Sunday, December 25, 2016

Kundër virusit të arrogancës

 
Kryepeshkopi Anastas: Arroganca shoqërohet nga zemërngurtësia, padrejtësia, paranoja, dhuna. Ajo nuk respekton dinjitetin dhe lirinë e të tjerëve. Mbi të gjitha, arroganca e përbuz të vërtetën; sipas shprehjes së shën Klementit, ajo “vepron larg së vërtetës”. Shkakton çdo lloj katastrofe, duke udhëhequr shpesh drejt vetëshkatërrimit
 
Mesazhi i kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Anstas Janullatos për Krishtlindjet:

"Të vërtetat që burojnë nga e kremtja e Krishtlindjes, befasojnë. Të magjeps qetësia, pafajësia fëmijërore, ngazëllimi, dashuria, lavdërimi dhe shpresa. Por ka edhe diçka tjetër brenda kësaj të kremteje, e cila shpesh nuk vihet re: mposhtja e arrogancës, e një prirjeje që e çon gjininë njerëzore në konflikte të frikshme, në tragjedi dhe rrugë pa krye.

Krishti “nuk erdhi me arrogancë” (1 Klementit), thekson ati apostolik, Klementi i Romës. Ngjarjet që lidhen me ardhjen e Perëndinjeriut, me anë të fytyrës rrezatuese të Foshnjës Hyjnore, e shfuqizojnë në mënyrë mahnitëse joshjen e arrogancës. Perëndia i Pashprehshëm, i Pakonceptueshëm dhe i Tërëfuqishëm, duke marrë natyrën njerëzore, nuk përzgjedh pamjen e një të dituri të pranuar nga të gjithë, të një gjigandi të fortë, të një perandori të fuqishëm. Ai vjen si foshnjë, si fëmijë i pafajshëm, që gjatë gjithë jetës së Tij, “e zbrazi veten duke marrë formë shërbëtori” (Filip. 2:7). Ai iu kundërvu çdo forme të arrogancës: pushtetit gjakatar të Herodit, egoizmit arrogant fetar të farisenjve dhe skribëve, krenarisë së pushtetshme të Pilatit.
Arroganca nuk ka reshtur kurrë së minuari bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe përparimin e shoqërisë. Dhe sot, mbi 2000 vjet pas Lindjes së Krishtit, arroganca vijon ta sundojë njerëzimin me mënyra nga më të ndryshmet. Karakteristika autentike e arrogancës na zbulohet nga shën Joan Gojarti: “Arroganca shfaqet tek ata njerëz që, ndërsa nuk janë asgjë, i mendojnë të gjithë tjerët poshtë vetes”. Arroganca shoqërohet nga zemërngurtësia, padrejtësia, paranoja, dhuna. Ajo nuk respekton dinjitetin dhe lirinë e të tjerëve. Mbi të gjitha, arroganca e përbuz të vërtetën; sipas shprehjes së shën Klementit, ajo “vepron larg së vërtetës”. Shkakton çdo lloj katastrofe, duke udhëhequr shpesh drejt vetëshkatërrimit.
Sot të gjithë e pranojnë nevojën e paqes së përbotshme dhe të solidaritetit. Por, ajo që zakonisht injorohet dhe është një e vërtetë e vyer, është fakti se e kundërta e paqes dhe e drejtësisë nuk është lufta dhe shfrytëzimi ekonomik, por egocentrizmi- rrënja e arrogancës. Egocentrizmi i individëve, i grupeve, i kombeve.
Virusi i arrogancës transformohet më tej duke ndotur rrezikshëm shumë njerëz dhe jo vetëm ata që ndodhen në pozita të larta politike, akademike dhe kishtare. Shfaqet edhe te njerëzit inteligjentë dhe me integritet, por edhe te të pashkolluarit dhe mendjengushtët; ndot të pasurit dhe të varfrit.
* * *
Rreziku i arrogancës, me metastazat dhe format e shumëllojta, vihet re veçanërisht dhe në mënyrë të përsëritur, tek ata që zënë poste të larta.  “Sa më i madh të jesh, aq më tepër përule veten tënde dhe do të gjesh hir para Zotit” (Urtësia e Sirakut 3:18). Literatura biblike dhe ajo patristike thellohen dhe e theksojnë këtë të vërtetë, se “Perëndia u kundërvihet kryelartëve, por të përulurve u jep hir”. Sigurisht, ritmet e sotme  të shoqërisë miklojnë forma të shumëllojshme të arrogancës dhe janë në kundërshtim me frymën e përulësisë, që transmeton e kremtja e Krishtlindjes. Ky mesazh humbet brenda zhurmës shurdhuese të dukjes dhe luksit, brenda shkëlqimit të rremë dhe fantazmagorisë. Përulësia dhe thjeshtësia në epokën tonë, e cila rend pas kënaqësisë, duken si gjëra jashtë vendi dhe kohe. Madje edhe brenda mjediseve kishtare, pavarësisht se flitet shumë për përulësinë, mënyra e të menduarit dhe e sjelljes shpesh tradhton një mendim të lartë për veten, që është i gabuar. 
Pavarësisht nga këto, mposhtja e arrogancës që u realizua me ardhjen e Fjalës së Perëndisë dhe përulësia sipas Krishtit përcaktojnë në mënyrë të qëndrueshme të fshehtën e fuqisë shpirtërore dhe të rrezatimit të Kishës, të shoqëruar me dashurinë sakrifikuese “të atyre që kërkojnë Zotin”. Antidotin e efektshëm ndaj egocentrizmit kancerogjen na e ofron Jisu Krishti - i Cili lindi në mënyrë të përulur dhe e përfundoi misionin e Tij me përulësinë e skajshme të Kryqit- me shembullin e Tij, me fjalën e Tij: “Mësoni nga unë, se jam i butë dhe i përulur në zemër, dhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj” (Matth. 11:29).
Rrezatimin e Hirit të Krishtit, e kuptojmë dhe e pranojmë veçanërisht me misterin e Eukaristisë Hyjnore. Ky mister thekson mbi gjithçka tjetër përulësinë e Tij të skajshme dhe transmeton në mënyrë diakronike Hirin e Tij te njerëzimi. Dhe vazhdon të jetë, ashtu siç u shpall me fuqi në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të orthodhoksëve në qershor 2016, qendra kryesore e jetës shpirtërore orthodhokse dhe e unitetit të Kishës.
“Krishti, Perëndia ynë i vërtetë, që lindi në shpellë dhe u shtri në grazhd” le të na çlirojë nga çdo formë e dukshme apo e fshehtë e arrogancës dhe nga çdo lloj robërie ndaj egocentrizmit dhe varianteve të tij të shumëllojta. Dhe le të na bëjë të denjë të jetojmë me përulësi e thjeshtësi shpirti, duke ndjekur gjurmët e Tij.
Krishtlindje të gëzuara!
Viti i Ri qoftë i bekuar dhe krijues!
Me dashuri të tërëshpirtshme në Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

No comments: