Friday, November 3, 2017

TURIZMI, PRONA DHE ABUZIMI

 TURIZMI, PRONA DHE ABUZIMI – OPINION NGA PLATOR NESTURI

OPINION NGA PLATOR NESTURI

Publikuar më: 03-11-2017

Link

TURIZMI, PRONA DHE ABUZIMI – OPINION NGA PLATOR NESTURI Nga Plator Nesturi
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ligji për turizmin ripunohet vazhdimisht, prej vitesh. Që nga viti 2007, kur BE-ja imponoi që vendi duhet të kishte një ligj që duhet të rregullonte këtë sektor të rëndësishëm, por pak të shfrytëzuar të vendit, shumicat e ndryshme parlamentare kanë ndryshuar apo kanë bërë modifikime të tij. Në kërkim të rregullimit me çdo kusht të sektorit turistik shqiptar, teksa ky duket se tashmë ka përcaktuar rregullat e veta dhe funksionon qetësisht, si me rregulla shteti apo jo. Pa pretenduar shumë, por edhe pa ofruar shumë, përderisa në Shqipëri, ende nuk ka një ligj komplementar të turizmit si të tillë, i cili të ofrojë qartësisht rregulla precize dhe standarde turistike, nën një sistem unifikues. Për të mos folur pastaj për një strategji të mirëfilltë qeveritare të turizmit, e cila të caktojë saktësisht shtyllat e një plani kombëtar veprimi afatgjatë, rreth të cilave turizmi jo vetëm të orientohet, por edhe të disiplinohet. Për të pretenduar paskëtaj, si rezultante të tyre, një ofertë të mirëfilltë dhe kualitative turistike të këtij vendi, i cili me gjithë "ekspansionin" e frikshëm të njësive të tij akomoduese, bareve apo restoranteve të panumërta, ende operon larg standardeve që garantojnë cilësinë si të tillë. Prej vitesh, ministria e Turizmit nuk bën gjë tjetër, veçse orvatet mes përpjekjeve sporadike, për "të futur duart" në një ligj që edhe atë, mezi e bënë ndërkombëtarët, dhjetë vite më parë, saktësisht Organizata Botërore e Turizmit nëpërmjet asistencës holandeze. Dhe që atëherë, disa herë, ky ligj është ndryshuar, teksa ministria e Turizmit ka deklaruar se ka filluar nga puna sërish, për rishikimin e tij. Sikundër ka pohuar se po konsolidon edhe të ashtuquajturën e të shumëpërfolurën "strategji e turizmit", e cila në fakt, arriti të përvijohej dhe prej qeverisë së shkuar. Por si rotacionet në Shqipëri, përveçse politike, ashtu dhe mandatet e reja, duket se kanë qenë "turistike" në qasjet apo përpjekjet, sërish në kuadrin e gjetjes së një kornize ligjore të sofistikuar, për ta "vënë në shina", njëherë e mirë, turizmin e këtij vendi, i cili, mesa duket, edhe pa to, po mbijeton. Madje, ka arritur t'i japë një leksion të madh politikës, duke arkëtuar gjithmonë e më shumë para në arkën e buxhetit dhe duke i treguar kësisoj, se teksa shteti është në kërkim të një strategjie, ai është në kërkim të mbijetesës. Dihet, se lufta për këtë të fundit, gjeneron gjithmonë energjitë më të forta dhe të fshehura te gjithkush. E mesa duket, edhe tek turizmi. Ndoshta këtu qëndron pikërisht dhe suksesi i tij, edhe pse ende pa "ombrellën" shtetërore të një strategjie të mirëfilltë dhe një ligji të kopsitur një herë e mirë.

Turizmi në strategjinë e re të ekipit të ri të ministrisë që mbulon këtë sektor, ka shpallur se do të ketë një vëmendje më të dedikuar ndaj Mjedisit dhe Zhvillimi Urban. Kjo është ajo çka po përpiqet të ofrojë, së fundmi, pala zyrtare shqiptare, në këndvështrimin turistik. Duke i mëshuar kësisoj, rolit të padiskutueshëm që, sipas saj, ushtron secili nga këta elementë tek njëri-tjetri. Për të pretenduar në fund, ofrimin e një produkti cilësor turistik. Shqipëria është mjaft interesante në llojin e vet, pasi trashëgon një amalgamë të vërtetë të tyre, e cila, pse jo, e bën edhe unike ndër vendet e rajonit, me traditë në fushën e turizmit. Për këtë, vetë ministri Klosi është shprehur se do të iniciojë një rishikim dhe ndryshim tjetër të ligjit mbi turizmin, për të harmonizuar faktorët e zhvillimit. Kjo është diçka pozitive, veç të mos harrojmë se mosfutja e shumë kompanive me emër në botë në sektorin e turizmit, vjen si shkak dhe i moszgjidhjes së problemit të pronësisë mbi tokën. Këtu duhet të hyjnë në lojë institucione të tjera shtetërore, që duhet të zgjidhin këtë problem. Është paradoksale fakti që, në pjesën më joshëse dhe më premtuese të zhvillimit të turizmit, në bregdetin e jugut jemi në nivelin më të ulet të regjistrimit të pronave në rang kombëtar. Dhe kjo nuk sjell vetëm mungesë të investimeve të kompanive të huaja e prestigjioze në bregdetin tonë, pasi ata nuk marrin riskun të investojnë në një terren ku nuk dihet pronari, por sjell dhe agravim të problemeve sociale. Mangësia në regjistrimin e pronës bëhet pengesë edhe për vetë planet e zhvillimit që mund të ketë qeveria shqiptare. Rasti i Himarës ku çështja e pronësisë mbi tokën dhe truallin ka sjellë përplasje, të cilat kanë mbi një vit që herë agravohen e herë bien në letargji, dëshmon se vetë shteti është deficitar në përmbushjen e detyrimeve të tij ndaj qytetarëve, atë të garantimit dhe regjistrimit të pronës.

Një faktor tjetër që mund të sjellë shmangie me pasoja të pariparueshme në sektorin e turizmit, janë lëshimi pa kriter i lejeve për resorte turistike. Shqipëria ka një vijë bregdetare dhe ajo aq është, nuk mund të shtohet më tej. Në rast se lëshohet dora për leje pafund ndërtimesh për turizëm, pa kritere të qarta, e gjithë kjo do të shndërrohet në bumerang. Fshatrat turistikë që janë ndërtuar e ndërtohen, kanë vetëm emrin të tillë, pasi, më së shumti, janë komplekse banimi me vila dhe apartamente që u shiten qytetarëve dhe nuk funksionojnë si fshatra turistikë. Në këtë mënyrë, ato shndërrohen thjesht në komplekse banimi, që s'kanë të bëjnë me industrinë e turizmit. Vija bregdetare kështu do të humbasë vlerën e saj, për të siguruar të ardhura nga turizmi. Ajo do të shndërrohet në një fitim të shpejtë nga shitjet për kompanitë ndërtuese, por që do të ndikojë rëndë për vetë të ardhmen e turizmit. Vendet më të mira të bregdetit, do të shndërrohen në shtëpi e vila private, duke bërë një betonizim sipas modelit të Sarandës. Por turizmi konkurrues me vendet e rajonit, do të humbasë thjesht si një ide e pashfrytëzuar.

No comments: