Friday, December 23, 2016

Rama i parë me sytë e një bashkëfajtori



Koço Kokëdhima ka kryer edhe publikisht divorcin përfundimtar me Edi Ramën. Me fjalimin e fortë, këtë të premte, në asmblenë kombëtare, ai i ka dhënë fund një miqësie afro 20 vjeçare, që kish ushqyer sa zili të tejskajshme, po aq edhe fantazi të shfrenuar.
Për shumëkënd, Kokëdhima dhe Rama ishin një çifti i pandarë. Disa supozonin deri dhe lidhje intime, disa të tjerë hamendësonin para në llogari të përbashkëta në parajsat fiskale, ndërsa më paranojakët parathonin një plan okult për të uzurpuar PS-në.

Të gjitha këto pandehma merrnin dhe më tepër zjarr nga takimet e fshehta në shtëpinë e Koços në bllok, nga deklaratat ekstravagante për pleqërimin sëbashku në Vuno, nga tenderat e dikurshëm të Bashkisë të Tiranës, nga fakti se papritmas të dy u gjendën në një listë elektorale, atë të qarkut të Vlorës, nga emërimi i menjëherë pas marrjes së pushtetit, i drejtorit të Albpetrolit dhe së fundi nga makthi i përhapur nga vetë deputetët socialistë, që e etiketuan Kokëdhimën si “pashain e Jugut”.

Natyrisht, tani, shumë nga rilindasit që i kanë vuajtur këto teori konspirative, do të ndryshojnë menjherë qëndrim. Ata do e quajnë divorcin e Kokëdhimës një hakmarrje inatçore. Ata do ti bien borive të përhershme të kritikut qefmbetur. Ata do ti mëshojnë emocioneve të “mikut” të lënë në baltë. Ata, të gjithë së bashku, në një gojë, do të përsërisin pyetjen fatale: Pse Kokëdhima nuk foli më parë, nëse Rama qenkësh autokrati që ai po na vizaton sot?
Natyrisht gjithkush ka të drejtë të ngrejë këtë dyshim. Gjithkush ka të drejtë të mos besojë në sinqeritetin e portretit që Koço bën për mikun e tij në dy dekada. Gjithkush ka të drejtë të hamendësojë, nëse ky është shantazhi i fundit që ai po i bën Ramës, me ëndrrën që një ditë të rikthehet në pozicionin e dikurshëm të gurusë.   

Por, këtu më i rëndësishëm sesa qëllimi i Kokëdhimës, sesa emociontet, hatërmbetjet apo koha kur ai vendosi ti shpërthejë ato, janë flajët që ai thotë për kreun e PS-së.
Dhe ai na vizaton një Edi Ramë të kthyer në padron të partisë së vet. Një drejtues që nuk pyet askënd, nuk zbaton asnjë rregull, që drejton përmes kulisash, që ndëshkon të pabindurit për mendimet ndryshe, që hakmerret ndaj tyre me vendin e punës dhe me bukën e gojës.

Ai na vizaton gjithashtu një Parti Socialiste të shndërruar në SH.P.K, ku gëlojnë intrigat dhe pabesia, ku kongreset mblidhen për fasadë duke mos marrë asnjë vendim, ku ministrat, deputetët, të zgjdhurit lokalë, janë emërime ekskluzive të njëshit, pavarësisht nëse pëlqehen apo jo nga elektorati, ku është ngritur kulti i “liderit karizmatik” dhe i të pasurit “shumë para”.

Në fakt, po ta shikosh me kujdes, Koço Kokëdhima portretizon të njëjtin imazh që kanë skicuar për Edi Ramën, të gjithë kritikët e tij për drejtimin e PS-së.
Pak a shumë të njëjtat gjëra ka thënë ish pararadhësi Fatos Nano, të njëjtat kanë përsëritur të vjetrit që u larguan nga partia, të njëjtat ngritën me forcë 6 deputetët e LMN-së dhe po njësoj foli Blushi i cili kërkoi edhe me akte, hapjen e një organizate që po bunkerizohej përditë.

Të gjitha ata janë sulmuar me argumentin se niseshin nga motive personale, se ishin karrierristë, se kishin shitur shpirtin tek kundërshtari.

Por, ama shumë më të pakët kanë qenë ata që kanë bërë një pyetje tjetër: si ka mundësi që njerëz të ardhur nga horizonte kaq të ndryshme, me intersa krejt të kundërta, me formim, bindje dhe origjinë aq të larmishme, arrinin gjithnjë në të njëjtin përfundim: se Rama po shndrrohej në autokratin që përmes kapjes të parties, synonte të kapte edhe shtetin.

Pikërisht këto teza po i vërteton Koço Kokëdhima. Ai po skicon të njëjtin profil dhe po ngre të njëjtat shqetësime. Në mënyrën e tij ai po vërteton një gjë më të madhe sesa ato që thotë. Sepse ai po noterizon edhe kritikat e mëparshme të kundërshtarëve të Ramës. Si miku, si shoku, si guruja 20 vjeçar, ai artikuloi, në ditën e ndarjes, të njëjtat akuza që enden në treg që prej vjeshtës së vitit 2005.

Pikërisht për këtë dëshmia e fundit e Kokëdhimës ishte shumë më e rëndësishme sesa motivet që e nxitën atë të rebelohen. Sepse ndryshe nga paraardhëset ajo ka privilegjin të jetë dëshmia e një bashkëfajtori. (Lapsi.al)

No comments:

Post a Comment

smanalysis