Thursday, December 29, 2016

U.N., të jetë a të mos jetë!?



Frrok Çupi/

Përplasja me të drejtën e Izraelit i vuri Kombet e Bashkuara para pyetjes ekzistencialiste: “Të jenë apo  të mos jenë?… Po të jenë, atëherë do të ketë më shumë konflikte në botë. Vota kundër Izraelit në Këshillin e Sigurimit ka hapur portën e një konflikti pa fund mes Izraelit, Palestinës dhe Botës arabe, fillimisht. Të tjerat vijnë pas.
Është koha kur gjithë bota po bën shumë pyetje për gjithë botën në riorganizim. Zgjedhja e Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara; Brexit-i i Britanisë, rënia e elitave politike të majta në Europë dhe pikëpyetjet se çfarë do të jetë nesër…., nxjerrja e Amerikës nga izolimi i shkaktuar prej administratës Obama, ndërtimi i marrëdhënieve mes Amerikës dhe Rusisë dhe politika jashtë konfliktit të stisur; politika për tharjen e moçalit qeverisës kudo ku qeverisen qytetarë; largimi menjëherë i qeverive të mërzitshme që kanë grabitur popujt… Këta janë faktorët e ndryshimit. Kombet e Bashkuara, papritur u shfaqen në rrugën e “Trenit…”; dhe, mund të jetë nga të parat që do të ndryshojë? Tani është koha; por si?. Analistë perëndimorë shtrojnë pyetjen: Të lihet pa fonde apo të mos jetë UN? Është njësoj.
Ngjarja me Izraelin ishte si pika e fundit në gotën plot. Para Izraelit, UN ishte plot me mëkate; mëkate të vlerësuara nga jashtë ; por nga brenda “moçalit” UN ishte plot autoritet. “Dry the Swamp!”- me këtë trend i fituan zgjedhjet amerikanët.
Kombet e Bashkuara para syve tanë:
1.
Plot një epokë që U.N. thotë se po hedh dritë mbi demokracinë në Lindjen e Mesme. Politika e “demokracisë së UN” e solli Lindjen e Mesme në pikën që po thuhet se “duhej të ishte Saddami”; në Libi “u vra kot Gaddafi”. Lindja e Mesme e “demokratizuar” me Pranverën Arabe, ndodhet në luftë për vete dhe në presion mbi qytetërimin perëndimor evropian. Miliarda e miliarda shpenzoi OKB për “demokracinë” në Lindjen e Mesme… Po në Korenë e Veriut ku sundon komunizmi më i shëmtuar? Po në Somali? Po në Nepali? Po në Vietnam?… Kombet e Bashkuara, me sa duket vlerësuan se në këto vende ka demokraci (!). Nuk e dinte se nuk kishte? Atëherë pse duhet UN?
2.
Sistemi i vlerës në Kombet e Bashkuara, cili është? Kush i shkel më shumë njerëzit, ai qenka regjimi më i lartësuar(!).  Vallë këndej morën model regjimet e këqija, (si edhe këtu te ne), ku qeveritë komuniste dhe të tanishme “post”, lavdërojnë dhunën mbi njeriun si garanci për pushtet të gjatë. “Delet” nuk kanë nevojë për dinjitet!- ka lënë të nënkuptohet qeveria në Shqipëri. Edhe UN këtë do ta quante sjellje “exellente”. Regjimi ku dhunohet barbarisht njeriu, ky regjim vihet në krye të U.N; ka prova? Angola dhe Senegali janë pranuar anëtare të Këshillit të Sigurimit; këto vënë edhe veto apo  japin leje që qeveritë brutale në botë të marrin armët kundër popujve të tyre. Ja vetëm Angola: Nën pushtetin brutal të presidentit José Eduardo dos Santos, liria e individit dhunohet barbarisht. Forcat e Sigurimit shtypin lirinë e mediave, lirinë e shprehjes, aktivistët e të drejtave të njeriut; fjala kritike dënohet penalisht si shpifje (e mbani mend, edhe në Tiranë ka një projekt-ligj të këtij viti që pret të kalojë në Kuvend); ka arrestime arbitrare, kriminelët bëjnë ligjin në gjykata …  Por Angola është ftuar në OKB si anëtare e Këshillit të Sigurimit, mes 15 shteteve dhe regjimeve “të të Drejtës”. Ironike apo tragjike?!
3.
Dëshmia e U.N. është para nesh: Në vitin 2015 dhjetëra mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme, nga Afrika dhe vendet e Ballkanit, u inkurajuan që të sulmojnë portat e Europës. Më të rinjtë dhe më të shëndetshmit u inkurajuan specifikisht nga multimiliarderi George Soros për të sulmuar jetën e qytetarëve evropianë. Në atë moment, “cari” i Komisionit të Emigrantëve (UNHCR), Antonio Guterres, -siç raportonte në kohë  BBC,-  bëri thirrje që kombet e U.N. të “hapin kufijtë” për emigrantët. Ai tha se “Europa duhet të presë 200 mijë refugjatë” si pjesë e “strategjisë së përbashkët” duke ndarë “përgjysmë ushqimin” (“lajthinë mes partizanësh”- kjo ishte thënë nga komunistët tanë).
Por dyqindmijëshi i Guterres u bë miliona refugjatë. Edhe Bota pagoi shuma pa fund për Komisionin e Guterres. Por edhe vetë Guterres u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i U.N. Guterres vjen pikërisht nga elita politike që “ndanë lajthinë” për të tjerë, por luanin mban për vete. Një komunist i bindur dhe i vendosur që nga Lufta e Dytë, që nga Nikaragua e deri në krye të Internacionales Socialiste; i ngjitur pas administratave dhe qeverive, i përkushtuar në stanjacionin e “moçalit” të atyre që krijuan armiqësi me popujt. Gueterres ndodhet tani në pritje për të zëvendësuar Ban Ki Moon… Nina Shea, drejtore e Institutit për Lirinë e Besimeve në Hudson e ka akuzuar direkt zotin Guterre se “viktimat e ISIS janë lënë të negociojnë vetë me xhelatin” pa ndërhyrjen e U.N.. Ajo ka akuzuar se Kristianët e Lindjes së Mesme “janë abandonuar nën këmbët e Guterres”. Media perëndimore ka paraqitur qindra fakte se si anëtarët e stafit të Kombeve të Bashkuara “përmes email- eve kanë përhapur pornografinë e fëmijëve…, kanë bërë kontrabandë droge dhe kanë sulmuar njëri tjetrin, për vdekje, me thika; pa përmendur traktorët…” “U.N. është masivisht i korruptuar dhe institucion i pa shpresë”, shkruan Joseph Fatah, analist,  krijues dhe lider mediash në Amerikë.
.. Kombet e Bashkuara, duket si rastësisht u shfaqen para Trenit të Ndryshimit. Tani është para pyetjes ekzistencialiste: Të jetë apo të mos jetë?
Bota vetë ndodhet para pyetjeve rreth Kombeve të Bashkuara:
T’i presë fondet? Po të mos i ndërpresë, atëherë kjo krijesë do të vazhdojë pa fund… Sot, më 28 dhjetor,  organizata “Zëri i Izraelit” është mbledhur në New York ku po i kërkon qeverisë amerikanë të ndërpresë fondet për U.N-në. Edhe disa senatorë e kongresmenë po i kërkojnë qeverisë Amerikane të njëjtën gjë: Të rishikohen ose të ndërpriten… Vetëm Shtetet e Bashkuara paguajnë 3 miliard dollarë në vit; plus 185 vende të tjerë.
Financimi duket se ka ardhur në pikën “Mjaft!”. Atëherë edhe për U.N.,  do të thotë mjaft! Treni mund të sjellë tjetër gjë të dobishme…
/Veritas.com.al/

No comments: