Friday, January 20, 2017

Sot vjen Donald Trump; sot ndahemi nga “dje”.



Frrok Çupi/
Kanë mbetur edhe dy orë deri në ora 6.00, (12.00 në Amerikë)  kur Donald Trump do të betohet si President i 45 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ditë e sotme ka vetëm një “si shoqe”, veç datën 9 nëntor 2016, në mëngjes.
As vetë Donald Trump nuk ka ngjashmëri- ky është misioni pse ai po vjen. Të ngjashmit kishin mbushur botën dhe e mbytën në moçal. I ndryshmi Donald Trump po vjen për të ndryshuar botën. Botën e mbytën elitat; sidomos të majtat e quajtura liberale. Bota shkoi para murit dhe prandaj vendosi të kthejë shpinën nga elitat politike dhe establishmentet “korrekte”. Donald Trump është i ndryshëm; se po të ishte si ata, atëherë bota do të ishte edhe nesër siç ishte dje…
Por sot vjen Donald Trump; sot ndahemi nga “dje”.
Pse po tremben kaq shumë njerëz dhe po predikojnë të keqen me Trump? Të parët janë naivët dhe “delet”- siç i ka quajtur ideologjia qeverisëse në Shqipëri. “Delet” nuk dinë, dhe nuk kanë mundësi dhe nuk kanë faj pse nuk dinë. Elitat liberale i kishin futur në vathën e tyre gjatë gjithë Luftës së Ftohtë dhe dy dekada pas luftës së Ftohtë. “Delet” duheshin dele të vërteta, ndryshe do të kërkonin “ndryshim” dhe do të rrezikonin establihmentin. Për shembull, elita nuk mund të tallej me popullin, ndërsa me “delet” tallet; elita nuk mund të bënte kërdinë mbi pasurinë publike dhe mbi financat familjare.
Pse tremben?
Të dytët janë ata që “mirë jam këtu ku më zuri”. Tipik është një filmaker amerikan, Michael Moore. Pas këtij edhe plot “yje” të artit amerikan. Këta mirë ishin, me cilindo; këta marrin të ardhura pa fund dhe jetojnë ekstraversion në qytetin e tyre të grindjeve. Këta ishin mirë; pse duhet të ndryshonte jeta për ata që jetojnë jashtë qytetit të tyre? Si sot 100 vjet të shkuar, në një revolucion me natyrë të kundërt, udhëheqësi Lenin i shkroi një “ylli hollivudian” të kohës, Maksim Gorkit: “ Po ç’pate more Maksim- i tha- që u more me politikë”. Sepse Gorki i kishte dhënë këshilla politike idiote.
Sot a nuk i shikoni këtu në Shqipëri një tufë idiotësh që “japin jetën” për elitën; e për çfarë? Për një parcelë drogë, për një punë diku, për një nostalgji ndaj Hoxhës…
Të tretët janë kriminelët qeveritarë, të pasuruarit me gjakun e  popujve, të fshehurit në “Panama Paper”, në kullat e Tiranës, në brigjet e Qipros, në Bankat e Zvicrës, të Lihtenshtanit dhe Davos… Pse duhej ta pranonin zotin Trump këta njerëz? Sikur ta pranonin, do të bënin krim ndaj gjenezës së tyre. Prandaj, o e pranojnë popujt për të mirën e tyre, o Trump nuk do të kishte datë 8 nëntor, as 20 Janar…
Tani Donald Trump po vjen, brenda tre orësh vjen si President i Shteteve të Bashkuara.
Pse ky president është ndryshe? Dhe pse është ai që njihnim brenda për brenda, në bisedë me vetveten?
Sepse kështu siç ka planifikuar botën vetë zoti Donald Trump, ja kështu e mendojmë brenda vetes. Që sot, Trump bën 10 ndryshime të menjëhershme në administrimin e Shteteve të Bashkuara, ku nis e ndryshon bota.
Pastaj:
Që sot ndahet e sotmja nga e djeshmja, do të thotë se hymë në një botë të re.
Rendi i vjetër po ikën, me ditën e djeshme; traktatet që datojnë Luftën e Ftohtë nuk mund të rrojnë më. Transnacionalizmi nuk mund të kthehet në tribalizëm- siç  na ka ndodhur e rrezikuar. Kombi nuk do të harrohet më. Vetë njerëzit do të bëhen rregullatorë të shtetit. Trump karakterizohet jo nga “folklori” nacionalist me trena e me “Sandër”, Trump mbart e sjell patriotizmin ekonomik dhe etnonacionalizmin.
Donals Trump nuk lexon fjalime pa fund që nga Guatemala deri në Tiranë, nga Parisi në Berlin; por lexon të drejtën e kombit para të gjithëve. Trump nuk i nënshtrohet idesë ekzistencialiste që vjen nga Lindja; dhe as eksporton demokraci “Arabe”. Administrata e vjetër e kishte kultivuar ekzistencializmin deri edhe në përplasjen mes Polonisë e Rusisë në kufi të Rusisë.
Ekzistencializmi që i vinte Perëndimit nga Jugu, me Donald Trump nuk ka shans. Miliona që vërshojnë nga Jugu e kanë vënë botën Perëndimore në pikëpyetje ekzistenciale. Globalistët alias liberalë kanë hapur dyert dhe shqyer kufijtë.
Donald Trump vjen me Doktrinën Trump: “ America First!”. Kjo nuk është nostalgji; nostalgjikët po shkojnë, që me fitoren e Trump. Doktrina e Trump është sovranitet dhe dinjitet. Që do të thotë se Amerikanët janë të shqetësuar për kufijtë e Amerikës, jo për kufijtë e Estonisë, as të Koresë së Jugut, as të Detit të Kinës Jugore. Që do të thotë se ne shqiptarët duhet të shqetësohemi për fatin tonë, për vatrën tonë, jo për atdheun me kanabis për elitën.
Kur Trump tha se NATO është “e vjetruar” , tha se kërcënimi më i madh ndaj Perëndimit nuk është rihmarrja e Krimesë nga Rusia; Kriema i përket Rusisë prej 150 vjetësh. Artikulli 5 i NATO-s thotë se “lëvizjet e Rusisë në Baltik t’i quajmë agresion kundër Amerikës… Marrëzi. Një president i arsyeshëm kurrë nuk hap luftë bërthamore botërore për arsye të Estonisë- ka thënë Trump.
As President i Luftës së Ftohtë, as president i Luftës çfarëdo…
… Se kur diplomati amerikan George Kennan bëri arkitekturën e Luftës së Ftohtë, nuk pat këshilluar që për të kontrolluar Rusinë e Stalinit të dërgojmë sot tanket në kufi me Rusinë… As për Brexit, popujt nuk pyetën elitat e korruptuara. “Popujt dhe vendet duan identitetin e tyre; edhe Britania këtë donte- identitetin e vet… kështu që po të më pyesni mua, besoj se edhe të tjerë duhet të largohen”- tha Trump javën e kaluar.
A nuk paskemi dashur të mendojmë kështu, si Trump?…
Elitat nuk po shikojnë një gjë: Rritjen e lëvizjeve kundër tyre, që tani e quajnë “lëvizje populiste”. Elitat shikojnë “dje”, jo “sot”. Sot erdhi Trump, ndahemi nga “dje”.
/Veritas.com.al

No comments: