Wednesday, March 15, 2017

Kriza vijon...

Image result for albanian crisis opposition

AFP

Kriza vijon... Nga Plator Nesturi


Ndryshimet në kabinetin qeveritar erdhën të befta, pa ndonjë shenjë të dukshme për tu cilësuar si proces i natyrshëm rifreskimi por as si reflektim nga kërkesat e opozitës në çadrën para kryeministrisë. Ndaj kushdo që mendon se largimi i katër ministrave i ka hapur rrugën gjetjes së kompromisit për të qetesuar situatën politike dhe opozita të rihyjë në Kuvend e të pranojë garimin në zgjedhje, kam frikë se do ti duhet të presë akoma. Të presë të tjera zhvillime. Pasi kriza vijon ende..

Nëse si shkak do të mendohej rifreskimi i ekipit në prag të zgjedhjes, ky do të ish një veprim i vonuar. Prej mëse një viti kryeministrit Rama i është sugjeruar të zëvendësojë një pjesë të ekipit ministror për ti dhënë një dinamikë të re qeverisjes së majtë por dhe si reflektim për kritika të shumta për sektorë të vecantë. Secili ministër u mbrojt me patos nga Rama dhe vështirë të mendosh se ndryshimet e tanishme janë një reflektim i vonuar.

Vështirë të besohet dhe deklarata e kryeministrit se zëvendësimet bëhen në funksion të fushatës dhe se kurbanët në prag të Ditës së Verës janë teper të zënë për të siguruar votat për PS në qarqet që mbulojnë. Ndërsa opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk ke me kë të garosh, me kë do të luftojnë ish ministrat nëpër rrethe? Arësyetimi çalon, ashtu siç çalon edhe vetë siguria nëse zgjedhjet do të bëhen në 18 qershor. Atëherë pse ky sakrifikim në masë?

Padyshim, preokupimi kryesor i kryeministrit sot është çadra e vendosur përballë zyrës së tij. Ajo çadër që fillimisht u shpërfill por që mbetet aty dita ditës  si dëshmi se vendi është në një krizë politike. Pavarësisht se opozita ka qenë e dobët, pavarësisht se sondazhet e nxjerrin humbëse në zgjedhje, ajo çadër është shumë më tepër se një bojkot parlamentar dhe mbetet si pikë takimi e gatshme për tu mbushur nga çdo hap fals të qeverisë apo nga ndonjë skandal i papritur që mund të irritojë qytetarët e ti drejtojë drejt sheshit. Largmi i cadrës, të vendosur midis zyrës së kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, është hapi I parë që do të zgjidhë Rama. Pastaj, cështja e zgjedhjeve apo dhe votimi për vetingun, janë pjesë e zgjidhjes në tavolinën e bisedimeve. Në këtë logjikë, sakrifikimi i katër ministrave do të quhej dhuratë paraprake për të dhënë besim për bisedime. Por loja ka dhe të tjerë aktorë.

Pavarësisht qëllimit për të zbutur situatën e tensionuar maxhorancë – opozitë, lëshimi i ministrave në detyrë dhe marrja e detyrës për të emëruarit e rinj, mund të hapë spirale të reja zhvillimesh dhe të paparashikuara. Deri tani, kreu i PD, Basha, është shprehur se nuk ka terheqje nga kërkesa për qeveri teknike dhe i quan të pamjaftueshme lëvizjet e fundit të Ramës. Deri tani.. pasi për këdo është e qartë se një ditë do të jetë i detyruar të paktën të ulet në tavolinën e bisedimeve, pavarësisht cfar rezultati del aty. E veçantë mbetet që dy aletatët e maxhorancës, LSI dhe PDIU, nuk kanë asnjë reagim zyrtar për lëvizjet e fundit në qeveri, pavarësisht se kjo e fundit ka kërkuar me insistim gjithë këtë kohë që të ketë një përfaqësim ministror në kabinetin Rama.

Heshtje si për motivet e ndryshimeve, ashtu dhe për profilin e kandidatëve që do të ngjiten në këto poste. Nëse, me një arësyetim hipotetik një apo dy nga ministrat e rinj nuk do të merrnin votën e aleatëve në parlament, kriza thjesht do të thellohej. Dhe për ketë mbase nuk do të ish i nevojshëm ndonjë argument i fortë kundër. Mjafton që LSI psh, të theksojë  për ministrin Xhafaj domosdoshmërinë që ai të mbetet si deri tani, violinë e parë në procesin e reformës në drejtësi, që kandidatura e tij të mos kalojë.  Dhe procesi shtyhet e bashkë me të dhe kriza.

Ca më tepër që së fundmi në lojë shihet se do të ndërhyjë dhe Presidenti Nishani që me gjuhë disi kërcënuese, u shpreh se dekreti për miratimin e ministrave të rinj do të bëhet pas verifikimit të figurës së tyre dhe se për këtë do të kërkojë dhë mendimin e agjensive inteligjente. E thene ndryshe, presidenti ka paralajmëruar se nuk do të jete ndonjë çudi që të mos pranojë ai vetë dekretimin e ndonjë ministri. Cka do të ish një krizë tjetër e re, ajo Qeveri- President.

Shenjat pra, nuk duken të mira. Kriza është ende larg zgjidhjes, madje në sfond kemi eskalacion të saj.


No comments: