Monday, October 17, 2016

Kë kërcënon Greqia?

Blendi Fevziu

Blendi1
Nga Blendi Fevziu –
Ka qenë befasuese, e çuditshme dhe minimalisht e gabuar deklarata që Ministri i Jashtëm Grek, Kocias ka bërë për shtypin e Athinës javën që kaloi. Duke ju përgjigjur një pyetje për pretendimet shqiptare dhe “presionin” që Shqipëria po bën për çështjen çame ai është shpehur:

“Greqia ia kalon (Shqipërisë) në të gjitha drejtimet. Ka dhjetëfishin e GDP-së, sisteme të shumëfishta mbrojtjeje dhe sigurie, shumëfish forcë ekonomike. Ata janë të varur sa i përket ekonomisë, remitancave të emigrantëve, investimeve, tregtisë. Kemi edhe përfaqësim asimetrik në arenën ndërkombëtare. Ndaj është mirë që të bashkëpunojnë, të bëhen realistë dhe të ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve të përfitimit të përbashkët. Të zgjidhim çështjet e hapura bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe traditën europiane”

Përtej të qenit një kërcënim i mirëfilltë dhe një deklaratë që në raportet mes dy vendeve thuajse nuk dëgjohet që nga fillimi i viteve ’90 – të, deklarata e Kociasit është edhe në konflikt të hapur pikërisht me atë që vetë Kocias pretendon. Pra “me të drejtën ndërkombëtare dhe traditën europiane”. Pak ditë më parë, Komisioneri Hahn duke ju përgjigjur një eurodeputeteje greke në Bruksel, është shprehur për problemet e mbetura pezull mes dy vendeve:

“Këtu përfshihet përcaktimi i shelfit kontinental dhe zonave detare shqiptaro-greke, të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve dhe çështjen çame.”
Pra është pikërisht Europa ajo që sugjeron gjetjen e një zgjidhje mes dy vendeve dhe që e konsideron çështjen Came një problem real. Një çështje që për herë të parë që nga viti 1945 del nga raportet dy palëshe dhe kthehet në një çështje zyrtarisht ndërkombëtare. Edhe pse Greqia vijon të përsërisë refrenin e saj siç i shkruajti edhe Komisionerit Hahn:

“Për Greqinë nuk ekziston çështje çame, e si rrjedhojë, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë një çështje të tillë në agjendën greko-shqiptare”
Pra në këtë drejtim, Kocias, nëse ka ndonjë vërejtje, duhet t’ja adresojë atë Brukselit. Ai duhet t’i tregojë GDP, sistemet e mbrojtjes dhe fuqinë ekonomike pikërisht atyre që po mbajnë ende në këmbë me paratë e taksapaguesve të tyre një shtet të falimentuar, një shoqëri që s’po gjën shpëtim dhe një klasë politike krejtësisht parasite dhe të vetëkënaqur.

Në fund, nëse flasim për raportet mes dy vendeve, PO, Kocias ka të drejtë. Ai thotë se Shqiptarët e shohin Greqinë të dobët. Në fakt, jo vetëm Shqiptarët po gjithë Ballkani ka thuajse 8 vite që ndjek më ankth përpëlitjen greke dhe pamundësinë e europës për të ndihmuar një shtet të falimentuar. Një shtet të dobët, që nuk është as hija e atij që hiqej 10 vjet më parë. Por Shqipëria nuk mbështetet mbi fuqinë apo pafuqinë e Athinës. As politikat nuk i ka ndërtuar mbi një bazë të tillë.

Shqipëria mbështetet mbi një të drejtë që Greqia e ka refuzuar me arrogancë, e ka konsideruar inekzistente nisur edhe nga pafuqia që Shqipërisë i vinte nga izolimi. Sot gjerat janë ndryshe dhe Greqia, duhet t’i adresojë problemet ashtu siç janë dhe t’u japë atyre një zgjidhje reale, siç sugjeron edhe Hahn. Nëse Kocias kujton sistemet e mbrojtjes dhe ushtrinë, edhe pse nuk është etike, mund t’i kujtonim Ministrit të Jashtëm Grek që vendi i tij në 100 vitet e fundit nuk ka fituar asnjë luftë, përkundrazi, ka qenë dukshëm inferior ndaj ndonjë vendi fiqnjë, nga i cili e ka shpërtuar NATO dhe integrimi Europian dhe jo sistemet e mbrojtjes apo ushtria.

Greqia dhe Shqipëria duhet të kenë marrëdhënie të mira dhe bashkëpunimi, por këto s’mund të jenë kurrë marrëdhënie diktati. Kjo histori ka marrë fund dhe e para që duhet ta ndjejë këtë është Athina zyrtare. Raporti i mirë mes dy vendeve ju vlen jo vetëm atyre, por gjithë rajonit!

No comments: