
SManalysis
Shkup, 19 shkurt 2017 – Lidhja Socialdemokrate e FYROM (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjatë negociatave për krijimin e koalicionit qeverisës, i kanë afruar qëndrimet lidhur me ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në FYROM , i cili është një prej kushteve të partive politike shqiptare, raporton Televizioni Alsat-M.
Burime brenda grupeve negociatore bëjnë të ditur se gjatë takimeve intensive të një dite më parë, është arritur të tejkalohen dallimet më të mëdha rreth kërkesave të BDI-së, por kanë mbetur ende pa u dakorduar rreth disa gjërave që konsiderohen “më të vogla”.
Negociatorët e BDI-së do ta njoftojnë të hënën kreun e partisë, Ali Ahmeti, për rrjedhën e negociatave, e pastaj pritet të mblidhet kryesia qendrore e partisë për të shqyrtuar në mënyrë të detajuar projekt ligjin për gjuhën shqipe.
Nëse palët i tejkalojnë dallimet rreth gjuhës shqipe, BDI-ja mund t’ia japë Zaevit firmat e nevojshme për ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re, kurse më pas do të vijojnë negociatat për kërkesat tjera të integristëve.
Por, LSDM-ja vazhdon të jetë e mbyllur dhe të mos japë informacione për rrjedhën e negociatave me BDI-në.
Ditë më parë lideri i social-demokratëve, Zoran Zaev, ka thënë se do të pranojë “gjithçka që është në korniza të Kushtetutës së vendit dhe për të cilat kanë nevojë praktike qytetarët shqiptarë”.
No comments:
Post a Comment