Tuesday, December 5, 2017

ÇËSHTJA LLALLA SI PALIGJSHMËRI, SIDO TË TRAJTOHET

ÇËSHTJA LLALLA SI PALIGJSHMËRI, SIDO TË TRAJTOHET – OPINION NGA PLATOR NESTURI

Nga Plator Nesturi

“Albanian Free Press”

Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm është në cakun e fundit të përfundimit të tij, porse mungesa e një organi apo mekanizmi kushtetues për zgjedhjen e prokurorit të ri ka futur në një kolaps ligjor vetë funksionimin e organit të hetimit. Çështja, më tepër sesa zgjidhje ligjore, duket se do të përfundojë në një debat të gjerë politik dhe motiv të ri përplasjeje. Gjithsesi, për të ardhur në këtë ditë, kjo nuk është rezultat i ndonjë të papriture për të cilën nuk ishte bërë dot e mundur prej kohësh zgjidhja e këtij ngërçi ligjor. Përkundrazi. Më tepër sesa krijimi i hapësirave për zgjidhje, të dyja palët, si shumica edhe opozita, kanë qenë mëse të predispozuara që çështjen “Llalla” ta shndërrojnë si event për përplasjen e brirëve në parlament.

Ditën e enjte, kryeprokurorit Llalla i mbaron mandati dhe ende është e paqartë sesi do të operohet për drejtuesin e ri. Do të vijojë sërish kreu aktual me një zgjatje mandati apo shumica do të bëjë një rokadë të brendshme me një kryeprokuror provizor, derisa të zgjidhen organet që kanë të drejtën kushtetuese të mandatojnë një kryeprokuror të ri. Gjithçka është e paqartë, pavarësisht se drejtues të grupit parlamentar socialist janë shprehur se Llalla do të zëvendësohet. Por nga selia rozë apo nga kryeministri nuk ka patur ende një qëndrim zyrtar të qartë mbi këtë çështje.

Kriza për Kryeprokurorin, por dhe për institucione të tjera të gjyqësorit ka muaj që është paralajmëruar. Ligji i ri mbi reformën në drejtësi, miratuar në verën e vitit të kaluar, ka sjellë dhe ndryshime të rëndësishme në Kushtetutë, që jo vetëm ka transformuar funksionimin e organeve ekzistuese duke krijuar edhe të reja, por njëkohësisht ka sjellë ndryshime dhe në kompetencat e drejtueseve, si dhe në formën që do të zgjidhen. Në rastin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky institucion humb strukturën e saj piramidale dhe ku gjithçka varet nga Prokurori i Përgjithshëm. Kemi shtim të kompetencave të prokurorive në rrethe, si dhe krijimin e SPAK, si njësi profesionale që do të merret me luftën kundër korrupsionit dhe krimit e që zëvendëson në njëfarë mënyre prokurorin e Krimeve të Rënda. Gjithashtu, Prokurori i ri i Përgjithshëm, që më së shumti do të jetë në funksionin e një administratori, nuk do të zgjidhet drejtpërdrejt nga Parlamenti, por nga Këshilli I Prokurorëve. Pikërisht, ky organ ende nuk është ngritur nga ana e Parlamentit, çka e bën të pamundur zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë sipas standardeve të reja kushtetuese. Pra, sërish do të kemi një zgjidhje politike nga ana e Parlamentit se ç’do të bëjnë me Llallën, ta çojnë në pension, apo t’ia shtyjnë mandatin.

Në të gjitha rastet, si të mbetet në punë, apo edhe të hiqet nga detyra, për t’u zëvendësuar provizorisht me një emër tjetër, sërish jemi në terrenin e shkeljes, pasi zgjidhja që do të jepet është ekstra-ligjore. Dhe këtu, faktor është vetë klasa politika që ka penguar zbatimin e afateve ligjore, të cilat rrjedhin nga ligji i reformës në drejtësi, përsa u përket organeve që duheshin zgjedhur për ta futur procesin në hullinë e ligjit. Me pak fjalë, kemi një ligj të ndryshuar, porse nuk janë bërë ende gati mjetet për ta zbatuar. Më troç akoma, reforma në drejtësi mbetet ende në letër, porse nuk do mund të themi ende se kur do të mund të vihet në zbatim. Kjo, pasi të gjitha afatet që ka përcaktuar ligji që ajo të jetë funksionale, kanë kaluar prej kohësh dhe vetë institucionet tona të drejtësisë, tashmë po punojnë në të zezë. Pasi kanë mbaruar atë funksion që kishin, nuk kanë të njëjtat kompetenca, nuk kanë të njëjtën organikë dhe tashmë duhej të ishin në funksion institucioneve të reja sipas ligjit që i parashikon.

Jemi në kushtet e paligjshmërisë, ndaj dhe diskutimi se ç’duhet bërë me Llallën si prokuror, mbetet sërish në fushën e antiligjores. Sido që ta kapësh. Ndaj tashmë në skenë hyn politika për të gjetur një zgjidhje ambulatore. Çështja që mbetet e paqartë, është sesa do të jetë provizor në afatin kohor drejtuesi i ri apo i vjetër i prokurorisë. Pasi vetë klasa politike nuk di të japë një afat konkret se kur mund të arrijë të ngrejë Këshillin e Prokurorëve, apo ta shtojë në fushën ligjore vetë transformimin e Prokurorisë si institucion i ndryshuar nga ligji i miratuar një vit më parë. Shembulli i deritanishëm që vetë Parlamenti nuk ka zbatuar afatet e tij në ndërtimin e institucioneve përkatëse, nuk sjell asnjë garanci se këto do ngrihen brenda një periudhe të shkurtër, që të meritojë emërimin provizor kreu i ri i cili do të zgjidhet. Madje, siç janë gjasat, do të kemi një goxha shtyrje në kohë deri sa ta formalizojmë në terma ligjorë Prokurorinë e re dhe vetë reformën në drejtësi. Në këto kushte, pak rëndësi ka se ç’bëhet. Pasi në vend që të diskutojmë për zgjidhjet se çfarë i duhet për mirë Prokurorisë, thjesht diskutojmë për emrat, ndërsa vetë këta do të jenë si zgjidhje politike me efekt shërbimi. Njësoj si shprehja: Ku ishe  çfarë bëre? - Hiç e gjëkundi.

No comments:

Post a Comment

smanalysis