Ambasadori amerikan, Donald Lu denoncoi kryeprokurorin Adriatik Llalla si “armik” të reformës në drejtësi, ndërsa mori si përgjigje akuza të ashpra për shantazh dhe presion ndaj institucionit të Prokurorisë.
Printo
Ambasadori Donald Lu lëshoi një deklaratë tjetër të fortë në kuadër të Reformës në Drejtësi duke shënjestruar kryeprokurorin Adriatik Llalla si një nga kundërshtarët e reformës.
Duke folur në një konferencë të titulluar “Ne populli: Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”, organizuar nga KRIIK Albania dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë që po zhvillohet sot në Tiranë, Lu deklaroi se kryeprokurori Adriatik Llalla duket se ka shkelur kushtetutën e re të vendit që u miratua vitin e kaluar pasi në procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dërgoi për short tre kandidatë për tre poste, efektivisht duke paracaktuar fituesit.
“Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës”, deklaroi Lu.
“Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do mbështesin përpjekjet e tyre”, shtoi ambasadori.
Pas akuzave të drejtpërdrejta të ambasadorit të SHBA-së, Prokuroria e Përgjithshme u përgjigj me një deklaratë për shtyp, duke e cilësuar fjalën e Lu si “sulm të hapur, të paprecedentë dhe jo-diplomatik”.
Prokuroria e Përgjithshme e akuzoi ambasadorin Lu se po ushtronte shantazh ndaj institucionit për mbyllje hetimesh, përmes vendimit për heqjen e vizave ndaj disa prokurorëve. Ajo hodhi poshtë akuzat se po pengon reformën për drejtësi, por shtoi se Kushtetuta e Shqipërisë ka shumë paqartësi, “të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm”.
“Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambjentet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë,” thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.
“Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet,” shtohet aty.
Përplasja e hapur mes ambasadorit Donald Lu dhe prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla erdhi pas përpjekjeve të Prokurorisë për të bllokuar serverin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive si dhe pas shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Prokuroria urdhëroi nëntorin e kaluar bllokimin e arkivës së ILDKPKI pasi hapi hetime me nismë të vet kundër kreut të këtij institucioni Shkëlqim Ganaj me argumentin se ka dyshime që ky i fundit ka shkelur ligjin pasi nuk ka hetuar në mënyrë administrative rastet e dyshuara të konfiktit të interesit të disa deputetëve që kanë kryer marrëdhënie biznesi me shtetin.
Ndërhyrja e pazakontë e Prokurorisë dhe kërkesa për të bllokuar të gjithë arkivën fizike dhe elektronike të ILDKPKI-së u pa si një përpjekje për të bllokuar përdorimin e kësaj arkive në procesin e pritshëm të vetingut. Arkiva e ILDKPKI mbart mijëra deklarata vjetore të pasurive dhe të të ardhurave që gjykatësit dhe prokurorët kanë plotësuar çdo vit që nga viti 2004. Kjo arkivë do të jetë një nga burimet kryesore të vendimmarrjes së komisionit të vetingut për të parë pastërtinë e figurës së gjykatësve dhe prokurorëve.
“Në nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kopjuterët e ILDKPI, të cilat janë thelbësore për vetingun”, deklaroi Lu.
Pas urdhërave të sekuestrove të prokurorisë, ILDKPKI iu drejtua gjykatave të cilat e rrëzuan Prokurorinë me argumentimin se në rast hetimi ndaj Ganajt, prokuroria mund të bllokojë dhe sekuestrojë vetëm deklaratat e zyrtarëve të rasteve të dyshuara për konflikt interesi por jo të gjithë arkivën.
Procesi i Vetingut pritet të nisë fillimisht me drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat do të zëvendësojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pastërtia e drejtuesve të rinj të drejtësisë është me rëndësi kyçe pasi pikërisht këta do të jenë përgjegjës për funksionimin e sistemit në gjeneratën e ardhshme.
No comments:
Post a Comment