Wednesday, November 2, 2016

Konflikti po përgjon mbi Gramoz?

Gazete e Perditshme e Pavarur


Konflikti po përgjon mbi Gramoz?



Çfarë po ndodh mes nesh, Greqi- Shqipëri?! Edhe kryeministri i Shqipërisë “si i pa ditur” zgjodhi një njeri me mbiemër lufte “Dushman”, që është minorancë kudo, në kuptimin se në asnjë nga vendet tona nuk ka vendlindje. Çfarë po e “ndjell” shpendin e Luftës mbi malet tona?…
 

Nga Frrok Çupi

Çfarë po ndodh mes nesh, Greqi- Shqipëri?!
Ka një konflikt, më të rrezikshmin pas vitit 1940. Qeveria e Shqipërisë e ka çuar punën deri te “ekzistenca ose jo” e Panteonit të Zotave të Akropolit. Kryeministri bën si i paditur dhe iu thotë grekëve se, “Akropolin ua shpëtoi Gjergj Dushmani”. E bën jo pa qëllim, por duke nënkuptuar se Gjergj Dushmani, siç ua shpëtoi, edhe mund t’ua shkatërrojë Akropolin. “Gjergj Dushmani” nuk është as shqiptar, as arvanitas. Mbiemri është ndër-ballkanik, me burim nga Osmanishtja; i përdorur shumë shpesh gjatë luftërave në gadishull. Nuk është as shqiptar as arvanitas. Kryeministrin, mediat e quajtën “injorant”; por ai është gati të shfaqet krejt i paditur, mjaft të realizojë një qëllim të caktuar. Me sa duket qëllimi është që të kërcënojë Greqinë,… në emër të kujt?, në emër të ‘fajkonjve” të Luftës dhe kërcënimit t’i japë ngjyrë ndër-ballkanike. Domethënë “dushman”, që shkon që nga Tirana, Beogradi, Sarajeva e deri në Stamboll.
Edhe diktatori Hoxha e paraqiti një herë veten, jo sylesh, por si “mendjelesh” dhe bëri një kërcënim si ky. Ai mbajti një fjalim aty nga vitet 70 dhe citoi: “Ju themi monarko-fashistëve grekë “kujdes!”. “Kujdes, se Tirana është ngritur tullë mbi tullë, ndërsa Akropoli është prej mermeri!”- tha diktatori ynë. Domethënë iu tregoi koston. Por ai ishte asgjë në krahasim me tani. Tani ndodhemi në stinën kur shpendët grabitqarë të Luftës, “fajkonjtë”, po kërkojnë vend ku të ulen; të ulen diku në pikën më të fshehtë- mjafton.
Të jetë zgjedhur një pëllëmbë tokë mes nesh dhe grekëve? Këndej rrotull kaluan gjasat. Luftanijet Ruse lundruan nëpër Mesdhe, nuk ndaluan as në Spanjë as në Pashaliman; dhe me siguri kanë rrethuar Sirinë. Raketat bërthamore u instaluan në Kaliningrad, në pikën më të afërt të Rusisë me ne- europianët. NATO bëri thirrje, thuajse urgjente: “Na duhen edhe 4000 forca për të rrethuar Rusinë”. Rusia bëri gati 330 mijë- sipas shifrave që dhanë në NATO. Ka qenë data 18 tetor; jo një herë e një kohë… Tani, vallë “Kaliningradi” i vogël  do të jetë një pikë e “vdekur” mes Shqipërisë e Greqisë?!… “Gramozi” është vetëm simbolika e zakoneve të Luftës.
As në Luftën e Dytë, në vitin 1940, kush e dinte se pas vrasjes së një shqiptari me mbiemrin Hoxha në kufirin tonë me Greqinë, do të hapej konflikti i madh që edhe sot e lëçisin nëpër studio televizive si “Ligj i Luftës”. As në vitin 1914, 28 Qershor, kush e priste që Lufta e Parë të hapte rrugë në Sarajevë duke vrarë Franz Ferdinandin e Austro- Hungarisë?! As në gushtin e vitit 1949, kush e dinte se Shqipëria do të merrte ushqime në Moskë për të ndjellë konflikt me grekët komunistë të uritur, në malin e Gramozit. Ato ditë “cikloni” komunist kishte menduar se mund ta tërhiqte edhe Greqinë në kampin e vet. Më duken se të gjitha kanë të njëjtën fytyrë; të gjitha janë provokacione. Kjo që po ndodh aktualisht me kërcënimet e ndërsjellat mes Shqipërisë e Greqisë, është më e rrezikshme se gjithë të parat. Më e rrezikshme, sepse jetojmë kohë më të përparuara; dhe, kësisoj edhe konflikti është më shkatërrimtar. Greqia iu përgjigj kërcënimit nga Tirana, thuajse njësoj siç Tirana provokoi. Këtej fluturoi “rreziku” i shembjes së Akropolit, nga Athina erdhi “gishti tregues” mbi Himarën. “Kjo që po ndodh në Himarë rrezikon minoritetin grek në Shqipëri!”, deklaroi Ministria e Jashtme e Greqisë. Rreziku ndaj minoriteteve është kudo “zarfi” ku fshihet konflikti. A nuk është kështu në Krime? A nuk është kështu në Ukrainën e mbajtur nga Rusia? A nuk është kështu në Aleppo e në Mosul? Lufta e Tretë po vërtitet mbi kokat e këtyre minoriteteve, dhe i bën Amerikën, Rusinë, NATO-n e Vatikanin që t’i venë këtë emër. Nuk keni vënë re se kohët e fundit po flitet shumë për pakicat në Ballkan?!
Edhe kryeministri i Shqipërisë “si i pa ditur” zgjodhi një njeri me mbiemër lufte “Dushman”, që është minorancë kudo, në kuptimin se në asnjë nga vendet tona nuk ka vendlindje.
Çfarë po e “ndjell” shpendin e Luftës mbi malet tona?
Është rentuar konflikti? Nëse në takimet diplomatike e shtetërore ku falsiteti “njihe Kosovën!”, ka fshehur tjetër gjë dhe është folur për “ngjarje” më të madhe e cila do të shpëtonte shumë afera të këqija qeveritare, atëherë lufta do të ishte “makina” më e mirë e rentuar.
Është akaparuar rajoni? Domethënë ajo që ndodhi në Malin e Zi, që- siç po komentohet- politika i hapi rrugë Rusisë për në detin Adriatik, (me dashje a pa dashje), do të bëhet me dashje nga qeveritë e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë? Kjo mund të arrihet përmes një konflikti të sajuar.
Po ndjehet uri në rajon? Gjendja ekonomike është shumë e rrënuar. Shqipëria ka 400 mijë familje nën nivelin minimal të jetesës, domethënë një familje katër pjesëtarë- me dy dollarë në ditë. Rreziku është se të uriturit, një ditë i sulen qeverisë. Lufta i trullos mendjet e njerëzve dhe harrojnë stomakun- ja kjo është një arsye për të sulmuar Akropolin.
Ne nuk e dimë, sigurisht. Por pse nuk na e thonë cilat janë interesat e kujt për ta përfshirë në konflikt, të parën këtë zonë? Dje media amerikane shkroi se këtu në Tiranë kanë mbërritur 137 milionë dollarë, për të blerë armë e municion. Kanë ardhur përmes një rusi me nofkën “Lord of the War” (Zot i Luftës). Edhe pse media sapo e shpalli, nuk ka asnjë reagim nga qeveria. Çfarë është kjo?
Të presim sa të ulen fajkonjtë?

No comments: