Thursday, April 20, 2017

Prona dhe mungesa e investimeve të huaja



 Plator Nesturi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Ka më se 20 vjet, qysh nga koha kur Shqipëria filloi të linte pas krahëve ndihmat e ndërkombëtarëve për emergjencën e bukës që, herë pas here, zhvillohen tryeza e seminare me investitorë të huaj. Thirrjet e cilitdo kryeministri të radhës, për të investuar në Shqipëri, duke shpallur lehtësirat që u hapen të huajve në tregun vendas, gjithsesi nuk e kanë ndryshuar gjendjen. Investitorët seriozë e shohin, ende, me dylbi këtë cep të Ballkanit. Kësaj drame nuk i ka shpëtuar edhe kryeministri aktual, me gjithë grishjet nëpërmjet nismave mbi lehtësimin e mbështetjen për investitorët e huaj apo duke deklaruar në vizitat në vendet fqinjë se, marrëdhëniet e tregtisë dhe të shkëmbimit, do të njohin rritje dhe se investimet e tyre, mund të rriten në miliarda euro. Investimet e të huajve kanë mbetur vetëm në rangun e privatizimeve në sektorin shtetëror, porse në zhvillimin e iniciativave të tjera të lira, ndërhyrja e kapitalit të huaj është gati e papërfillshme.

Arsyet e kësaj gjendjeje, sipas specialistëve tanë, më së shumti, justifikohen ose dikur prej jo stabilitetit të brendshëm, korrupsionit dhe mangësive në legjislacion për mbrojtjen e interesave të të huajve, ose për faktin se jemi një treg i vogël dhe jo i formatuar. Porse arsyen e vërtetë, na e tha qartë dhe shkoqur, delegacioni i investitorëve gjermanë, disa kohë më parë, ashtu si dhe vetë investitorët e tjerë që kujtohen të hedhin sytë këtej, se ata nuk mund të investojnë në Shqipëri, përderisa nuk është zgjidhur problemi i pronësisë mbi tokën. Vetëm nga deklarata të tilla brusko, mund të kujtohemi se i kemi hyrë rrugës së ekonomisë së tregut me paranojat e mendësisë otomane ku pushteti qendror ishte zot i gjithçkaje dhe shpërndarja e pasurisë dhe tokës, ishte në dëshirë të këtij vullneti.

Ndërkohë, harrohet se ndër obligimet kryesore që ndërkombëtarët kushtëzojnë integrimin e vendit në BE dhe strukturat euroatlantike, përveç zgjedhjeve të lira, drejtësisë funksionale dhe luftës ndaj krimit e korrupsionit, është, në radhë të parë, zgjidhja e problemit të pronësisë mbi tokën. Deri më tani, klasa jonë politike, thjesht, ka fshehur kokën në rërë, duke mos guxuar ta shohë në sy këtë problem, ndërsa për opinionin publik, referenca e kësaj teme të nxehtë, shpërfaqet sa herë banorët përplasen me ndërtuesit për ndonjë fshat turistik me bekim qeveritar në bregdet, atëherë kur kujtohet se fatura e ligjit të legalizimeve për pronat e zaptuara do të paguhet nga qytetarët e ndershëm, apo sa herë ish-pronarët shqiptarë fitojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

Ndërsa flasim për të drejtën e pronës si një e drejtë e shkelur, abuzimet mbi të dhe pasojat që ka sjellë kjo gjendje në ecurinë e zhvillimit ekonomik, shpesh, baza e konflikteve ka si zanafillë origjinën e saj. Në të vërtetë, origjina e pronës parë në evoluimin e saj, përbën dhe terrenin ku mbështeten marrëdhëniet e tregut imobilar e më tej në sferën e investimeve mbi të.

Por sa e njohur është, për ne shqiptarët, origjina e pronave? Si pjesë përbërëse e perandorisë osmane, gjithçka, tokat bujqësore, livadhet, pyjet e malet, sipas normës së kohës, kishin një pronar të vetëm: Sulltanin. Sistemi i timareve që u përdor deri në gjysmën e shekullit 19, shpërblente me prona kastën ushtarake, që mblidhnin taksat dhe jepnin një numër të caktuar ushtarësh për në luftë, porse këto prona nuk ishin të trashëgueshme. Pas reformës së Tanzimatit, godina osmane pëson ndryshime të ndjeshme, duke vendosur rregulla më moderne. Në vend të timarlinjve, krahu i zgjatur i perandorisë, bëhen zyrat kadastrale që regjistrojnë gjithçka për të përcaktuar dhe taksat. Ndonëse sulltani ruan të drejtën e pronarit, në këtë kohë nisin dhe marrëdhëniet e ekonomisë së tregut, shitblerjes së pronave etj. Ligji i tokës i vitit 1858, përcaktonte këto marrëdhënie të reja dhe ishte i vlefshëm jo vetëm gjatë ekzistencës së perandorisë, por shërbeu dhe në vitet e para të shtetit të ri shqiptar. Madje mund të thuhet se, nga shpallja e pavarësisë në vitin 1912 dhe deri në 1921-’22, baza ligjore dhe marrëdhëniet e tregut vijuan me inercinë e legjislacionit turk dhe dokumentet, gjithashtu, hartoheshin në gjuhën arabe. Është interesante se kalimi i së drejtës së pronësisë nga perandoria drejt shtetit të ri shqiptar u bë në mënyrë të butë dhe pa trauma të rënda. E pra, kjo nuk mund të thuhet në ditët e sotme, kur ndonëse trashëgojmë të njëjtin shtet, kalimi nga një sistem në tjetrin është përcjellë me kaq pasoja për shqiptarët e të drejtën e pronës së tyre.

Gjatë viteve ’20 dhe periudhës së mbretërisë, autoritetet shqiptare vijuan të njëjtën rrugë për evidentimin dhe regjistrimin e pasurisë shtetërore dhe të personave privatë. Dokumentet e kësaj kohe në arkivat tona, janë shembulli më i mirë i funksionimit te shtetit dhe që paradoksalisht, edhe pas 70 vjetësh, shërbejnë si dokumenti parësor që vërteton pronësinë mbi pronën. Më tej, historia është më e njohur. Instalimi i regjimit komunist, e shoqëruar me shtetëzimet, reformën agrare e më pas kolektivizimin e tokës, dihet se sollën atë deformim të madh, që jo vetëm i zhveshi shqiptarët nga e drejta e pronës, por dhe traumatizoi zhvillimin ekonomik dhe tregun.

Çështja që diskutohet sot, është përse, pas 27 viteve tranzicion, ende nuk gjendet zgjidhje për çështjen e pronës. Për mënyrën si po veprohet, duket se Shqipëria sapo ka dalë nga viti zero, dhe historikun e pronës në të, po e diktojnë abuzuesit me pronën dhe zaptuesit e rinj të tokave rreth qyteteve dhe në bregdet. Problemi që shtrohet është, dhe sa kohë do të vijojmë në këtë rrugë dhe sa do të jetë fatura e humbjes së perspektivës së zhvillimit.

No comments: