Saturday, December 17, 2016

Rritet siguria në depot e ushtrisë në Qafë Mollë

1-ushtri

Gazeta Illyria 

 

NATO - BE - Albania

U zhvillua sot ceremonia e përmbylljes me sukses të projektit të përmirësimit të infrastrukturës së sigurisë, në mjediset e magazinimit të Armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, përfaqësues të organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, si Programi i Zhvillimit i Kombeve tё Bashkuara UNDP,  Delegacioni i Bashkimit Evropian nё Shqipёri dhe Qendra rajonale pёr kontrollin e armëve tё vogla dhe tё lehta “SEESAC”, ushtarakë të lartë të Minstrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi në fjalën e tij përshëndetëse  falenderoi në emër të tij dhe në emër të ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, ata që mundësuan këtë projekt, konkretisht SEESAC dhe UNDP, por edhe Bashkimin Evropian, i cili financiarisht mbështeti realizimin e projektit. Falë punës dhe kontributit tuaj, FARSH sot kanë një standard të ri të sigurisë së depove të Armёve tё Vogla dhe tё Lehta, standard i cili do të vijojë të përmbushet edhe në mjediset e tjera”.
“Ky projekt ndikon pozitivisht në përpjekjet tona, për rritjen e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, duke eliminuar kushtet që favorizojnë humbjet e materialeve dhe rrjedhimisht keqpërdorimin, përhapjen apo tregtinë e paligjshme të armëve, nga elementët  kriminal”, vijoi ai më tej.

Zoti Koçi theksoi se “Ministria e Mbrojtjes e vlerëson kontributin e SEESAC për promovimin e sigurisë në vendin tonë, meqёnёse në muajin tetor, UNDP-SEESAC ofroi mbështetjen për një tjetër projekt të financuar nga BE-ja, nëpërmjet të cilit u shkatërruan 1987 armë të vogla dhe të lehta, të tepërta, të kategorizuara për asgjësim nga Ministria e Mbrojtjes. Projekti i cili në bashkëpunim me Fabrikën Ushtarake në Gramsh, përfundoi me sukses në fund të tetorit 2016, dhe promovoi sigurinë duke reduktuar tepricën e mundshme, për tu përdorur si burim për tregtinë e paligjshme të armëve në vend dhe rajon.

Në fund të fjalës së tij, zoti Koçi tha “Vendi ynë, dhe Ministria e Mbrojtjes është e vendosur dhe do të vijojë të kontribuojë me përkushtim në sinergjinë e  përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal, edhe duke kontrolluar AVL dhe parandaluar përhapjen, trafikimin dhe përdorimin ilegal të tyre.

Projekti i financuar nga BE dhe i realizuar nëpërmjet SEESAC, i cili arrin në 32,388,313 Lekë, do të përmirësojë ndjeshëm sigurinë e armatimit dhe municionit të magazinuar në këtë mjedis të Forcës së Armatosur të Republikës së Shqipërisë. Investimi i kontribuon jo vetëm rritjes së sigurisë kombëtare dhe rajonale, por edhe zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit, pasi eliminon kërcënimet dhe rreziqet që lidhen me përhapjen dhe tregtinë e paligjshme e armëve të vogla dhe të lehta, si dhe municioneve të tyre.

No comments: