Nga Andi Bejtja - 12:01, 14/11/2016
Syri.net
Kontinenti i parë më i ekspozuar duket qartë që është Evropa. Kjo shihet dhe në nervozizmin gati fëminor të disa prej liderëve të saj. Sot që po flasim askush nuk di të parashikojë në terma afatmesëm fatin e Aleancës më të madhe të sigurisë NATO-n. Janë disa marrëveshje të mëdha e të vogla të fushave të ndryshme që kanë mbajtur në këmbë Aleancën e Madhe euroatlantike, të cilat Trump ka deklaruar se do t’i zhbëjë. Raporti me Rusinë, që deri dje i jepte zemër kontinentit plak dhe e mbante të kompaktësuar do jetë ndryshe. Për herë të parë kemi një padi ndaj përfaqësuesit të një trusti të madh si Xhorxh Soros, që disa qeveri amerikane rresht i kishin besuar të luante fijet në Evropën Juglindore dhe Ballkan.
Ekziston një rrezik potencial që interesat gjeopolitike të ndryshojnë sa hap e mbyll sytë dhe vende të vogla si ne, të kthehen në situate të tilla si 100 vjet më parë, ku mund të gjendemi në atë pjesë të rrotës së historisë ku shkelet balte. Nuk e përjashtoj mundësinë të gjendemi dhe në pjesën me dritë të rrotës: por një gjë është e sigurt, gjithçka do të ndryshojë për mirë a për keq më shpejt se na mund ta perceptojmë.
Ku jemi ne si Shqipëri dhe si shqiptarë në këtë situatë? Janë me dhjetëra pyetje dhe pikëpyetje që na i imponon epoka Trump përgjigja e të cilave mund të na e bëjë fatin të zi apo të bardhë sa hap e mbyll sytë. Shpeshherë ka qenë Evropa që ka folur për ne, këtë herë duhet të flasim më shumë dhe vetë se Evropa duket qartë që për momentin nuk di se ku ka kokën. Gjithçka na imponon t’i shikojmë marrëdhëniet me të tjerët ndryshe, dhe jo vetëm me Evropën, por edhe me Rusinë, Kinën apo Lindjen e mesme.
Pra ku jemi ne në këtë situatë? Deri më tani kemi një Kryeministër që u nxitua të shprehej publikisht kundra Trump, shqip dhe anglisht, në Tiranë dhe Uashington, përfaqësues i dalluar i lobit të mundur e të paditur legalisht indirekt nga Trump dhe të vetmet që kanë kontakte me Trump dhe stafin e tij, të paktën deri tani me sa kemi parë, janë një këngëtare si Bleona Qerreti dhe një modele si Anxhela Martini.
Nuk besoj se të dyja këto mjaftojnë dhe janë në gjendje për ta mbajtur Gjeopolitikën aty ku duam ne të jetë. Ndërkohë që në stafin e Donald Trump ka disa këshilltarë ballkanikë ku dominojnë ata me origjinë greke. Edhe Kosova ndodhet pak a shumë në të njëjtën situatë, pavarësisht se liderët e saj u treguan shumë më të kujdesshëm ndaj kandidatit Trump gjatë fushatës zgjedhore në Amerikë.
Çfarë duhet të bëjmë në këtë situatë?
Së pari duhet ta lexojmë sa më qartë lëvizjen Trump, në mënyrë që edhe në Shqipëri, të krijohet një shtrat që uji i kësaj lëvizje sado vonë të rrjedhë këtej të mos gjejë pengesa. Te kjo pjesë barra i bie shoqërisë civile shqiptare dhe të ashtuquajturve intelektualë, nëse kanë mbetur akoma të tillë. Ndërrimi i Elitave këtu është një punë që nuk mund të na e kryejë një biznesmen si Trump.
Së dyti, në këto kushte na duhet një politikë konsensuale, liderë konsensualë, konsensualë në Shqipëri por edhe të mirëpritur e konsensualë, në Kosovë dhe kudo ku ka Shqiptarë. Dhe jo vetëm kaq na duhen liderë konsensualë dhe për rajonin se nesër, Ballkanit dhe ndoshta dhe më gjerë do t’i duhet më shumë se kurrë të marrë vendime në bllok, në kohezion dhe me konensualitet për të marrë më të mirën nga Epoka e re që mban emrin Trump.
Dhe së treti dhe së pari Shqipëria dhe Kosova, duhen të krijojnë sa me shpejt të jetë e mundur një organizëm të përbashkët, ku të mblidhen politikanë me eksperiencë, diplomatë, intelektualë, filozofë, ekspertë financash, një lloj ministrie mbarëshqiptare, që duhet të përgatisë strategjinë mbarëkombëtare për të marrë më të mirën nga Epoka Trump. Bota po ndryshon dhe ne nuk mund të jemi më të njëjtët, jemi aq të vegjël dhe fatkeqësisht aq të papërgatitur për ndryshime historike të mëdha, sa një vendim, apo dhe një fjalë e pamatur, mund të na kthehet sa hap e mbyll sytë qoftë në një lule qoftë në një thikë, që mund ta kthejë Shqipërinë 100 vite më pas.
No comments:
Post a Comment