Nëse Donald Trump do t’u përmbahet këtyre që po thotë edhe së fundmi, atëherë bota me të vërtetë që do të shohë ndryshime epokale në vitin që sapo ka hyrë. Përsëritja e disa tezave të fushatës tashmë që ai është Presidenti i zgjedhur në SHBA, provokon gjithfarë dyshimesh dhe analizash edhe pse njerëzit kryesorë që ai ka zgjedhur për departamentet kanë shfaqyr qëndrime të tjera.
Në një intervistë për gjermanen “Bild” Trump ka vlerësuar si pozitiv faktin e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, ndërkohë që këtë të fundit e ka cilësuar një instrument të dominimit gjerman për kontrollin e tregëtisë botërore. Diçka që sipas tij bie ndesh me interesat amerikane. Trump është shprehur se nuk i intereson shpërbërja e BE-së apo edhe nëse ajo vazhdon të qëndrojë në këmbë, diçka që në planin e sigurisë i jep Rusisë që ka kërkuar prej kohësh një arkitekturë të re sigurie për Europën një shkallë të re lirie. Duket se Trump ka si vizion një botë ku secili konkuron pa rregulla që nuk përfaqësojnë peshën e vërtetë. Por kjo qasje shkon kundër investimit që vetë SHBA ka bërë në dekadat e fundit sidomos në fushën e sigurisë.
Kambana bie edhe për NATO-n, të cilën ai e cilësoi “të vjetëruar” dhe që “ka probleme”.
“Është e dalë kohe së pari sepse u ideua shumë shumë vite më parë. Së dyti, vendet anëtare nuk po paguajnë që që ata duhet të paguajnë”, tha presidenti i zgjedhur i SHBA-së. Diçka që sinjalizon përmbysje të vërteta në mjedisin e sigurisë. Për këto arsye muajt e fundit po përflitet nsma për një mbrojtje europiane, diçka që vjen ndërkohë që BE-ja vuan nga kriza e ekzistencës. Për këtë të fundit, Donald Trump parashikon që “më shumë vende do të kërkojnë të dalin”. Janë deklarata që me siguri nxisin mobilizim në krahun e djathtë në disa vende ku pritet të mbahen zgjedhje. Respublica
No comments:
Post a Comment