Tuesday, November 21, 2017
FORMULA E PËRSËRITUR E DIPLOMACISË EKONOMIKE
Plator Nesturi
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”
Ditët e fundit në ambientet e Ministrisë së Jashtme u organizua një takim i përfaqësuesve më të lartë të qeverisë me ambasadorët e Shqipërisë në vendet të ndryshme. Ndryshe nga protokolli i zakonshëm ku takimet me ambasadorët bëhen në muajin shtator dhe kreu i qeverisë shpalos sukseset apo të metat të trupës diplomatike në përputhje me strategjitë e vendit drejt politikës së jashtme, këtë nëntor kemi një takim shtesë. Ndryshe nga tradicionalisht, dhe pa kaluar dy muaj nga thirrja e ambasadorëve në Tiranë, tema e diskutimit të tanishëm është tërheqja e vëmendjes për të nxitur thithjen e investimeve të huaja drejt ekonomisë shqiptare.
Sidoqoftë, një temë e ngjashme nuk është ndonjë risi. Dhe më parë janë kryer takime të kësaj natyre ku është kërkuar pikërisht një fushatë vëmendjeje për t’u fokusuar tek investimet e huaja. Çuditërisht në të gjitha këto raste kanë ndodhur gjatë mandatit të dytë të qeverive përkatëse. E fundit në këtë radhë ka qenë gjatë mandatit të dytë të qeverisë Berisha, ku takimi i kryesuar nga ish zëvendësministrja e asaj kohe, Harxhi, ngrinte në vëmendje pikërisht çështjen e investimeve të huaja e kryesisht nga kompanitë e mëdha e serioze.
Tema e takimit me ambasadorët bëhet pikërisht në një kohë që po diskutohet dhe projekt buxheti i vitit të ardhshëm dhe preokupimi i qeverisë janë pikërisht mungesa e investimeve të huaja që mund t’i japin një impuls zhvillimi ekonomisë. Ky realitet bëhet i qartë në vetë fjalën e ministrit Ahmetaj gjatë takimit me ambasadorët shqiptarë. Ministri i Ekonomisë dhe Financës u tregua i sinqertë kur u shpreh se në vend mungojnë këto investime. Gjatë kësaj periudhe ka qenë investimi i TAP dhe i hidrocentralit të Kalivaçit që i kanë sjellë ekonomisë së vendit 1,2 miliardë euro, duke kontribuar kështu dhe në rritjen e performancës ekonomike të vendit. Porse këto investime janë drejt përfundimit, çka sipas ministrit Ahmetaj, nëse gjatë vitit të ardhshëm nuk do të arrihet të kemi investime nga kompani të tjera të huaja për të përmbushur këtë boshllëk që krijohet nga TAP dhe Kalivaçi, atëherë ekonomia shqiptare do të rezultojë me së paku 200 milionë euro më pak kapital. Ndaj në këtë aspekt qeveria i drejtohet diplomatëve tanë në botë të jenë më aktivë për të promovuar vendin dhe ekonominë e tij, dhe për të gjetur kështu "klientë" të rinj për të investuar në Shqipëri.
"Asnjëri prej jush nuk më ka bezdisur për të krijuar kontakte me kompani të huaja për të investuar në Shqipëri", kjo ka qenë kritika direkte e ministrit Ahmetaj drejtuar ambasadorëve. Kjo mund të jetë një kërkesë e drejtë nëse nuk kemi të bëjmë me një fushatë të momentit kur qeverisë i duhen me urgjencë para nga investimet e huaja për t’i injektuar në ekonomi. Kur kjo ka qenë një platformë me një strategji të mirëmenduar prej kohësh dhe prej së cilës tashmë pret rezultate dhe ku diplomacia ka qenë e orientuar për ta bërë sa më tërheqëse klimën ekonomiko ligjore të vendit për investimet e huaja. Porse nuk rezulton kështu. As ka patur ndonjë orientim të mëparshëm dhe as platformë të bashkëpunimit e shkrirjes së punës midis sektorëve e institucioneve të veçantë të ekonomisë me diplomacinë aktive.
Vetë defektet e diplomacisë sonë ku drejtues në misionet e huaja vijnë ose për arsye politike apo nepotike, shoqëruar këto dhe me mjetet e pakta që kanë në dispozicion, si në fonde ashtu dhe në personel, e bëjnë thuajse të humbur që në nisje këtë betejë. Misionet tona jashtë vendit nuk arrijnë dot të shërbejnë e të mbrojnë as bizneset shqiptare dhe eksportet tona në vende të tjera. Kjo është aq e vërtetë sa vetë biznesmenët apo tregtarët janë më së shumti të interesuar të marrin shtetësi tjetër veç për faktin se nga nënshtetësia e huaj mund ti mbrojnë më mirë interesat tregtare të tyre se me pasaportën shqiptare.
Kur nuk arrijmë dot të mbrojmë interesat tona ekonomike jashtë, sa mundësi reale ka që diplomatët tanë të shndërrohen në promotorë të thithjes së investimeve të huaja. Pasi me emërimet e kryera nuk është patur parasysh as caktimi i diplomatëve që janë ekspertë në ekonomi apo në të drejtën tregtare. Mungesa e tyre në shërbimin aktiv me jashtë bën që aktiviteti real drejt sektorit ekonomik të vendit të bëhet mbi baza rastësore dhe në mënyrë amorfe. Pasi një ekspert jo vetëm di ku të drejtohet e ta paraqesë më bindëse situatën tek kompanitë e huaja që mund të operojnë në Shqipëri, por njëkohësisht mund të shërbejë dhe për të dhënë opinionin mbi rriskun e një investimi të huaj në vend, mbi kapacitetin real dhe seriozitetin e biznesit që mund t’i krijohen kushte lehtësuese nga vetë qeveria për investimin që bëhet. Në këto kushte, takimi i nëntorit me ambasadorët tanë në botë, mund të rezultojë thjesht një fushatë por pa efektivitet. Ajo çfarë kuptuam është fakti se thjesht jemi keq me investimet e huaja. Dhe jo për mungesë të diplomacisë...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment