Wednesday, March 29, 2017

Dilema e zgjedhjeve dhe fantazma e qeverisë teknike




Nga Plator Nesturi

Albanian Free Press

Zgjedhjet e qershorit, janë vënë në dyshim. Kjo jo vetëm prej deklaratave, të deritanishme, të opozitës për të mos hyrë në zgjedhje pa plotësuar kushtin për qeveri teknike, por, prej faktit, se po mbarojnë afatet për regjistrimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të subjekteve politike elektorale. Data e fundit është 4 prilli, porse, deri me tani, janë regjistruar vetëm partitë e mazhorancës.

Po kështu, koha në dispozicion të punimeve parlamentare, i bën gati të pamundura ndryshimet në kodin zgjedhor, detyrim i kërkuar nga subjekte si të mazhorancës edhe të opozitës. Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, i mbaroi afati këtë muaj dhe Kuvendi e zgjati afatin edhe 30 ditë, por në kushtet kur opozita është në bojkot parlamentar, i gjithë ky proces është drejt dështimit.

Nga ana e saj, opozita deklaroi, fillimisht, se nuk do të hyjë në zgjedhje, nëse nuk krijohet qeveri teknike që të prishë skemën e vjedhjeve e të garantojë votën e lirë. Kryeministri Rama dhe titullarë socialistë, u shprehën se mund të futen të vetëm në zgjedhje edhe pa opozitën. Ky do të ishte një rast ekstrem. Ndërkohë, aleatët në mazhorancë, LSI-ja dhe kreu i kuvendit, Meta, u shprehën se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Kjo diskordancë në qëndrime, midis dy partive kryesore të mazhorancës, vjen pas një lufte të heshtur, por të ashpër midis tyre, prej mbi një vit, shkak ky që e ka bërë tepër të brishtë si mazhorancë, por dhe në dilemë, nëse do të vijojë apo do të prishet koalicioni aktual përpara zgjedhjeve të qershorit. Tërheqja e LSI-së nga mazhoranca, do të rrëzonte qeverinë Rama, pasi pa të nuk ka numrat e nevojshëm për shumicë.

Ndaj dhe kërkesat e liderit të opozitës Basha, për qeveri teknike kanë qenë edhe një thirrje për Ilir Metën, për tu tërhequr nga qeverisja e për të rrëzuar Ramën nga pushteti. Ndonëse kritikat e përfaqësuesve të LSI-së, janë shtuar duke dhënë dhe shenja për shkëputje, kjo nismë nuk ka shkuar më tej se deklarata kërcënuese. Vetë LSI-ja , pas hezitimeve të para, i votoi ndryshimet e ministrave të rinj në kabinet, në fund të këtij muaji, pavarësisht pakënaqësisë së shprehur ndaj emërimit të ministrit të ri të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Bllokimi e moskalimi në parlament i ministrave te rinj, apo edhe e njërit prej tyre, do ta thellonte më tej krizën.

Rebusi brenda mazhorancës vazhdon. Sidoqoftë, beteja kryesore zhvillohet në bulevard, midis çadrës së opozitës dhe godinës së kreut të qeverisë, përballë saj. Zhvillimet më të reja, vijnë pas një vizite në SHBA të kreut të PD-së, ndërsa opozita vijon protestën në bulevardin kryesor. Lideri i opozitës Basha, pati një korrigjim në qëndrimet e tij sa i takon zgjedhjeve parlamentare, kur deklaroi se nuk do të bojkotojë zgjedhjet, por nuk do të pranojë një rezultat të trukuar nga paratë e drogës. Ai vijon të deklarohet për qeverinë teknike, porse kjo formulë, me tepër sesa Rama ta lëshojë karrigen e tij nga presioni opozitës, mund të ndodhë vetëm nëse Meta dhe LSI-ja do të largohet nga mazhoranca.

Skemat se çfarë mund të ndodhë, janë ende te paparashikueshme, dhe mundësitë shkojnë nga qeveria teknike, e deri në shtyrje të zgjedhjeve në shtator. Në të gjitha rastet, kjo do të hapte precedentë jo të këndshëm, që qeveria të detyrohet të abdikojë me protesta rruge përpara zgjedhjeve, sa herë që opozita ta shtyjë si opsion, ose në të kundërt, shtyrja e zgjedhjeve, pa një shkak të rëndësishëm, do të ishte shkelje e kushtetutës.

Ndërkohë, vetë zgjedhja e presidentit të ri, mbetet e paqartë. Mandati i tij përfundon në 24 korrik, çfarë e vendos afatin në kufijtë e periudhës boshe pas zgjedhjeve e deri në konstituimin e parlamentit të ri që parashikohet të bëhet në shtator. Më parë ishte deklaruar nga mazhoranca se, presidenti i ri do të zgjidhej nga ky parlament, pasi afati i tij kushtetues mbaron kur parlamenti i ri mund të mos jetë mbledhur ende. Por siç duken gjasat, kur procesi mbetet i bllokuar dhe konsensusi mungon, zgjedhja e presidentit të ri do të bëhet nga parlamenti i ri që do të dalë pas zgjedhjeve të qershorit. Ndoshta dhe si pjesë e pazarit për koalicionet e ardhshme...



No comments:

Post a Comment

smanalysis