Friday, December 15, 2017

SA I PËRKOHSHËM DO TË JETË PROKURORI I PËRKOHSHËM

SA I PËRKOHSHËM DO TË JETË PROKURORI I PËRKOHSHËM – OPINION NGA PLATOR NESTURI

15-12-2017

Nga Plator Nesturi

 “Albanian Free Press”

Shumë debate po merr çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit, që do të zëvendësojë Llallën. Në Parlament, në media dhe në konferenca me ndërkombëtarët ku diplomatët e huaj po japin dhe direktiva se ç’duhet bërë dhe si duhet bërë një zëvendësim në kreun e akuzës. Me ligjin e vjetër apo të ri, me Komisionin e Venecias apo me Kanunin e Lek Dukagjinit, me ofiqet e reja apo me zanatin e vjetër, me magjistraturë apo doktor shkencash. Në të gjitha rastet, emërimi i cilësuar është Kryeprokuror i përkohshëm. Atëherë, pse kaq shamatë? Apo edhe kjo do të jetë një shamatë e përkohshme?

Nëse që në emërim, kreun e ri të organit të akuzës do ta quajmë të përkohshëm, logjika ta do të thuash se, ai do të jetë thjesht i përkohshëm në kuptimin kohor, por gjithsesi, tagri i detyrave të funksionit të tij, mbetet i njëjtë, me të njëjtat kompetenca dhe me të njëjtën strukturë të centralizuar dhe piramidal, që ka funksionuar deri më tani Prokuroria e Përgjithshme. Pra, pavarësisht se Kuvendi më ndryshimet e reja kushtetuese, ka përcaktuar më shumë se një vit më parë, se institucioni i Prokurorisë do një reformim total e që duhej të ishte kryer tashmë, edhe pas ikjes së Adriatik Llallës, situata nuk do të ndryshojë. Do të kemi thjesht një kryeprokuror të një institucioni, që do të funksionojë në bazë të ligjit të vjetër. Me të njëjtën strukturë që i ka mbaruar afati ligjor, me të njëjtat kompetenca që tashmë nuk ia njeh më kushtetuta. Vetëm se do të jetë përkohësisht.

Në këtë logjikë, gjithçka që mund të bëjë ky kryeprokuror, ta bëjë mirë punën që i ngarkohet, ta katranosë atë më tej, apo dhe ta lerë kështu siç është, pa bërë asgjë, ai sërish përkohësisht do e bëjë këtë. Përkohësisht sukses, katranosje apo vegjetim. Në një farë mënyre, kryeprokurorin do e bëjnë hoxhë, por do t’i rruajnë mjekrën. Pasi kompetencat i ka, por jo kohën e mjaftueshme për t’iu rritur mjekra e përgjegjësisë.

Ndaj, gjithë kjo dëshirë e madhe për debat e për ta bërë ligjore e të kushtetueshme, diçka të përkohshme, duket alogjike. Vetëm nëse kjo e përkohshme varet sa do të jetë. Pasi mund të bëhet dhe pambarimisht e përkohshme. Në jo pak raste në Shqipëri, shumë drejtues që kanë vajtur si të përkohshëm në detyrë, apo si të ngarkuar administrativisht nga qeveritë, kanë patur stazh më të gjatë në detyrë, se sa ata për të cilët duhet votuar për tu zgjedhur në detyrë. Vetë zgjedhjet tona dhe kodi ynë zgjedhor, është diçka e përkohshme që duhej të ishte zëvendësuar me kohë, por ja që është ende funksional. Ka dy palë zgjedhje që mandatet e reja parlamentare nisin me nisma për të ndryshuar kodin zgjedhor, pasi palët janë të pakënaqura, ngrihen dhe komisione parlamentare për këtë çështje, por asnjë rezultat. Ligji mbetet përherë i përkohshëm, por gjithsesi me të vijojnë të bëhen zgjedhjet. Dhe nuk dihet dhe sa palë zgjedhje të tjera do të bëhen pikërisht me të.

Së fundmi, po dëgjohen në Komisionin e Ligjeve në Parlament, platformat e kandidatëve për kryeprokuror. Shtatë të tilla dhe nuk janë pak, edhe kur bëhet fjalë për një kryeprokuror të përkohshëm. E sigurt që do e kemi shpejt një titullar të ri. Me ligjin e vjetër e me kompetencat e vjetra, por sidoqoftë do ta kemi. Ajo çfarë nuk dimë është se, çdo bëhet me pjesën tjetër të reformës në drejtësi dhe institucionet e reja që parashikon kushtetuta e re. Mbase dhe ato, duke filluar që me gjykatat e me radhë, sërish do të mbeten në stadin e përkohshmërisë. Pavarësisht se ka mbi një vit që 140 deputetë, me dëshirë apo pa qejf, votuan ndryshimet drastike në Kushtetutë, për të patur një strukturë dhe organigramë të re, në gjithë fushën e drejtësisë. Me sa duket, votimin e kanë bërë pa pikën e qejfit e dëshirës, ndaj mund ta shtyjmë deri në një kohë të pacaktuar statusin e përkohshmërisë në institucionet tona ligjzbatuese.

No comments: