Saturday, November 11, 2017

NË KËRKIM TË PARAVE TË PISTA

 NË KËRKIM TË PARAVE TË PISTA – OPINION NGA PLATOR NESTURI

Plator Nesturi 


Ngritja e Task Forcës Speciale sapo nisi punën për evidentimin dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve në Shqipëri. Njësia speciale, në bashkëpunim dhe ekspertët e huaj të FBI, ata gjermanë e italianë si dhe eksperten angleze, do të nisin kështu një hetim kompleks, që ka të bëjë së pari, me analizimin e informacioneve të organeve ligjzbatuese mbi grupet kriminale, vendet dhe fushat në të cilat operojnë, si dhe ndërthurjet e lidhjet e tyre me politikën apo ndihmën nga segmente të strukturave shtetërore. Kjo do të jetë edhe faza e parë e veprimtarisë së kësaj strukture të posaçme, të luftës kundër krimit.

Faza e dytë ka të bëjë me ndjekjen e parave, që janë siguruar nga aktivitetet kriminale, si dhe në sektorët ku janë investuar. Për ta dëmtuar krimin duhet ta godasësh pikërisht aty ku ai ka forcën; pra, tek paratë, me të cilat ai bëhet i pushtetshëm e që korrupton zyrtarë të shtetit e të drejtësisë, për të vijuar aktivitetin e tij.

Lidhur me këtë fazë duket se do të hyjnë në punë dhe institucionet e tjera, duke nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia, shërbimet inteligjente dhe deri te Drejtoria e Pastrimit të Parave, Tatimet, doganat, hipotekat dhe zyrat noteriale. Pra, kemi një operacion të zgjeruar, që kërkon bashkërendim e veprim të përbashkët të një sërë institucionesh, për të arritur objektivin e luftimit të krimit dhe të parave të pista, që e shoqërojnë atë.

Nëse gjatë vitit të kaluar dhe gjashtëmujorit të parë të këtij viti, sipas të gjitha informacioneve, kultivimi dhe kontrabanda e canabis sativa ka lulëzuar në gjithë vendin, atëherë paratë e siguruara nga ky aktivitet i paligjshëm, janë sërish këtu. Ose janë të depozituara në banka, ose janë përdorur në investime të tjera, për t’u pastruar si pará, ose janë përdorur për blerje të pasurive të tundshme e të patundshme. Gjithsesi, ato kanë mbetur në Shqipëri dhe duhet vetëm një hetim për të parë se ku kanë vajtur dhe njëkohësisht, kush ka përfituar prej tyre.

Në raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin e kaluar, guvernatori shprehu entuziazëm se, bankat në Shqipëri e kanë mbyllur me një bilanc tepër pozitiv. Të ardhurat e tyre ishin në 169%. Pra, në mbi 2.5 herë më shumë se viti paraardhës. Sipas raportit, kjo rritje të ardhurash ishte pse ishin ulur shpenzimet e shërbimeve në masën 80%, ndërkohë që të ardhurat nga interesat apo nga aktivitetet e tjera financiare, ishin me humbje. Po kështu, sipas raportit, sukses tjerët ishte dhe ulja e kredive të këqija në 14.7%, që edhe kaq është tepër e lartë, krahasuar me 10 vite të shkuara, kur ishte në nivelin 3-3.6%. Me një logjikë të thjeshtë, nëse aktiviteti bankar ka pësuar humbje, si në realizimin e të ardhurave nga interesat e kredive, ashtu dhe aktivitetet e tjera financiare të tyre, a ka ndihmuar në rritjen e performancës së bankave, futja e kapitaleve që janë përftuar nga aktiviteti i paligjshëm i kultivimit të drogës?

Vijojmë më tej, me një tjetër sektor. Sipas të dhënave të INSTAT-it, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sektori i ndërtimeve ka patur rritje prej 44%. Ndonëse ky sektor prej vitesh, quhej si ndër ata të cilat ishin në krizë, çuditërisht, fundi i vitit të kaluar dhe në muajt e këtij viti, kemi një bum të tij. Gjatë kësaj periudhe, nuk kemi ndonjë vepër të rëndësishme infrastrukturore si autostrada apo rrugë, që të thuash se ka sjellë rritje të këtij sektori. Po ashtu, në indeksin e rritjes së të ardhurave të popullsisë, nuk ka tregues se ka rritje të kërkesës për banesa të reja, që të faktorizojë ndërtimin e komplekseve të banimit. Gjithsesi, sektori i ndërtimit ka gjetur terren, pikërisht në komplekse të reja banimi dhe sidomos në komplekse banesash, në zonën bregdetare e hoteleri. Gjithsesi, ndonëse ndërtimet në bregdet vijojnë ethshëm, me ritme të shpejta, edhe ndërkohë që flasim, ato janë thjesht komplekse vilash dhe jo si fshatra turistikë që do të prodhojnë të ardhura në vijim, nga industria e turizmit. Në këtë aspekt, vështirë të mendohet se mbjellja e vilave në bregdet ka gjetur një treg për shitjen e tyre, përderisa raportohet se, edhe komplekset që po ndërtohen, nuk po gjejnë treg për t’i shitur ato. Kjo jo vetëm pse në kushtet ekonomike të sotme, pak shqiptarë do të shkojnë të blejnë vila në bregdet, por edhe pse këto ndërtime janë kryer dhe në zona ku nuk është zgjidhur pronësia për tokën ku ndërtohet. Me gjithë këto mangësi për gjetje tregu për kthimin mbrapsht të investimit, industria e ndërtimeve po ecën me ritme të shpejta. Ndaj, sërish, ngrihet pyetja. Mos pikërisht në shumë nga këto ndërtime që po nxitojnë të ngrihen pa një plan të sigurt biznesi, duhen kërkuar dhe shumë pará të pista që vijnë nga kultivimi dhe kontrabanda e drogës? Nuk do të ishte hera e parë në Shqipëri, që ndërtimet kanë qenë lavatriçe e parave të pista.

Task Forca e di vetë punën e saj, siç di ta bëjë edhe më mirë me anë të ekspertëve të fushës se, ku janë ndërfutur paratë nga aktiviteti kriminal. Sidoqoftë, për këdo do të ishte çudi fakti pas deklaratës së Drejtorisë së Tatimeve se, biznesi i ka borxh shtetit shumën prej 900 milionë lekësh të reja, nga mospagimi i taksave dhe i gjobave. Dhe nga kjo shumë, 1/3 e borxhit, pra, 300 milionë, janë nga 10 kompani, dy prej të cilave shtetërore. E veçanta do të ishte se, nga këto kompani të mëdha me bilanc negativ të pagimit të taksave në shtet, janë sulur me shumë efikasitet në sektorë të tjerë, si në ndërtim dhe në karburante. Dhe, çuditërisht, për këto investime janë gjetur paratë e nevojshme.

No comments: