Kriza politike që po konsumohet në trekëndëshin e tre qendrave të pushtetit me shumë gjasë do të shkojë drejt një zgjidhje që nuk do të cënojë egon e asnjë prej palëve dhe do të tejkalojë afatet Kushtetuese, çka do të thotë skenari më i mundshëm për daljen nga kjo situatë është ai i shtyrjes së datës së zgjedhjeve të dekretuara nga presidenti më 18 Qershor.
Vendimi i opozitës për të thirrur qytetarët në një rezistencë paqësore me ultimatumin për qeveri teknike nuk gjeti mbështetje të gjerë popullore dhe kësisoj as trajtimin me seriozitet nga qeveria, e cila megjithatë po ekspozohet tek partnerët për injorimin ndaj kërkesave të opozitës, përveç raporteve që ekzekutivi ka me inkriminimin e parlamentit dhe pushtetit vendor.
Shqipëria ka plot probleme dhe arsye për të protestuar dhe kjo mban në këmbë një protestë partiake për zgjedhje të lira e të ndershme që paradoksalisht udhëhiqet nga Sali Berisha, person që në raport me votën ka rekorde shumë problematike.
Tensioni mbetet lart në qendrat e pushtetit, (Berisha-Meta-Rama) paçka se Lulzim Basha u përpoq ta përcillte edhe poshtë, duke kërkuar nga qytetarët të reagojnë dhunshëm ndaj funksionarëve publikë.
Retorika ka kaluar tashmë në kërcënime personale, ku flitet për dosje të dorëzuar për Ilir Metën në ambasadën amerikane, video të pushtetarëve socialistë në hotelin Santa Quaranta të Kelmend Balilit.
"Vetëm për CEZ-in ke 35 vjet burg. Edvin, i ke ditët e numëruara! Më mirë dorëzohu, më mirë prano qeveri teknike, hapi rrugë vendit dhe të ecim përpara. Lëri përpjekjet. Ti je peng i krimit. A e dëgjuat akuzat që i bëri Saimir Tahirit të nesërmen? Tek Balili tha Tahiri, nuk jam i filmuar unë, por je ti Edi Rama, dhe absolutisht është e vërtetë"-tha dje Sali Berisha nga çadra e opozitës.
Rezistenca politike e PD-së po shoqërohet edhe me djegien e etapave për t'u regjistruar në zgjedhjet e 18 Qershorit, të cilat praktikisht janë të pamundur a të zhvillohen në atë datë, pasi procesi po "sabotohet". Nga njëra anë opozita nuk ka regjistruar Komisionerit e KZAZ-ve brenda afatit kushtetues të 6 Marsit dhe me gjasë partitë e saj nuk regjistrohen as si subjekte në garë.
18 Qershor u jep fund edhe alibive të mazhorancës për respektimin e kontratës me shqiptarët, çka krijon terrenin për një marrëveshje politike që do të vendosë shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie teknike që do të administrojnë zgjedhjet.
Respublica.al
No comments:
Post a Comment