Wednesday, January 17, 2018
Kërkesat për autonomi tensionojnë marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Rumanisë
Hungaria dhe Rumania janë në sherr - sërish- mbi çështjen e kërkesës së hungarezëve të Transilvanisë për autonomi, kërkesë për për të cilën ekspertët thonë se Bukureshti do të duhet të përgjigjet një ditë.
Autor: Ana Maria Luca | BIRN | Bukuresht
Festivali Ezekler në Rumani. Foto: Derzsi Elekes Andor/Wikimedia Commons
Kërkesa e rinovuar për autonomi nga minoriteti etnik hungarez në Rumani shkaktoi një tensionim të ri në marrëdhëniet mes Bukureshtit dhe Budapestit.
Rumania këtë vit feston njëqind vjetorin e bashkimit të saj me rajonin e Transilvanisë, i cili dikur ishte pjesë e Hungarisë – por përgatitjet për festë janë shoqëruar me pakënaqësi në rritje mes hungarezëve.
Tri partitë kryesore të hungarezëve në Rumani, Bashkimi Demokratik i Hungarezëve në Rumani, Partia Popullore Hungareze në Transilvani dhe Partia Civile e Hungarezëve nisën më 8 janar një kërkesë të përbashkët për autonomi territoriale, vendore dhe kulturore.
Lëvizja ka mërzitur politikanët në Bukuresht të cilët i shohin kërkesa të tilla si të papranueshme, veçanërisht pasi Hungaria deklaroi të enjten se nisma e tre partive ishte iniciuar dhe ndërmjetësuar nga Katalin Szili, i dërguar i kryeministrit hungarez Viktor Orban.
Gjithsesi, analistët në Rumani thonë se të dy vendet kanë nevojë të trajtojnë çështjen, bazuar në dokumentet historike, ose përndryshe situata mund të përkeqësohet.
Kërcënimet rumune për të ‘varur’ separatistët:
Gjatë një emisioni televiziv në Realitatea TV në Rumani, kryeministri i vendit Mihai Tudose jo vetëm i hodhi poshtë kërkesat për autonomi vendore për bashkësinë e hungarezëve por kërcënoi gjithashtu se do t’i “varë” separatistët.
“I dërgova një mesazh, nëse flamuri Szkler [flamuri i minirotetit hungarez] varet në institucionet vendore, ata do të duhet të varen pranë tij. Szeklers nuk do të marrin autonomi në asnjë mënyrë,” tha ai.
Presidenti i Bashkimit Demokratik të Hungarezëve në Rumani, Porcsalmi Balint, dënoi të martën mesazhin e Tudose duke thënë se një mesazh i tillë “vjen drejtpërsëdrejti nga Mesjeta”.
Të premten, Ministria e Jashtme e Hungarisë thirri ambasadorin e Rumanisë, Marius Lazurca, për shpjegime, duke e cilësuar deklaratën e Tudose të papranueshme.
Por zemërimi është rritur mes politikanëve të Rumanisë, veçanërisht pasi agjencia shtetërore e lajmeve të Hungarisë MTI zbuloi të martën se marrëveshja mes tri partive hungareze në Rumani dhe thirrja e tyre për autonomi ishte iniciuar dhe ndërmjetësuar nga qeveria e Hungarisë.
Deputetët etnikë hungarezë kanë dorëzuar shumë projekte për ligje për autonomi, i fundit në dhjetor 2017, por asnjë prej tyre nuk i është nënshtruar debatit parlamentar.
Në qershor 2017, kur Partia Social Demokrate në qeveri po negocionte me Bashkimin Demokratik të Hungarezëve për mbështetjen e mocionit të shkarkimit kundër qeverisë së asaj kohe, partia në pushtet premtoi se do të fuqizonte të drejtat e bashkësisë hungareze.
Por menjëherë pas marrjes së pushtetit ata e shkelën premtimin dhe ndaluan diskutimin e projektligjit pasi shumë anëtarë të kësaj partie dhe deputetë të opozitës e kundërshtuan planin, veçanërisht një pjesë të tij që flet për shpalljen e 15 marsit ditë feste zyrtare.
Kjo ditë shënon fillimin e revolucionit të vitit 19848 në Budapest, të cilin rumunët nuk e pëlqejnë për shkak se ai revolucion solli bashkimin e Transilvanisë me Hungarinë.
Histori e komplikuar nga këndvështrime të ndryshme:
Ekspertët thonë se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë gjithmonë të tensionuara për shkak të historisë së tyre të komplikuara dhe pakënaqësive me rrënjë të thella të përkeqësuara nga regjimet komuniste në të dyja vendet.
Rumania është shtëpia e 1.2 milionë shtetasve hungarishtfolës, shumica e të cilëve Szeklers, një fis që mbretëria e Hungarisë e vuri në Transilvaninë jug-lindore për të siguruar kufijtë e vet në Mesjetë.
Për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm ushtarak, ata për shekuj shijuan disa liri dhe privilegje, përfshirë autonominë territoriale.
Pas disa rebelimeve të Szekler dhe pasi rreziqet nga Perandoria Osmane u fashitën, monarkia e Habsburgëve ia hoqi gradualisht privilegjet bashkë me rolin e tyre ushtarak.
Historiani Mihai Georgita, nga qyteti kufitar rumun i Oradeas, i tha BIRn se në gjysmën e parë të shekullit të 19 Szeklers u afruan ngushtë me shtetin hungarez, në atë kohë pjesë e Austro-Hungarisë, por shijuan pothuajse autonomi të plotë si rezultat i ndarjes së perandorisë Austriake në Austro-Hungari më 1867.
Kur Hungaria më 1876 i dha fund autonomisë territoriale të Szeklerëve, bashkësia në Transilvani nuk e kundërshtoi.
Pas kolapsit të Austro-Hungarisë më 1918, fuqitë e mëdha imponuan një marrëveshje ndëshkuese paqeje mbi Hungarinë.
Një mbledhje përfaqësuesish nga Transilvania, ku rumunët ishin maxhorancë, votoi për bashkim me Rumaninë.
Rumania premtoi autonomi të përkohshme në territoret e reja deri sa një parlament të themelohej në Bukuresht, dhe tha se ajo do të respektojë të drejtat e minoriteteve.
Gjatë Konferencës së Paqes të vitit 1919 në Paris, Fuqitë Aleate detyruan Rumaninë të nënshkrojë një traktat mbi minoritetet, duke premtuar autonomi vendore për çështjet fetare dhe arsimore, si për minoritetin hungarez ashtu edhe për atë gjerman.
Por kur Rumania miratoi kushtetutën e re më 1923, megjithëse partitë etnike u lejuan të marrin pjesë në jetën politike, ajo nuk lejoi asnjë autonomi për minoritetet.
Hungaria, ndërkohë, bazoi të gjithë politikën e vet të jashtme para Luftës së Dytë Botërore në dëshirën për të revizionuar kufijtë që iu dhanë vendit pas Luftës së Parë Botërore, duke i bërë me sukses presion Gjermanisë Naziste për të detyruar Rumaninë të jepte pas pjesën më të madhe të Transilvanisë si çmim për mbështetjen e Hungarisë për objektivat ushtarakë të Gjermanisë.
Këto përfitime ishin gjithsesi të përkohshme; sovjektikët detyruan Hungarinë të kthejë të gjithë territorin që pati fituar te Rumania pas vitit 1945, kur të dyja vendet u bënë pjesë e bllokut sovjetik.
Gjithsesi, siç ritregon Georgita, Bashkimi Sovjetik i bëri presion Rumanisë më 1952 që të krijojë Rajonin Autonom Hungarez. Më vonë, më 1960, kjo u kthye në Rajonin AUtonom Mures. Gjithsesi, kjo strukturë u anulua tetë vjet më vonë.
Historianët thonë se gjatë kësaj periudhe popullsia rumune në rajon vuajti diskriminim dhe shumë prej tyre ikën. Hungarezët mendojnë se ekzaktësisht e kundërta ndodhi, duke thënë se regjimi komunist rumun vendosi popullsi rumune në rajonet hungareze për të tretur ndikimin e tyre.
Pas rënies së komunizmit më 1989, partitë etnike hungareze rilindën në Transilvani dhe ripërsëritën kërkesat e tyre për autonomi.
Gjithsesi, me përjashtim të protestave të mëdha që u kthyen të dhunshme dhe lanë pesë të vdekur dhe qindra të plagosur në mars 1990, marrëdhëniet mes rumunëve dhe hungarezëve në kontetë Harghita, Covasna dhe Mures kanë qenë në përgjithësi paqësore.
Më 1995, Hungaria dhe Rumania nënshkruan një traktat, në të cilin Budapesti hoqi dorë nga pretendimet territoriale ndaj Transilvanisë ndërsa Rumania u betua të respektojë të drejtat e minoritetit.
Hungarezët dhe rumunët ndërkohë kanë të drejtë të arsimohen në gjuhët e tyre të lindjes dhe, në qytezat ku përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë, kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre në marrëdhëniet me autoritetet vendore.
Gjithsesi, në nivel politik, tensionet kanë mbetur të larta, të ushqyer nga zërat nacionalistë si në Bukuresht ashtu edhe në Budapest.
Interesat elektoralë formojnë mendimet mbi autonominë:
Si politikanët rumunë ashtu edhe ata hungarezë gjatë viteve të fundit e kanë parë çështjen e autonomisë për hungarezët e Rumanisë më së shumti përmes syzeve të zgjedhjeve dhe votave potenciale, thonë ekspertët.
Politika e kryeministrit Orban të Hungarisë është ngritur në krijimin e mbështetjes mes bashkësive hungarishtfolëse përtej kufijve të vendit, veçanërisht në Transilvani, ku ai ka organizuar një konferencë të përviçme verore dedikuar diasporës Hungareze në resortin turistik Tusnad/Tusvanyos.
Në maj 2010, Hungaria i dha hungarezëve etnikë jashtë vendit të drejtën për të marrë shtetësinë hungareze si shtetësi të dyfishtë, gjë që potencialisht përfshin të drejtën për të votuar.
Në prill 2013, qeveria e Hungarisë njoftoi se 280 mijë nga 400 mijë kërkesa për shtetësi kanë ardhur nga shtetas rumunë, të cilët tashmë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet hungareze.
Në anën tjetër, qeveria e Rumanisë në përgjithësi ka qëndruar e heshtur në lidhje me të drejtat e minorancës hungareze pavarësisht presioneve nga Budapesti – pikërisht për arsye të tilla elektorale.
Profesoresha e shkencave politike Liliana Popescu beson se politikanët rumunë nuk dëshirojnë të zgjidhin këtë problem për shkak se ata nuk kanë asnjë interes elektoral për ta bërë diçka të tillë.
Shumica e partive rumune u mbështetën në slogane nacionaliste gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, ndonëse partitë haptazi nacionaliste dhe populiste dështuan të hyjnë në parlament.
Gjithsesi, shpjegoi Popescu, çështja e hungarezëve mbetet një temë sensitive mes votuesve të Rumanisë.
“Nëse ata [politikanët] thonë ndonjë gjë apo thjeshtë përmendin autonominë [e bashkësisë së hungarezëve], ata humbasin mbështetjen elektorale,” vërejti ajo.
“Elektorati rumun, politikisht është kundër autonomisë dhe ideja e përgjithshme është se nëse qeveria lëshon sadopak, minoranca e hungarezëve do të abuzojë me këto të drejta,” shpjegon Popescu.
Ajo shtoi se ky mentalitet vjen pjesërisht nga dekadat e kaluara nën politikat nacionaliste të regjimit komunist.
Gjithsesi, kjo ëstë lëvizja e drejtë për të folur mbi të dhe mbi minorancën hungareze dhe qeveria e Hungarisë e di këtë, tha Popescu.
Një nga arsyet se pse partitë hungareze e kanë ngritur sërish kërkesën për autonomi është edhe konteksti i festimeve të planifikuara në Rumani për të përkujtuar bashkimin me Transilvaninë dhe këto festime në vetvete bëjnë që kjo çështje të mos mund të injorohet më gjatë.
Për më tepër, socialdemokratët në pushtet kanë nevojë në parlament për mbështetjen e partisë kryesore të hungarezëve, Bashkimi Demokratik të Hungarezëve, të cilët kanë 30 deputetë dhe mjaftueshëm levë presioni për ta mbajtur çështjen e autonomisë në axhendë.
Georgita tha se një debat më i gjerë publik mbi këtë çështje të debatuar është i nevojshëm. “Ekspertë të shumitë nga ligji, sociologjia, shkencat politike, historia e gjeografia, që të gjithë duhet të përfshihen,” i tha ai BIRN.
No comments:
Post a Comment
smanalysis