Monday, April 17, 2017

Evet! Referendumi dhe e ardhmja e Turqisë.



Gazeta Impakt - April 17, 2017212

Olsi Jazexhi

Fitorja e referendumit i cili synon të kthejë Turqinë nga një republikë parlamentare në republikë presidenciale, është një ngjarje me rëndësi në historinë e Turqisë. Edhe pse votuesit turq që mbështetën Partinë e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK) të presidentit Erdogan dhe Partinë e Lëvizjes Kombëtare (MHP) të Devlet Bahçelit fituan me një avantazh të vogël prej 51.3% të votave, rezultati pas kësaj i jep të drejtë qeverisë aktuale turke dhe presidentit të saj që të ndryshojnë sistemin. Turqia pas kësaj do të kthehet nga një republikë parlamentare në një republikë presidenciale.

Turqia si shtet modern republikan u krijua nga Mustafa Qemal Ataturku në vitin 1923. Ajo ka patur një histori stabile përgjatë të gjithë shekullit të XX. I krijuar si një shtet muhaxhirësh, apo imigrantësh muslimanë që u dëbuan nga Ballkani dhe Rusia, dhe turqish e kurdësh autoktonë, Turqia përgjatë të gjithë shekullit të XX është dominuar nga ballkanasit, apo ata që njihen si turqit e bardhë. Elita që Ataturku instaloi në pushtet, jo vetëm që e ndau Turqinë nga e kaluara e saj osmane, por i shpiku edhe një identitet të ri. Ataturku siç edhe emri i tij – babai i turqve tregon – shpiku turqit! Duke asimiluar popullatat vendase dhe muhaxhire ai ndërtoi një komb turk mbi miletet osmane. Duke e kthyer vendin nga teokraci për në republikë, ndryshuar alfabetin dhe gjuhën, hequr sulltanatin dhe vënë republikën, largimin e fesë nga jeta publike dhe adaptimin e nacionalizmit si fe zyrtare, Turqia u ndërtua si një shtet i cili synonte të kopjojë në çdo aspekt shtetet perëndimore dhe në veçanti Francën. Turqia moderne është produkt i presidentit Ataturk dhe i gjashtë shigjetave ataturkizmit që ishin: Republikanizmi, populizmi, laicizmi, reformizmi, nacionalizmi, dhe shtetizmi.

Por rishfaqja e Islamit politik në Turqi me Nexhmedin Erbakanin, dhe më pas sukseset që Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit ka patur në udhëheqjen e vendit nga viti 2002 e deri më sot, po e ndryshojnë natyrën e republikës turke. Turqia e sotme është larguar nga shekulli i reformave ataturkiste dhe ka hyrë në një rrugë të re, e cila ndërsa nuk është islamike, po i sjell vendit një identitet të ri.

Kryeministri dhe më pas presidenti Rexhep Taip Erdogan, është kthyer në figurën kryesore të Turqisë së shekullit të XXI, dhe ai po e udhëzon Turqinë për në rrugë të cilat as nuk kanë qenë të imagjinueshme gjatë shekullit të XXI. Ëndrra e lëvizjes islame të Nexhmedin Erbakanit ka qenë që Turqinë të shndërroj nga një vend autoritar ataturkist, satelit i Amerikës dhe bazë e NATO-s në një vend udhërrëfyes për botën e Islamit. Ëndrra e Erbakan hoxhës, siç ai thërritej nga ndjekësit e tij ishte që Turqia të udhëheqë grupin D-8 apo Tetë Vendeve Muslimane në Zhvillim: Turqisë, Iranit, Malajzisë, Indonezisë, Egjiptit, Bangladeshit, Pakistanit dhe Nigerisë. Erbakani donte që të krijonte një bllok të ri në botë: Bllokun e Vendeve Muslimane, i cili do të ishte i pavarur nga kontrolli i NATO-s apo fuqive të tjera botërore dhe Turqia të ishte lideri i saj.

Megjithatë, rrëzimi i Erbakanit nga pushteti në vitin 1997 dhe mbyllja e partisë së tij në vitin 2001, në skenën politike turke solli Erdoganin me partinë e tij, AK Partinë.

Shumë studiues të Turqisë, kanë vënë në pah që Erdogani nuk ka ndjekur udhën e Erbakanit për ta bërë Turqinë një vend model dhe udhëheqes në botën islame. Në Turqi nuk ka ndodhur një revolucion islamik, sipas modelit të Sejid Kutbit, Ajatollah Khomeinit apo Leninit. Erdogani nuk ka ndjekur pan-islamizmin e sulltan Abdylhamitit II dhe Xhemaludin Afganit. Por nën sundimin e AK Partisë vendi ka ndërtuar një kult nacionalist personaliteti – të projektuar mbi udhëheqësin Erdogan. Pra Erdogani ka kopjuar pak a shumë Ataturkun, me përjashtimin e vetëm se ai del në publik si musliman dhe gruan e ka me shami.

Por ndryshe nga Ataturku i cili e paqëtoi vendin dhe nuk e lejoi Turqinë që të marrë pjesë në luftëra të huaja, Turqia e Erdoganit që prej vitit 2003 është bërë pjesë e një seri agresionesh imperialiste kundër botës islame. Erdogani mbështeti pushtimin amerikan të Irakut në 2003. Në 2011 mbështeti agresionin kundër Sirisë, bombardimin e Libisë nga NATO, agresionin saudit kundër Jemenit dhe Turqia e Erdoganit – ndryshe nga Turqia e Ataturkut që qëndronte larg monarkive absolute – ka mbështetur monarkitë vehabiste të Arabisë Saudite, Bahreinit dhe Emirateve Arabe në shtypjen që ato i bëjnë lëvizjeve demokratike në vendin e tyre. Duke qenë mbështetëse e Vëllazërisë Muslimane në Egjipt, Turqia ka krijuar marrëdhënie të acaruara me Egjiptin. Dhe si pasojë e politikave jo të menduara mirë, Turqia sot ka probleme apo ka patur edhe tensione ushtarake me Rusinë, Amerikën, Bashkimin Evropian, Izraelin, Bullgarinë, Armeninë, Sirinë, Iranin dhe Greqinë.

Karakteri arrogant i presidentit Erdogan ka krijuar tensione në vend, dhe që pas grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 vendi jeton në gjendje të jashtëzakonshme. Shteti turk është në luftë të brendshme me irredentizmin kurd, grupin e Fetullah Gylenit, partitë laike dhe grupet vehabiste të cilat nuk e pëlqejnë pushtetin aktual. Vendi vuan nga sulmet terroriste që i vinë si nga nacionalistët kurd ashtu edhe nga militantët vehabistë që Turqia vetë i stërviti si diversantë kundër Sirisë. Në anën tjetër Turqia është në gjendje lufte me Sirinë, dhe sheh me tmerr krijimin e Kurdistanit të madh në Irak, Siri dhe në të ardhmen ndoshta edhe në Turqi.

Referendumi për ta kthyer Turqinë në një shtet presidencial, ndryshe nga qysh Erbakani do kishte dëshiruar – që ta kthente Turqinë në një sulltanat apo Republikë Islamike – sot bëhet nga presidenti Erdogan për ta kthyer veten e tij në një president me fuqi të jashtëzakonshme në vend dhe për të sunduar sa më gjatë.

Fitorja e ngushtë e Partisë së Erdoganit në referendum, i jep tani të drejten presidentit që të krijojë vetë qeverinë dhe sundojë vendin me dorë edhe më të hekurt sesa deri më sot. Por a do të thotë kjo që Turqia këtej e tutje nuk do të jetë më republikë por sulltanat? Unë mendoj që jo. Ajo thjeshtë do kthehet në një vend që sundohet nga një njeri i vetëm, sikur fjala bie Bjellorusia, Singapori apo Siria. A do të përfitoj Islami dhe muslimanët e Turqisë nga ky referendum? Unë besoj që jo. Edhe pse servilët e qeverisë, duke përfshirë këtu edhe katundarët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia do të përfitojnë fonde dhe para ndërsa do bëjnë dua për Erdoganin, muslimanët turq nuk do të fitojnë shumë. Pse duke u kthyer në një vend autoritar, intelektualët dhe fetarët turq nuk do kenë më lirinë e mendimit dhe besimit që ata kishin në vitet 2004 e më pas kur Turqia u liberalizua nga diktatura ataturkiste. Turqia e pas grushtit të shtetit është kthyer në një vend ku shumë njerëz kanë frikë të flasin si ua thotë mendja. Dhe një gjë e këtillë është kundër natyrës njerëzore dhe lirive që Kurani propagandon. Po tani, a do e kthejë Erdogani Turqinë në një republikë islamike, sikur është Pakistani apo Irani? Duke ditur ideologjinë e AK Partisë dhe deklaratat e shumta të presidentit Erdogan, unë mendoj që një gjë e këtillë ka shumë gjasa të mos ndodhi. Erdogani nuk është filozof islamist sikur ishte Sulltan Abdylhamiti II, Imam Khomeini, Sejid Kutbi, Xhemaludin Afgani apo Allama Muhamed Ikbali. Ai është një ish-futbollist i kthyer në president, i cili pasi erdhi në pushtet në vitin 2002 e spastroi AK Partinë nga revolucionarët islamistë të Erbakanit. Pra mendoj që Turqia nuk do kthehet në një republikë islamike, por në një vend autoritar ku kulti i Ataturkut do të zëvendësohet nga kulti i Erdoganit, dhe nacionalizmi ataturkist do të zëvendësohet nga populizmi erdoganist – kuptohet nëse pushteti i Erdoganit zgjat gjatë.

Po në skenën ndërkombëtare, referendumi dhe kthimi i Turqisë në republikë presidenciale, a do i bëj mirë Turqisë? Sërisht, mendoj që jo. Presidenti Erdogan ka dëshmuar që nuk e njeh mirë politikën ndërkombëtare. Nën udhëheqjen e tij, Turqia është bërë faktor që ka nxitur krijimin e terrorizmit në Siri, shkaktuar djegjen e Sirisë, krijimin e Kurdistanit të madh, nxitjen e terrorizmit në vend, dhe hasmërimin e Turqisë me të gjithë fqinjët e saj. Sot Turqinë nuk e do as Amerika dhe asnjë fqinj i saj. Edhe Rusia e cila i qëndroi pranë dhe e ndihmoi pas grushtit të shtetit e di që Erdogani është i paparashikueshëm. Turqia, nën udhëheqjen e presidentit Erdogan është bërë palë me regjimin saudit në djegjen dhe destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe vuajtjet e miliona muslimanësh. Dhe siç ka theksuar edhe ish-kryeministri Davutoglu – qeveritë arabe nuk i duan turqit.

Fitorja e referendumit në Turqi, ndërsa në aspektin kohëshkurtër do i japi fuqi të shumta presidentit Erdogan për veten e tij dhe ndryshuar sistemin në vend, në aspektin afatgjatë është e keqe për vendin. Muslimanët që mendojnë se duke patur një president autoritar Turqia do jetë më mirë, duhet ta dinë që në demokraci presidentët janë të përkohshëm. Në zgjedhjet e ardhshme, nëse kriza ekonomike dhe politike në Turqi thellohet, Erdogani mund të humbë. Ai mund të zëvendësohet nga ndonjë president laik, i cili do të fshijë të gjithë arritjet dhe liritë e muslimanëve në Turqi, ashtu sikur Kenan Evreni bëri në kohën e tij.

Prandaj Turqia presidenciale nuk është e mirë në aspaketin afatgjatë. Sistemi parlamentar garanton më shumë liri dhe shpërndarje të pushtetit. Dhe Turqia ka nevojë për më shumë liri dhe shpërndarje pushteti.

Megjithatë, Allahu e di më së miri.

No comments: