Sipas saj rastet janë shumta dhe në thuajse të gjitha pretendimet është vërtetuar falsifikimi i dokumenteve. “Ka ndodhur që në gjykatë janë paraqitur dy ose edhe tre pretendentët për të njëjtën sipërfaqe, ndërsa në një rast tjetër dokumenti origjinal përmendte rreth 100 ha, pretenduesi i pronës i kishte shtuar dy zero, duke e konvertuar atë në 10.000 ha”-shkruan Ethnos.
Problemi nuk duket se qëndron te një shkrim në gazetë. Ai është ngritur në nivel politik teksa edhe organizata e pakicës greke “OMONIA” ankohet se kohët e fundit “agallarët shqiptarë” janë duke u bërë gjithnjë e më shumë "pronarë" të siperfaqeve të mëdha, në zonat ku banojnë qytetarë me origjinë greke”. Dhe këtij faakti i bën jehonë “Ethnos”.
"Banorët me origjinë greke të shumë fshatrave janë vizituar nga persona që janë referuar si pasardhës të “agallarëve” të zomës të cilëve u kanë thënë atyre se mund të kultivojnë prodhimet e tyre ose të bagëtinë në këmbim të qirasë për tokën apo ullishtet. Pasardhësit e një "agai" kërkuan dhe morën 1.200 ha tokë në një shpat nën manastirin e Panagias në Kostar. Ata treguan dokumente të datës 1937, por ekspertët grafologjistë konstatuan se ishin shkruar me një makinë shkrimi të vitit 1965, ndërsa për këtë çështje janë zhvilluar 70 gjyqe deri tani",-shkruhet në artikull.
Duket se këtu ka një të vërtetë në kuptimin se Greqia zyrtare po angazhohet që ta kthejë këtë situatë në nivelin e trajtimit në Bruksel ndërkohë që nga Shqipëria ka patur një rritje të angazhimit publik për çështjen çame. Në një intervistë të tij të datës 29 dhjetor, publikuar në faqen e Ministrisë së Jashtme, cilësohet që në hyrje se “z. Kotzias shprehu kënaqësinë e tij të veçantë për adoptimin e pozicioneve greke mbi Shqipërinë, sidomos në çështjet që shqetësojnë minoritetin grek dhe pronat e tyre…”.
Çka do të thotë se përtej Himarës që është prekur me emër si zonë ku prona ka probleme, Greqia po lobon që edhe veprimet me pronat në zona të minoritetit grek të marrin vëmendje dhe të përfshihen në dosjen e Shqipërisë. Një gjë e tillë mbetet për t’u parë, por duhet thënë qysh tani se nga Tirana zyrtare nuk ka asnjë deklarim mbi këtë çështje, asnjë sqarim të opinionit publik.
Kotzias ka zbuluar diçka në këtë intervistë kur ka nënvizuar se “në konkluzionet e tekstit vëmendja u përqendrua në nevojën për të mbrojtur të drejtat e minoritetit në territorin e Shqipërisë dhe jo vetëm në këto zona. Ç’është më e rëndësishmja mbrojtja e të drejtave të minoritetit u specifikua për herë të parë në lidhje me të drejtat e pronës”.
Politika e Athinës po synon të kompensojë përpjekjen e Tiranës me çështjen çame, por fakt është se problem i pronës në Jug është evident dhe shumë delikat, ndonëse ai nuk lidhet ekskluzivisht me prona të qytetarëve me origjinë greke. Saranda, Vlora dhe gjithë vija bregdetare vuajnë nga shkelje të përmasave të mëdha që kanë hedhur farën e konfliktit social. Ndërkohë që kryeminsitri shqiptar ndan tapitë e ligjit 7501, gazeta greke shkruan se “ka agallarë” që përdorin fermane të Turqisë Osmane. Një ilustrim cinik ky që na thotë se ky ligj, të cilin Rama asnjëherë nuk e ka përuruar me tapi në ndonjë zonë minoriteti, sa vjen dhe konfrontohet me të drejtat e trashëgimisë për të cilat mandej do kërkohet kompensim.
Qytetarë shqiptarë që kanë edhe këtë dokumentacion po marrin kompensime të mëdha nga Strasburgu si pasojë e shkeljeve që ndodhin nga vendime gjykatash, apo akte kthimi, duke e rritur faturën financiare. Ndërfutja e një elementi me natyrë politike si ai i të drejtave të minoritetit, e komplikon edhe më situatën duke konfirmuar tanimë në shkallë ndërkombëtare se Shqipëria është një vend ku e drejta e pronës nuk është e stabilizuar. Kaq e vërtetë është kjo saqë dy standardet që përdor shteti shqiptar janë flagrante: nëse fermanet e osmanëve sot pretendohet se po përdoren për të dëshmuar pronësinë dhe të drejtën e trashëgimisë, në rastin e Kakomesë, Gjykata e Tiranës, para disa viteve e çmoi të njëjtëin pretendim të banorëve si të pabazuar, me argumentin(ndër të tjera) se “Perandoria Osmane ka qenë pushtuese”.
Duket edhe më cinike akoma kur mendon se kjo përpjekje e Greqisë mundet të afirmojë legjitimitetin e ligjit 7501 meqenëse minoritarët në përgjithësi kanë përfituar pronë përmes këtij ligji, që kaq shumë kontestohet në Shqipëri dhe të godasë “agallarët” në një përballje të re që mbishtresëzon në konfliktet e vjetra.
No comments:
Post a Comment