Wednesday, March 22, 2017

Lubonja: Qeveri te gjere, ndoshta me kryeminister Meta




Analisti Fatos Lubonja ka komentuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, situatën politike, kur më shumë se 1 muaj opozita ka zgjedhur të bojkotojë institucionet dhe të ngujohet në çadrën përpara kryeministrisë, duke kërkuar qeveri teknike.

Për Lubonjën, kriza mund të zgjidhet me një qeveri të gjerë konsensuale, pa Edi Ramën dhe me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën si negociator.

“Mendoj që nuk mund të vazhdohet kështu, kërkohet një zgjidhje nga ato që janë jashtë normales, siç kanë qenë nga ato të shumtat në historinë e Shqipërisë dhe jo një imponim me dhunë nga mazhoranca që do të tregojë se gjithçka është normale. Unë jam me nocionin që duhet një konsensus i gjerë i forcave politike, jo qeveri teknike, por një qeveri konsensuale që do të marrë përsipër të fusë vendin në normalitet”,- tha analisti.

Duke komentuar qëndrimet e kryeministrit në lidhje me kërkesat e opozitës, Lubonja e cilësoi Ramën arrogant, që “nuk dëgjon mendimin ndryshe dhe që do të dominojë vullneti i tij dhe i disa oligarkëve që ka pas vetes”. lubonja Për të gjetur zgjidhjen e krizës, dhe për të ulur palët në një tryezë diskutimi, analisti nuk përjashtoi si mundësi një zgjidhje “me qetësi dhe dashuri” nga ato që vetëm kryeparlamentari, sipas tij, ua di radhën.

“Kryetari i Kuvendit është faktor i rëndësishëm, ai e shikon pak më ftohtë situatën siç thotë edhe vetë: Me qetësi dhe dashuri, raportin konfliktual të të dyja ekstremeve”,- shtoi Lubonja.

E sa për një zgjidhje të diktuar nga ndërkombëtarët, analisti solli si shembull vitin 1997-të, kur partnerët siç tha ai “ndërhynë” vetëm kur u dogj Shqipëria. “Faktori ndërkombëtar ka qenë përgjithësisht me qeveritë, me stabilitetin gjithnjë. Ndonjëherë edhe kundër demokracisë”,- shtoi ai.

Lubonja komentoi edhe deklaratën e djeshme të Metës për hyrjen e PS-së pa opozitën në zgjedhje. I pyetur se si e lexonte shprehjen e kreut të LSI-së se “pluralizmi kishte ardhur që në vitin 1990-të” analisti foli për sinjale të pastra paralajmërimi, që sipas tij, Meta i bënte Ramës.

“Meta ka ambiguitet në qëndrimet e veta, nuk kuptohet qartë por leximi është se ai do të marrë rolin e protagonistit, atij që kërkon të gjejë kompromisin. Por, nga ana tjetër bën edhe kalkulimet e veta, çfarë humbas dhe çfarë fitoj. Deklarata ishte një paralajmërim për Ramën, se nuk mund të marrë vendime i vetëm, pra të hyjë pa pluralizëm në zgjedhje, që duhet gjendur një marrëveshje, një proces. Nuk mund të vazhdohet kështu”, sqaroi ai.

No comments: