Vërtet
“efkaristo polì” zoti Ministër! Sepse kështu i bëni shqiptarët të
ndjehen më shumë Shqiptarë! Kudo që ata ndodhen! Dhe ndoshta është më
mirë kështu!
Nga Artur Zheji
Është e habitshme Greqia e bukur dhe e
dashur për shumë shqiptarë! Pamvarsisht kush është në pushtet, qëndrimin
ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk e ndryshon asnjëherë. Madje absurdi
ndjek absurdin! Thuhet dhe shkruhet se doni të fusni në burg çunat
rekrutë shqiptarë, pjesë e ushtrisë greke, vetëm për një fotografi?! Në
një Qeveri të vetëshpallur të Majtë sa më ska!
Porse kjo, nuk do të ishte as më shumë
dhe as më pak, veçse një qëndrim politik nga ato që ne kemi përjetuar me
shumicë në kohën e Diktaturës komuniste në Shqipëri “qirio” Kamenos.
Mund të të postoj dhjetëra raste djemsh dhe vajzash të reja që në kohën
më të errët të jetës sime, të jetës nën Diktaturë, djem dhe vajza, si
ata të fotos me pëllëmbët e kryqëzuara si krahët e shqiponjës, janë
dënuar rëndë burgjeve për disa vargje poetike, apo për fjalë të hedhura
pa kujdes për Botën e Lirë Perëndimore!
Por dukshëm në Greqi dhe më besoni më vjen shumë keq për këtë, duket se ka një diktaturë de facto antishqiptare të përhershme!
Të Djathtë, të Majtë të Qendrës…
Madje këtë ma ka pohuar në “konfidencë”
një nga liderët e Agimit të Artë që kam intervistuar disa vite më parë,
Kristos Papas dhe që gjykuar nga fjalët dhe veprimet që po bëheni gati
të ndërmerrni ndaj çunave të fotos, zoti ministër Kamenos, e mbani kot
në burg.
Sepse ky qëndrim i marrëzishëm për kah
nacionalizmi i bërtitur, është i ngjashëm si dy pika uji, me fjalët e
egra të Kristo Papasit, kur e intervistoja. Ai më tha nën zë dhe
privatisht, 4 vjet më parë se:
“Të gjithë politikanët grekë më të
rëndësishëm e mendojnë si unë dhe si ne të “Agimit të Artë”,
marrëdhënien me Shqipërinë dhe kanë një mendim e një qëndrim njësoj si
ne për shqiptarët, vetëm se ata janë hipokritë dhe e fshehin, kurse ne
jemi të sinqertë dhe e bërtasim!”
Priresha të mos i besoja këto fjalë të
Papasit të “egër”, porse reagimi juaj, ka hyrë vërtet në një garë të
hapur dhe të suksesshme me pinjollët më të shquar të “Agimit të Artë”.
Më vjen realisht keq që detyrohem ta
them dhe ta shkruaj këtë, por nuk është kjo një sajesë e imja, por
thjesht reagim ndaj “Ulurimës suaj nacionaliste!” ndaj ca adoleshentëve
buzëqumësht, me rroba ushtarake greke dhe te pasionuar pas Shqiponjës!
Doni ti fusni edhe në burg kam dëgjuar!
Në burg për një foto? Ju qofshi! Por kjo rrëfen se jeni vërtet rëndë
psikologjikisht, Ju dhe ata që e mendojnë si ju!
Ne këtej nga Shqipëria do të hidheshim
në zjarr, nëse ndokush do të guxonte ta mendonte një persekutim të
tillë, për vëllezërit tanë minoritarë grekë, maqedonas apo malazezë.
Sepse Diktaturat zënë gjithmonë fill me persekutimin e pakicave, e më pas të të gjithëve të tjerëve pa përjashtim.
Megjithatë faleminderit byrazer Kamenos,
sepse u kujton shqiptarëve se sa i ëmbël është në të vërtetë Atdheu i
tyre, pamvarsisht 999 halleve që kemi dhe që s’po i ndreqim dot.
Vërtet “efkaristo polì” zoti Ministër!
Sepse kështu i bëni shqiptarët të ndjehen më shumë Shqiptarë! Kudo që
ata ndodhen! Dhe ndoshta është më mirë kështu!
P.S: po ju postoj në shkrimin tim edhe
një “link”, të një si shokut tuaj, por me parti tjetër, Kristos Papas,
sepse ndoshta ju ndihmon për të pasuruar fjalorin tuaj politik me teza
të mirëpërpunuara antishqiptare.
No comments:
Post a Comment