Tuesday, November 7, 2017

TASK FORCË DHE DËSHTIMI I SHTETIT

TASK FORCË DHE DËSHTIMI I SHTETIT – OPINION NGA PLATOR NESTURI

 OPINION NGA PLATOR NESTURI Nga Plator Nesturi

 “Albanian Free Press”

Siç ishte parashikuar, në ditët e para të nëntorit, një njësi nga FBI, ekspertë gjermanë dhe italianë, do të atashohen në Shqipëri, për të ndihmuar në ngritjen e institucioneve të prokurorisë Speciale, si dhe strukturat mbështetëse për hetimin dhe vënien para drejtësisë të krimit dhe korrupsionit në vend. Këtë e lajmëroi dhe kryeministri Rama në daljen javore, kur njoftoi se fillon të funksionojë Task Forca me ekspertë të huaj. Gjithë kjo paraqitet si sukses dhe krimi tashmë duhet të dridhet. Ndërkohë, nga ana e opozitës vijnë të tjera deklarata, se skandale të reja do të dalin në dritë në javët në vijim, që do të lëkundin kështu vetë qeverinë dhe shumicën e majtë. Këto pritet të vijnë nga shërbimet e huaja ama, se për këto tonat, vështirë se i merr njeri seriozisht. Pra, të gjithë, majtas e djathtas, gëzojnë për ekspertët e huaj që do t’i bëjnë gjëmën kundërshtarit e që, më në fund, do të vendosin drejtësi, rregull e besueshmëri tek institucionet ligjzbatuese.

Harrohet veç një fakt i vogël. Ardhja e specialistëve të huaj për të vënë rregull këtu, dëshmoi se shteti ka dështuar. Kanë dështuar institucionet përkatëse, nga policia, prokuroria dhe gjykata, kontrolli i Pasurive e me radhë. Pra, gjithçka qe përbën kolonën e drejtësisë e ku mbështetet ngrehina e shtetit. Ka dështuar shteti që kanë ngritur të gjithë bashkë këta që po e përshëndesin sot, si një zgjidhje për të drejtën e drejtësinë, të majtë e të djathtë, që kanë marrë votat e qytetarëve dhe kanë drejtuar vendin në rokadë me njëri-tjetrin.

Le ta etiketojmë si të duam, gjithçka çfarë po ndodh: ndihmë, asistencë, përkujdesje apo tutelim. Ardhja e ekspertëve të huaj për të monitoruar e mbështetur strukturat e reja të hetimit, është së pari dështim. Dështim i një klase politike për të ndërtuar shtet me standarde. Ndaj duhet thënë se, shyqyr që vijnë, pasi me këtë ritëm të intolerancës, të korrupsionit e të padrejtësisë në sentencat e kësaj drejtësie të kamur, do të nisim të hamë dhe njëri-tjetrin. Të kësaj “drejtësie”, që e kemi peshqesh po nga kjo klasë politike, e cila sot duket e gëzuar se po vijnë të venë rregull të huajt. Ndërkohë që, këta ekspertë të huaj së pari, dalin si garantë që vet politika të mos futë më hundët në drejtësi, duke promovuar shërbëtorët e saj e duke intimiduar të drejtët. Duke mbyllur sytë ndaj çdo abuzimi, korrupsioni të dyanshëm e duke shndërruar vetë drejtësinë, në një kënetë ku nuk ndodh asgjë, ku e drejta zhytet në llumin e saj.

Ekspertët e huaj vijnë në Shqipëri, pas një ligji që vetë ndërkombëtarët i imponuan Parlamenti shqiptar, i cili doli i kriminalizuar dhe ku vetë “baballarët e kombit” na dolën me rekorde kriminale, brenda e jashtë vendit. Ekspertët e huaj vijnë kur nga ligji për dekriminalizimin nga drejtuesit në organet shtetërore dhe ato të pushtetit lokal, doli një radhë e madhe me precedentë penalë. Kur një pjesë e ekonomisë është e kriminalizuar nga paratë që vijnë nga trafiqet apo dhe paratë e pista të pushtetarëve të djeshëm e të sotëm. Kur njerëzit po vrasin njëri-tjetrin nga vendimet e padrejta të gjykatave dhe kur prona që ende nuk regjistrohet, përbën shkak për abuzim dhe grabitje.

Jemi vërtet në pikë të hallit! Ndaj ka një farë shprese te qytetarët se, mbase diçka do të ndryshojë në marrjen e drejtësisë pas angazhimit të ekspertëve të huaj në organet e reja ligjzbatuese. Pak i intereson shtetasit më të thjeshtë, si do të zgjidhet çështja e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm apo nëse Visho Ajazi e ka dhënë për qejfin e vet dorëheqjen apo e shtrënguan ta bëjë. Për të ka aq pak vlerë kur vetë këto institucione kanë bërë aq pak, në mos e kanë bërë keq, gjithë këtë situatë pandëshkueshmërie. Sot, një ish-drejtues i hekurudhës na del si pjesë e trafikut të drogës, e po kështu raste të ngjashme nuk mungojnë dhe në të shkuarën. Për këtë takëm dhe për ata që i kanë vënë në këto poste, mund të ketë vlerë fati i kryeprokurorit apo i gjykatësve, pasi me ata kanë mbyllur dosje e kanë dhënë vendime pastruese, por qytetarit të thjeshtë, jo. Nuk i intereson aspak.

Ndaj, për gjithë këtë klasë politike që sot del dhe bën deklarata mbështetjeje për krijimin e Task Forcës dhe për zgjidhje të problemit, ju lutem, mos flisni! ishit ju që e çuat drejtësinë në këtë gjendje! Heshtni njëherë, kokulur!

No comments: