Wednesday, November 2, 2016

Rama: Fqinjët tanë grekë do të marrin përgjigjen time!

GAZETA DITA

November 2, 2016 17:11
Rama: Fqinjët tanë grekë do të marrin përgjigjen time!

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje një komentuesi në llogarinë e tij në “Facebook” lidhur me sulmet që gazetat greke i kanë bërë  kreut të ekzekutivit ditët e fundit. I gjithë ky sulm ndaj Ramës nisi me të ashtuquajturën “Çështje e Himarës” ku prishja e 19 shtëpive të familjeve të deklaruar me kombësi greke është kundërshtuar me forcë nga eksponentë të Athinës zyrtare.
Sulmeve të eksponentëve të politikës greke por edhe shtypit të atjeshëm Rama do u përgjigjet ditën e nesërme në Parlament.
Komentuesi i shkruajti Ramës: “Hidh nonje foto me Akropulin .te cemenden fare greket se nuk u vin mir na e verteta .”
Në përgjigjen që kryeministri i kthen qytetarit shkruhet: “Neser ne kuvend do ta marrin pergjigjen time per sa kane thene keto dite, fqinjet tane te vjeter e te dashur , me te cilet duhet dhe duam te kemi marredhenie te shkelqyera! E qe t’i kemi te tilla, na duhet patjeter te jemi te hapur, te vertete e te barabarte me njeri – tjetrin! Sepse koha e fqinjit te pasur qe i tregonte arat fqinjit te varfer ka marre fund mes nesh.”
Ajo që ndezi edhe më shumë situatën ishte edhe hedhja nga  Rama e një fotoje të Akropolit ku duke iu referuar historisë kryeministri ynë shkruante se: “Nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.”

No comments: