konkluzionet e hetimit të Task-Forcës). (
Kliko këtu për të parë vendimin e kryeregjistruesit Ilirian Muho).
Edhe pse këto dy institucione kanë zbuluar se qindra hektarë tokë mbi
të cilat resortet po ngrihen – në pronësi të katër familjeve – janë
tjetërsuar në mënyrë të paligjshme, autoritetet nuk kanë arritur t’i
japin zgjidhje pretendimeve të tyre të ligjshme, duke hedhur dyshime mbi
premtimin e kryeministrit Edi Rama, për të zgjidhur çështjet e
pronësisë përgjatë bregdetit të jugut.
E pyetur nga BIRN mbi problemet e pronës mbi të cilën po ndërtohet
resorti “Green Coast” në bregdetin e Palasës, ministria e Ekonomisë
refuzoi të komentonte. Ndërsa, grupi Balfin, i hodhi poshtë akuzat se
prona mbi të cilën resorti po ndërtohet kishte probleme.
“Green Coast është pjesërisht pronare e truallit në zhvillim dhe për
një sipërfaqe trualli me pronësi private ka një kontratë sipërmarrje me
pronarin e tokës,” i tha BIRN zëdhënësja e kompanisë Ersi Kasmi.
Ndërkohë Eurocol Sh.p.k i tha BIRN se nuk mund të komentonte, sepse
“personi përgjegjës brenda kompanisë ishte jashtë vendit për një kohë të
pacaktuar.”
Tjetërsimi i 3 dynym tokë në 210 dynym
Punimet në Palasë fotografuar në shtator 2016. Foto: Lindita Çela/BIRN
Kiço Nina ishte 50-vjeç kur në vitin 1996, filloi të kërkonte nëpër
institucione pronat e gjyshit të tij, Foto Nina. Tani që po i afrohet të
70-tave, ai ka mundur të sigurojë vetëm një çantë të madhe me
dokumente, pa arritur ta hipotekojë pronën e trashëguar.
Në nëntor të vitit 2009, gjykata e Vlorës i njohu pronësinë fisit
Nina, mbi një sipërfaqe toke prej 4.8 hektarësh në plazhin Dhralea të
Palasës, dhe urdhëroi Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluejtshme,
ZRPP, në Vlorë ta regjistrojë atë.
Por kur Nina iu drejtua ZRPP-së për regjistrimin e pronës, ai zbuloi
se ajo ishte regjistruar në emër të një familjeje tjetër, trashëgimtarë
të bashkëfshatarit Polimer Beja.
“Kur shkojmë për të regjistruar pronën mësojmë se ajo ishte
regjistruar në emrin e Kiço Bejës që në vitin 2009, ndërsa Agjencia e
Trajtimit të Pronave refuzoi kërkesën me argumentin se ishim jashtë
afateve të shqyrtimit,” tha Nina për BIRN.
Dokumentet që BIRN disponon, tregojnë që ngjashëm me Ninën edhe tre
familje të tjera, kanë zbuluar se prona e tyre në plazhin e Palasës,
ishte regjistruar në emrin e familjes Beja dhe të katërta i janë
drejtuar Prokurorisë së Vlorës në vitin 2012, me një kallëzim për
falsifikim dokumentesh.
Sipas një raporti të Task-Forcës për Pronat në Kryeministri, në
Prokurorinë e Vlorës, kanë paraqitur kallëzim përveç Kiço Ninës, edhe
anëtarë të familjeve Ruçi, Bifsha dhe Duni, kundër shtetasit Polimer
Beja dhe përfaqësuesit të tij më prokurorë, dhëndrit Stefan Billa.
Nga procesi hetimor i kryer nga Prokuroria e Vlorës, ka rezultuar se
Polimer Beja dhe dhëndri i tij Stefan Billa, kanë falsifikuar dokumentin
e titulluar “certifikatë pronësie nga Kryepleqësia e fshatit Dhërmi,”
për tjetërsimin e pronave në Palasë. Nëpërmjet këtij dokumenti të
falsifikuar, ato kanë transformuar një pronë prej 3 dynymësh, në 210
dynym. (
Vendimi i Gjykatës mbi tjetërsimin e pronës në Palasë)
“Dokumenti…, në pikën 12 bën fjalë për një sipërfaqe prej 3 dynymësh,
ndërsa në pikën 15 për një oborr 18m x 20m, në emër të ish-pronarit
Kiço Beja, ndërkohë në të njëjtat referenca dokumenti i paraqitur në
Gjykatë dhe ZRKKP
Certifikata e pronësisë së Gent Prizrenit në vitin 2013.
Certifikata e Pronësisë në emër të Pullumb Petritaj në vitin 2013
Qarku Vlorë, pasqyron në pikën 12, të dhëna për një sipërfaqe 130
dynym dhe në pikën 15, të dhëna për një sipërfaqe 80 dynym të lidhur me
këtë pasuri,” shkruhet në raportin e Task-Forcës.
Megjithëse është provuar falsifikimi, gjykata e Shkallës së Parë në
Vlorë në vitin 2013, dhe më vonë ajo e Apelit të Vlorës në vitin 2015, i
kanë pezulluar hetimet kundër Billës dhe Bejës, me argumentin se
prokurori ka kryer hetime dhe administruar dokumente përtej afateve
procedurale.
Sipas Kiço Ninës, mbi këtë pronë të falsifikuar, e cila është
përfshirë në një seri të gjatë transaksionesh imobiliare nga viti 2009
deri në vitin 2012, sot po ndërtohet kompleksi turistik “Green Coast.”
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, në vitin 2013 kjo pronë
është regjistruar në emër të Gent Prizrenit, me 112 dynym në pronësi dhe
Pullumb Petritajt, me 71.5 dynym në pronësi.
Prizreni është një biznesmen nga Tirana, kunati i i pronarit të
grupit Balfin, Samir Mane. Ndërkohë, Pëllumb Petritaj është një shtetas
nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si pjesë e një grupi të
strukturuar kriminal në falsifikimin dhe regjistrimin e pasurive të
paluajtshme në bregdetin e Vlorës dhe të Himarës.
“Certifikata e Bejës është në vitin 2009, dhe e njëjta pronë shfaqet
në emër të [Gent] Prizrenit në vitin 2012. Këta persona që e kanë
përfituar pronën e kanë përfituar me falsifikime,” tha Nina.
Familjet Duni, Nina, Ruci, dhe Bifsha kanë kërkuar vazhdimisht
ndërhyrjen e institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, që nga
kryeprokurori Adriatik Llala e deri tek kryeministri Edi Rama, për të
zgjidhur mbivendosjet në pronave të tyre.
Nëpërmjet shkresave të njëpasnjëshme, ata venë në dijeni krerët e
institucioneve për falsifikimet e bëra dhe uzurpimin të pronës, sipas
tyre, nga kompania ndërtuese në Palasë.
Kiço Nina shprehet se tashmë e ka humbur shpresën që institucionet
shqiptare do ta zgjidhin tjetërsimin e paligjshëm të pronës së tij;
megjithatë, ai shton se sa të ketë frymë, do ta ndjekë çështjen deri në
Gjykatën e Strasburgut.
“Shkresat që kemi dërguar bien në vesh të shurdhër, por unë sa të jem
gjallë do të jetoj për të mbrojtur pronën e etërve të mi,” tha ai.
“E di që nuk do të gjej drejtësi këtu, por jam i sigurt që në institucionet ndërkombëtare po,” shtoi Nina.
Investimi strategjik
Leko Lati duke folur për BIRN. Foto: Lindita Çela/BIRN
Në fillim të tetorit të vitit 2013, kryebashkiaku i Himarës Jorgo
Goro, miratoi një leje provizore të veçantë për kompaninë zhvilluese
S.E.R.E sh.p.k dhe zbatues Mane T.C.I, me objekt “rrëthim provizor të
pronës,” për sipërfaqen e regjistruar në emër të Prizrenit dhe Petritajt
në plazhin Dhralea në Palasë.
Në lejen e lëshuar nga kryebashkiaku Goro, nënvizohet se zona është e
“pamenaxhuar” dhe se Bashkia nuk mban asnjë përgjegjësi për
vendndodhjen e saktë të pronës.
“Në rast pretendimesh të titujve të pronësisë do të bëhet pezullimi i
përkohshëm i lejes, deri në një zgjidhje përfundimtare të pronës,”
shkruhet në dokumentin e lëshuar nga bashkia Himarë.
Pa kaluar as pesë muaj nga leja vendore, në mars të vitit 2014, në të
njëjtën zonë kadastrale, nr. 1481, kryeministri Edi Rama, në cilësinë e
kryetarit të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, firmosi
lejen zhvillimore komplekse për resortin turistik “Geen Coast.”
Vendimi i Bashkisë Himarë për rrethimin e pronës në emër të kompanisë MANETCI
Me propozim të qeverisë në maj 2015, parlamenti
miratoi ligjin për investimet strategjike,
i cili i njeh këtë status projekteve në fushën e turizmit që investojnë
më shumë se 5 milionë euro dhe punësojnë të paktën 80 punëtorë.
Sipas nenit 28 të këtij ligji: “për të mundësuar zhvillimin dhe
realizimin e projekteve investuese strategjike lejohet shpronësimi për
interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private.”
Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar gjithashtu 10 vendime,
me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët
strategjik.
Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’i ofrojë
investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe
përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime
dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.
Po kështu, shteti merr përsipër veprimet ligjore për investitorët
strategjik për konsolidimin e titujve të pronësisë, duke bërë
regjistrimin fillestar të tyre në zyrat e regjistrimit të pasurive të
paluajtshme.
Projektet e grupit Balfin në fushën e turizmit ishin ndër të parat
që përfituan statusin e investimit strategjik nga Komiteti i Investimeve
Strategjike, strukturë kjo e drejtuar nga Kryeministri Rama. Projekti
“Green Coast” në Palasë ishte njeri prej tyre.
Nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, BIRN kërkoi detaje nga
ministria e Ekonomisë, për kushtet e përmbushura nga grupi Balfin për
të marrë statusin e investitorit strategjik për projektin “Green Coast”,
dhe nëse ky i fundit i kishte zgjidhur pretendimet mbi pronën në të
cilën do të ndërtohej.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ministria e Ekonomisë refuzoi
dhënien e informacionit duke nënvizuar se kompania Green Coast sh.p.k,
ka kërkuar që dokumentet e dorëzuara, si plani i biznesit, studimi i
fizibiliteti, pasqyrat financiare dhe preventivi i projektit “të mbeten
konfidenciale.”
Ndërkohë që zëdhënësi i grupit Balfin, i tha BIRN që qeveria ishte
bazuar në impaktin e projektit, në marrjen vendimit të saj për t’i dhënë
statusin e investitorit strategjik.
“Komiteti i Investimeve Strategjike gjykoi që projektet në fjalë do
të kenë një impakt pozitiv në zonën e tyre të zhvillimit, kryesisht duke
rritur numrin e te punësuarve nga banorët e zonës dhe duke rritur
fluksin e turistëve,” tha Ersi Kasmi.
Kasmi i tha BIRN se prona ku po ndërtohej kompleksi turistik “Green Coast” nuk kishte probleme me pronësinë.
“Ne nuk jemi në dijeni të banorëve që mund të pretendojnë tituj të
pronësisë, të ndryshme nga ata me të cilët jemi nën kontratë
sipërmarrje,” tha ajo. Në projektin në zonën Palasë, kompania Green
Coast, përpos pjesës për të cilën është vetë pronare e truallit në
zhvillim, Green Coast ështe zhvillues në zbatim të një kontrate
sipërmarrje më pronarin e tokës Gerian Kuka,” tha ajo. (
Kliko këtu për të parë kontratën).
Sipas dokumentave të ofruara nga kompania, po në të njëjtën zonë
kadastrale në mars të vitit 2014, rezulton pronar i një sipërfaqeje prej
130,000 m2 në Dhralea të Palasës.
Megjithatë, familjet Nina, Ruci, Bifsha dhe Duni, të cilët kanë rënë pre e falsifikimeve, thonë që e vërteta është ndryshe.
Familjet që prej vitesh sfidojnë tjetërsimin e pronës së tyre në
Palasë, i thanë BIRN se përfaqësues të kompanisë së ndërtimit të
resortit “Green Coast”, kanë kontaktuar me ta për të arritur një
marrëveshje bashkëpunimi, edhe pse ata nuk kanë arritur ta regjistrojnë
pronën e tyre ende.
Trashëgimtarëve të familjes Ruci u është ofruar një kontratë
bashkëpunimi në fillim të vitit 2014, para se qeveria ta cilësonte
projektin si investim strategjik. Që në krye të draft-kontratës ata
njihen si pronar të ligjshëm, të cilët nuk kanë mundur ta regjistrojnë
pronën për shkak se ajo ndodhet në proces administrativ në Agjencinë e
Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Kompania i ofron 20 për qind si koeficent përfitimi, me kusht që pronarët të zgjidhin çështjen e pronësisë.
Jako Ruci thotë se nuk ka pranuar ta nënshkruaj marrëveshjen e
bashkëpunimit me kompaninë “Green Coast,” e cila ka marrë dhe lejen
për ndërtimin e resortit turistik.
“Ne nuk pranuam të firmosnim, pasi qëllimi kryesor i kësaj
marrëveshje nuk ishte që të binim dakort, por që nëpërmjet nënshkrimit
të saj ne të hiqnim dorë nga e drejta për të kërkuar pronën tonë,” tha
Ruci.
Kiço Nina është i një mendje, duke nënvizuar që oferta që është bërë nga investitori, nuk ishte në favor të pronarëve.
“Na kërkonin pronën me çmime qesharake, me kusht që ne të hiqnim dorë nga e drejta e pronësisë,” tha Nina për BIRN. (
Kliko këtu për të parë letrën e familjeve drejtuar kryeministrit).
Të tjera abuzime me fshatrat turistik në Palasë
Leko Lati ka afërsisht dy dekada që kërkon pronësinë e një sipërfaqe
toke të trashëguar, në zonën që banorët e Dhërmiut e njohin si fusha e
Simo Latit, në plazhin Dhraleo.
Në vitin 1998, ai siguron një vendim gjykate që e njeh si pronar të
një parcele prej 4.2 hektarësh kullotë në Palasë. Në vitin 2006,
Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njeh pronësinë mbi 2.2
hektarë të kësaj prone, ndërsa vendimi thotë se pjesa tjetër do t’i
kompensohet.
Por kur shkon të apelojë vendimin e AKKP-së, zbulon se toka ishte regjistruar në emër të pronarëve të tjerë.
“Në këtë kohë, teksa po përgatisja të apeloja vendimin e Komisionit
të Kthimit të Pronave, pasi prona ishte e lirë dhe nuk kishte arsye të
kompensohej, mësoj se ajo ishte e regjistruar tek persona të tretë. Sot
që po flasim ka katër palë që janë mbivendosur për të njëjtën titull
pronësie, shtoji kësaj dhe një vendim qeverie për zhvillimin e një
resorti turistik,” i tha Lati BIRN.
Sipas Leko Latit, abuzimet me pronën e tij nisin në vitin 2001, ku
një vendim i ish kryeministrit Ilir Meta, urdhëron regjistrimin e
sipërfaqeve të trojeve ku janë kryer investime nga shoqëritë huamarrëse
të falimentuara.
Vendimi përfshin dhe pronën e Leko Latit, ku sipas qeverisë, shoqëria
huamarrëse Kamberi kishte ndërtuar një objekt turistik, në një
sipërfaqe prej 20,000 m2, me një vlerë prej 60 milion lekësh.
Pas këtij vendimi, kjo pronë e cila nuk dihet se si është përfituar
nga shoqëria Kamberi, nxirret në ankand për tu shitur me 2,000 lekë
metri katror. Blerësit e parë të pronës kanë qenë 8 persona, të cilët më
pas ia shesin disa palëve të treta.
Në Prokurorinë e Vlorës, ka dhjetëra kallëzime të bëra nga Leko Lati
për pronën e tij që nga viti 1998. Në disa raste prokuroria e Vlorës ka
nisur hetime të cilat janë mbyllur me argumentin e se nuk gjendeshin
dokumentet origjinale për të provuar falsifikimet. Kallëzimi më i fundit
Latit është bërë disa javë më parë, dhe çështja është aktualisht nën
hetim.
Në vitin 2008, një vendim i qeverisë Berisha e shfuqizon vendimin e
Këshillit të Ministrave të vitit 2001, por megjithatë, përpjekjet
ligjore të Leko Latit por dhe të Bashkisë së Himarë, për të kundërshtuar
trasanksionet e shitjes së kësaj pronë janë rrëzuar me vendime gjykate.
Vendimi më i fundit nga Gjykata e Lartë në shkurt të vitit 2010, ka
hedhur poshtë kërkesë-padinë e Latit dhe atë të Këshillit Bashkiak
Himarë, për të kundërshtuar transaksionet që kanë tjetërsuar pronën e
tij.
“Shoqëria Kamberi në Dhralea nuk ka pasur asnjë pikë turistike dhe
çuditërisht këtu fillon shitja e tokës tek të tretë, dhe pse nuk ka
titull pronësie,” tha Lati. “Më pas nuk di kush e ka përfituar dhe së
fundmi mësoj se qeveria ka miratuar dhe një resort turistik në pronën
time,” shtoi ai.
Më 7 mars të vitit 2014, në tokën për të cilën Lati është endur prej
vitesh në gjykata, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit miraton
lejen zhvillimore për ndërtimin e resortit turistik të shoqërisë
Eurocol sh.p.k.
Me gjithë vendimin e fundit të qeverisë, Leko Lati i tha BIRN se nuk është i gatshëm të dorëzohet në betejën e tij për pronën.
“Unë do ta fal pronën, por jo atyre që po përpiqen të ma gllabërojnë,” tha ai.
“Unë do ia falë kishës, apo kujtdo tjetër, por jo atyre që përpiqen ta uzurpojnë duke përdorur dhe shtetin,” tha ai.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda po vijon hetimet për një
grup të strukturuar kriminal, i krijuar me qëllimin e vetëm për të
përfituar pasuri të paluajtshme në zonën bregdetare të qarkut të Vlorës.
Sipas dosjes hetimore, 33 ha tokë në Palasë të Himarës është vënë
nën sekuestro ndërsa në kërkim është shpallur Pullumb Petritaj, e nën
hetim ka dhe sërë zyrtarësh të vendor. Ky nuk është i vetmi hetim për
tjetërsimin e pronave bregdetin e jugut që ka nisur prokuroria e Vlorës.
Gjatë vitit 2013, qeveria shqiptare ka miratuar dhe 6 projkete të
tjera për ndërtimin e resorteve turistike. Sipas vendimeve të Këshillit
Kombëtar të Territorit, lejet zhvillimore janë dhënë në, Hamallaj,
Kashar, Ishëm, Velipojë, fshatin Shetaj të Durrësit, dhe Dhërmi.